TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Tetor 2025, 19:17

Ranucci në shënjestër edhe pas atentatit: Gjoba, padi dhe presion institucional ndaj "Report"

Shkruar nga Pamfleti

Ranucci në shënjestër edhe pas atentatit: Gjoba, padi dhe presion

Kush kërkon t’i mbyllë gojën gazetarit që sfidon të pushtetshmit?

Sigfrido Ranucci, gazetari investigativ dhe drejtuesi i emisionit “Report” në Rai 3 ka folur pas protestës që u zhvillua në mbështetje të tij ditën e djeshme.

Me qindra persona protestuan pas sulmit me bombë ndaj tij. Por edhe pse ai ndodhet në një situatë të vështirë, presioni vijon. Gazetari ka rrëfyer se po përballet me padi të shumta dhe sulme institucionale.

Jo vetëm që nuk i kanë tërhequr kallëzimet, por më kanë ardhur edhe tre të tjera”, ka deklaruar ai për “Corriere Della Sera”.

Në protestë morën pjesë figura nga të gjitha krahët politikë, që nga Lëvizja 5 Yje, Partia Demokratike dhe Aleanca e Gjelbër-Socialiste, deri te përfaqësues të Fratelli d’Italia dhe Forza Italia, çka e bën edhe më të habitshëm faktin që sulmet ndaj tij nuk po ndalen. “Me kryeministren Giorgia Meloni kemi shkëmbyer mesazhe. Ajo më kërkoi në telefon menjëherë pas atentatit, por unë isha në Prokurori dhe nuk munda t’i përgjigjesha. Më pas i shkrova dhe ajo më ktheu përgjigje, duke më thënë se e rëndësishme është që patëm një kontakt direkt”, deklaron Ranucci për “Corriere della Sera”.

Por ndërkohë që publiku shfaq solidaritet, institucionet vijojnë presionin. Ditën e sotme ose nesër, Autoriteti Italian i Privatësisë pritet të vendosë një gjobë me dhjetëra mijëra euro ndaj “Report”, për transmetimin e disa audiosh mes ish-ministrit të Kulturës, Gennaro Sangiuliano (aktualisht korrespondent i Rai në Paris dhe kandidat për Fratelli d’Italia në rajonale), dhe ish-bashkëpunëtores së tij Maria Rosaria Boccia. Kjo e fundit është tashmë në hetim nga Prokuroria e Romës për ndjekje të rënduar penale, dëmtime fizike, ndërhyrje të paligjshme, shpifje dhe deklarime të rreme në CV.

Është absurde që Autoriteti të na ndëshkojë pikërisht tani, kur nuk ka asnjë bazë për këtë. Ata pretendojnë se Boccia nuk është personazh publik, ndërkohë që ajo është gazetare dhe ka dalë në emisione televizive,” thekson Ranucci. Si Boccia, ashtu edhe Sangiuliano kanë kallëzuar “Report” pranë këtij autoriteti.

Ndërkohë hetimet për atentatin vazhdojnë. Karabinierët e Romës dhe Fraskatit janë në kërkim të personit që hodhi bombën artizanale me fuqi të lartë nën makinën e gazetarit. Dëshmitarët kanë parë një person të maskuar dhe veshur me të zeza duke u larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa kamerat kanë kapur një automjet të errët pranë zonës. Prokuroria e Antimafias ka hapur një dosje për "dëmtim të rënduar nga metoda mafioze". /Pamfleti

Lini një Përgjigje