Trump e cilësoi regjimin iranian si “një nga regjimet më të dhunshme në histori” dhe argumentoi se ndërhyrja nuk po bëhet vetëm për interesat e SHBA-së.
Një ditë pas nisjes së sulmeve të përbashkëta ndaj Iranit që çuan në vrasjen e Ayatollah Ali Khameneit, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se udhëheqja e re iraniane ka kërkuar bisedime dhe se ai ka pranuar të dialogojë.
I pyetur nga “The Atlantic”, nëse bisedimet do të zhvillohen menjëherë, ai u përgjigj se nuk mund të japë detaje për kohën. Trump theksoi se disa nga zyrtarët iranianë që kishin qenë pjesë e negociatave në javët e fundit “nuk janë më”, duke iu referuar goditjeve të fundit. Trump pohoi se 48 udhëheqës të Republikës Islamike janë vrarë gjatë sulmeve të koordinuara SHBA-Izrael.
“Shumica e atyre njerëzve janë zhdukur. Disa nga personat me të cilët po merreshim nuk janë më, sepse ishte një goditje e madhe. Duhej ta kishin bërë më herët. Mund të kishin arritur një marrëveshje”, tha ai.
I pyetur nëse është i gatshëm të zgjasë fushatën e bombardimeve amerikane për të mbështetur një kryengritje popullore nëse ajo ndodh, Trump nuk dha një angazhim të qartë. “Duhet ta shoh situatën në momentin kur ndodh. Nuk mund t’i japësh përgjigje asaj pyetjeje tani”, tha ai.
Megjithatë, presidenti shprehu besim se një kryengritje e suksesshme është e afërt, duke përmendur shenja festimesh në rrugët e Iranit dhe tubime mbështetëse të diasporës iraniane në Nju Jork dhe Los Anxhelos. “Kjo do të ndodhë. Po e shihni këtë dhe mendoj se do të ndodhë. Shumë njerëz janë jashtëzakonisht të lumtur atje dhe në Los Anxhelos dhe në shumë vende të tjera”, tha ai. Krahas tubimeve pro ndryshimit të regjimit, janë mbajtur edhe protesta të mëdha kundër luftës, shpesh vetëm disa blloqe larg njëra-tjetrës.
Trump u shpreh i kënaqur me reagimin e deritanishëm të iranianëve. “Duke e ditur që është shumë e rrezikshme, duke e ditur që u kam thënë të gjithëve të qëndrojnë në vend – është një vend shumë i rrezikshëm tani”, tha ai. “Njerëzit atje po brohorasin në rrugë nga gëzimi, por në të njëjtën kohë po bien shumë bomba.”
Prej vitesh, komuniteti amerikan i inteligjencës ka ndjekur dhe penguar komplote atentatesh të udhëhequra nga Irani kundër zyrtarëve amerikanë, përfshirë edhe vetë Trumpin, brenda territorit të SHBA-së. I pyetur nëse ka indikacione për kërcënime të reja iraniane ndaj territorit amerikan pas nisjes së sulmeve, Trump u përgjigj: “Nuk dua t’jua them këtë.”
Në një intervistë për CNBC, presidenti amerikan u shpreh se operacioni po shkon “shumë mirë” dhe “përpara afatit të planifikuar”. Ai e cilësoi regjimin iranian si “një nga regjimet më të dhunshme në histori” dhe argumentoi se ndërhyrja nuk po bëhet vetëm për interesat e SHBA-së. “Nuk po e bëjmë këtë vetëm për veten tonë, po e bëjmë për botën. Dhe gjithçka po shkon përpara afatit”, deklaroi ai.
Duhet rrezuar i gjithe Rregjimi Diktatorial Teokratik i Iranit, sepse vrasja e 48 Udheheqesve te Iranit nuk eshte rrezim i gjithe Rregjimit Diktatorial Teokratik. Pra kjo pune duhet derguar deri ne fund, qe eshte sigurisht rrezimi i gjithe Rregjimit Diktatorial Teokratik ne Iran.