Afrimi me Trump po i sjell më shumë telashe miliarderit sesa fitore...
Gjatë Krishtlindjes, Elon Musk dukej si një mjeshtër i universit: një financier i madh dhe propagandist i fushatës fitimtare të Donald Trump, që e trajtoi atë si bashkë-president.
I ngarkuar për prishjen dhe rindërtimin e shtetit me struktura më të lehta dhe më efikase, ai dukej se ishte në gjendje të nxirrte avantazhe të mëdha për veten dhe kompanitë e tij nga roli i ri politik: kundërshtarët e vjetër të teknologjisë së madhe – nga Jeff Bezos i Amazon deri tek Sam Altman i OpenAI – e përkëdhelën atë ndërsa vlera e aksioneve të Teslas ishte dyfishuar në pak muaj.
Momenti më intoksikues për Elon erdhi më herët, natën e zgjedhjeve presidenciale, kur Trump i kushtoi pothuajse gjysmën e fjalimit të tij të fitores për ta lavdëruar atë dhe gjeniun e tij industrial.
Por që atëherë, kanë nisur telashet për sipërmarrësin që mbërriti nga Afrika e Jugut, duke filluar nga rënia e vlerës së Teslas në bursë. Tregjet kuptuan se aleanca me Trump nuk ishte e mjaftueshme për të fshehur frymën e një kompanie me modele shumë të shtrenjta, që kanë nevojë për t'u përditësuar në luftën gjithnjë e më agresive me Kinën.
Ndërsa rënia e shitjeve globale (e para në historinë e Tesla) mund tu atribuohet kryesisht faktorëve industrialë (një rënie e vitit 2024 prej 1-2% kundrejt një rritjeje prej 25% në tregun botëror të makinave elektrike), rënia e mprehtë e shitjeve në Shtetet e Bashkuara (-7%) dhe rënia në janar në Evropë (-45%) tregojnë rënie për shkak të angazhimit politik të Musk.
Vlera e markës Tesla është gërryer: në Gjermani, ku Elon mbështet AfD, nisi një fushatë në të cilën Tesla përkufizohet si një swasticar. Kudo postera me Musk duke parë nga çatia e një prej makinave të tij, me krahun e shtrirë të përshëndetjes romake: në shkurt, shitjet e Tesla ranë deri në -76% (ndërsa në Francë rënia ishte 25% në të njëjtin muaj dhe në Kinë 49%).
Po ashtu, afërsia me Trump nuk ishte aq e dobishme në frontin e inteligjencës artificiale (IA): presidenti pagëzoi aleancën midis OpenAI, Oracle dhe Softbank. Musk sulmoi fort duke thënë se ata nuk kanë para për të investuar. Pastaj përpjekja për të blerë OpenAI duke vënë në tryezë 97 miliardë dollarë dhe poshtërimi duke refuzuar shumën.
Amerika po e shikon me frikë, teksa ministrat vuajnë inkursionet e Elonit pa mundur të thonë shumë sepse Trump e mbështet dhe, në të vërtetë, e shtyn të jetë më i ashpër. Por Musk lëviz pa asnjë kujdes politik, duke pushuar personelin thelbësor në sektorë të ndryshëm vendimtarë — shëndetësinë, sigurinë bërthamore, transportin ajror, veteranët.
Në një mbledhje të fundit Musk u vu me shpatulla pas murit nga Sekretari Rubio, duke pasur përplasje të forta mes tyre.
Pastaj, natën, aventura më e fundit: siç ndodhi tashmë një muaj më parë, një tjetër anije kozmike Starship shpërtheu pak minuta pasi u lëshua mbi një raketë Super Heavy.
FAA, agjencia e sigurisë së aviacionit ka hyrë në konflikt me Musk, sepse imponon kufizime ndaj SpaceX-it, pasi detyrohet të bllokojë trafikun ajror në një zonë të madhe dhe të mbyllë aeroportet e Floridës për shkak të rreziqeve që lidhen me rënien e mbeturinave nga anija kozmike. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje