TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Tetor 2025, 12:20

Pse antimafia italiane po insiston ndaj pistës shqiptare në atentatin ndaj Sigfrido Ranuçit

Shkruar nga Pamfleti
Pse antimafia italiane po insiston ndaj pistës shqiptare në atentatin
Sigfrido Ranucci /

Hetimet për bombën pranë banesës së Sigfrido Ranuçit po përqendrohen te rrjetet e narkotrafikut shqiptar dhe lidhjet e tyre me botën politike në Tiranë; një zhvillim që pritet të kthehet në dosjen më të rëndë që përfshin emra nga krimi dhe pushteti në Shqipëri...

Prej tre ditësh, mediat më të rëndësishme italiane po publikojnë shkrime dhe detaje të reja mbi hetimet e autoriteteve antimafia në lidhje me atentatin me bombë ndaj gazetarit të njohur Sigfrido Ranuçi, drejtuesit të emisionit investigativ Report në RAI 3.

Sipas burimeve zyrtare të hetimit, pista shqiptare është aktualisht linja kryesore e hetimeve dhe konsiderohet si më e mundshmja.

Në raportet e para thuhet se një shtetas shqiptar është arrestuar, ndërsa prokuroria antimafia ka përgatitur edhe disa urdhra të tjerë arresti dhe kontrolle që pritet të ekzekutohen në ditët në vijim.

Megjithatë, krahas pistës shqiptare, autoritetet po hetojnë edhe lidhjet e mundshme të mafies së “ultrave” të futbollit, grupe të dhunshme tifozësh që prej vitesh kanë krijuar lidhje me rrjete të narkotrafikut dhe organizata ekstremiste politike.

Por pyetja që ngrihet është: pse pista shqiptare është cilësuar si më e forta dhe më e besueshmja?

Gazetari i njohur i La Repubblica, Marco Carta, një nga reporterët më të specializuar në kronikën kriminale dhe hetimet antimafia, përmend në analizat e tij një “kryqëzim të rrezikshëm” që mund të ketë alarmuar hetuesit italianë. Ai i referohet marrëdhënies midis një emri të njohur të botës së nëndheshme shqiptare, Artur Shehut, dhe një ish-ushtaraku italian me lidhje me shërbimet sekrete, gjeneralit Fabrizio Lisi.

Sipas La Repubblica, Lisi ka kryer një blerje toke në Shqipëri nga Artur Shehu, i njohur si një nga biznesmenët më të fuqishëm në Vlorë dhe i lidhur me rrjete të mëdha narkotrafiku.

Kjo lidhje, sipas ekspertëve italianë, ngre dyshime serioze për ndërthurje të interesave midis strukturave mafioze dhe elementëve të sigurisë, një kombinim që në historinë e Italisë ka prodhuar gjithmonë ngjarje të rënda.

Një tjetër element që ka shtyrë hetuesit italianë drejt pistës shqiptare është fakti që emisioni Report kishte zhvilluar gjatë vitit të fundit një investigim të thellë mbi rrjetet kriminale shqiptare të përfshira në menaxhimin e qendrave të emigrantëve në Shëngjin dhe Gjadër.

Sipas burimeve të Report, disa nga këto struktura ishin të lidhura me biznese të afërta me qeverinë shqiptare, përfshirë kompani që kishin marrë fonde publike dhe kontrata të dyshimta.

Sipas informacioneve të reja, Sigfrido Ranuçi kishte planifikuar që në sezonin e ri televiziv të thellonte hetimin mbi lidhjet e narkotrafikut shqiptar me politikën në Tiranë, përfshirë investimet në turizëm, ndërtim dhe energji.

Gazetarët e Report kishin zbuluar indicie konkrete që tregonin për kalimin e kapitaleve të krimit në sektorin e energjisë diellore, një nga fushat më të financuara nga qeveria shqiptare gjatë viteve të fundit.

Nëse këto investime rezultojnë të lidhura me rrjetet e narkotrafikut, hetimi i Report mund të ketë goditur interesa shumë të fuqishme në Shqipëri dhe më gjerë, një arsye e mundshme për sulmin e organizuar ndaj gazetarit.

Vetëm përmendja publike e “pistës shqiptare” nga prokuroria antimafia është një tronditje për qeverinë e Edi Ramës. Në mënyrë indirekte, Italia po i dërgon sinjal Tiranës se lidhjet midis krimit dhe pushtetit nuk mund të mbulohen më me retorikë politike.

Nëse pista shqiptare konfirmohet, ky hetim do të shndërrohet në një dosje ndërkombëtare që mund të ketë pasoja të rënda diplomatike dhe politike për Shqipërinë. Për momentin, është e qartë vetëm një gjë: atentati ndaj gazetarit Sigfrido Ranuçi nuk ishte një akt i zakonshëm kriminal, por një paralajmërim i errët që ndërlidhet me interesa të mëdha, para të pista dhe pushtet./Pamfleti

antimafia italiane pista shqiptare sigfrido ranucci

Lini një Përgjigje