TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Janar 2025, 13:57

Qeveri kukullash: Amerikanët votuan për Trump, por nga 20 janari Elon Musk do të jetë udhëheqësi i vërtetë

Shkruar nga Matthew d’Ancona

 Qeveri kukullash: Amerikanët votuan për Trump, por nga 20 janari Elon

Çështja e dualizmit, ka filluar t’i djegë që tani. Gjatë një fjalimi të mbajtur në një tubim 22 dhjetor, Donald Trump u ndje i detyruar t’i kujtonte botës se ai, dhe jo Elon Musk, do të hyjë shpejti në Zyrën Ovale. “Jo, ai nuk do të jetë president. Dhe unë jam i sigurt. E dini pse? Sepse nuk ka lindur në këtë vend!”.

Por përveç këtij sqarimi të sikletshëm, presidenti i zgjedhur i SHBA-së ishte më lavdërues se kurrë për njeriun më të pasur në botë, duke e shpallur si “shokun tim kryesor”:”Elon ka bërë një punë të mrekullueshme... ne duam ta falënderojmë atë!”. Por në rrjet po qarkullojnë tallje dhe meme, ku Trump paraqitet si Zonja e Parë e Musk, si një foshnjë e ulur para tavolinës së këtij të fundit, si një gaztor i oborrit, si qeni i tij etj.

Dhe për një narcisist patologjik, që arriti kohët e fundit rikthimin më të madh politik të kohëve moderne, duke fituar si në Kolegjin Elektoral ashtu dhe votën popullore, dhe shpërfillur një varg çështjesh gjyqësore, një tallje e tillë duhet të jetë e patolerueshme.

Kjo e detyroi që të udhëzonte sekretaren e tij për media, Karoline Leavitt, që t’i thoshte Fox News: ”Presidenti Trump është lideri i Partisë Republikane”. Siç thoshte dikur presidenti Ronald Reagan: ”Nëse detyroheni të shpjegoni, atëherë jeni duke humbur!”.

Por në mënyrë të pazakontë, Trump vazhdon të tolerojë gllabërimin e pushtetit dhe sjelljen përçarëse të Musk. Të shtunën, ai ndërhyri në një mosmarrëveshje të ashpër midis Musk dhe disa radikalëve të MAGA-s mbi punëtorët emigrantë që kanë aftësi të caktuara, duke mbajtur anën e manjatit të teknologjisë.

“Në pronat e mia, punojnë shumë emigrantë me viza H-1B. Unë kam qenë një mbështetës i H-1B. E kam shfrytëzuar shumë herë. Është një program migrimi i shkëlqyer!”- deklaroi ai për New York Post.

Ka shumë të ngjarë që Trump ta ketë ngatërruar skemën H-1B, e cila lejon punëtorët e kualifikuar të punojnë për 3 vjet në SHBA, dhe që preferohet shumë nga sektori i teknologjisë, me programin H-2B, që përdoret kryesisht për stafin vendas dhe kopshtarët.

Por thelbi i deklaratës së tij ishte thjesht politik, vetëm sa për sheshuar një grindje brenda partisë së tij, shkaktuar nga emërimi i Sriram Krishnan, një kapitalist me origjinë indiane, si këshilltar i tij mbi Inteligjencën Artificiale.

Në njërën anë të kritikëve është Laura Loomer, teoricienia e konspiracionit të së djathtë ekstreme që ishte në krah të Trump në momentet kyçe të fushatës; analistja ultra-konservatore, Ann Coulter; dhe Steve Bannon, ish kryestrategu i tij, që dënon ndikimin e manjatëve të teknologjisë mbi presidentin e zgjedhur, duke këmbëngulur se “një vend nuk mund të drejtohet me algoritme”.

Në podkastin e tij “War Room” të premten e kaluar, Bannon e denoncoi skemën H-1B si një tradhti absolute të ideologjisë “Amerika e Para”: “Ky është një mashtrim nga oligarkët e Silicon Valley për t’ua vjedhur vendin e punës qytetarëve amerikanë, dhe për t’ua dhënë atyre që vijnë nga vendet e huaja duke u paguar më pak”.

Në anën tjetër, janë titanët e teknologjisë dhe kapitalit të sipërmarrjes, të cilët kohët e fundit janë parë në Mar-a-Lago, rezidencën private të Trump në Florida. Në një postim në X të shtunën, Musk u tha kundërshtarëve të tij”: ”Bëni një hap të madh mbrapa dhe shihni veten tuaj në fytyrë. Unë do të shkoj në luftë për këtë çështje të cilën ju nuk mund ta kuptoni!”.

Për më shumë se 18 muaj, Trump bëri një fushatë të ashpër mbi politikën e migracionit dhe kufirit, duke premtuar dëbimin masiv të emigrantëve pa dokumente dhe kontrolle shumë më të rrepta mbi të ardhurit në mënyrë të ligjshme.

Por pa marrë ende detyrën, po përkrah një qasje më liberale për vizat e punës të marra nga aleatët e tij të rinj të teknologjisë, të udhëhequr nga Musk. Për më tepër presidenti i ri e ka lejuar këshilltarin e tij, një qytetar privat që s’ka mbajtur kurrë një post zyrtar të zgjedhur me votë, të ushtrojë presion mbi Kongresin për një projektligj shumë të rëndësishëm që nëse nuk miratohej, do ta kishte mbyllur qeverinë federale për Krishtlindje.

Në çdo rast, Musk nuk ka nevojë të jetë president për t’u bërë biznesmeni më i fuqishëm në historinë e republikës sonë. Në vitin 1896, karteli i fuqishëm i J.P Morgan, Andrew Carnegie dhe John D.Rockefeller projektoi zgjedhjen e presidentit William McKinley.

Pas vrasjes së këtij të fundit, ai u zëvendësua nga Theodore Roosevelt, që ishte kundër “njerëzve me pasuri të madhe” dhe që deklaroi se “Amerika s’duhet të jetë qytetërimi i një plutokracie me bazë në Wall-Street”. Zëvendësoni “Silicon Valley” me “Wall Street”,dhe do të shihni se frika e Roosevelt është bërë realitet në epërsinë hiper-kapitaliste të Musk.

Ai nuk është vetëm një nga kontraktorët më të mëdhenj të qeverisë federale. Tani do të ketë një pushtet shumë të madh mbi buxhetin e SHBA-së (të cilin ai planifikon ta shkurtojë me “të paktën 2 trilion dollarë”), dhe një ndikim të madh mbi rregulloret dhe rregullat e prokurimit që diktojnë të ardhurat e bizneseve të tij.

Që nga dita e zgjedhjeve, pasuria e tij personale është rritur me 70 për qind, duke arritur në 450 miliardë dollarë. Po çfarë magjie i ka bërë Musk Trumpit? Presidenti i zgjedhur, ka qenë prej kohësh i hipnotizuar nga shkëlqimi, futurizmi dhe plutokracia që personifikon kolosi i teknologjisë.

Sipas shembullit të Musk, gjigantët e Silicon Valley janë vendosur në radhë për të lajkatuar presidentin. Mark Zuckerberg, bosi i Meta, Jeff Bezos, themeluesi i Amazon dhe Sam Altman, drejtuesi i OpenAI, kanë dhuruar secili nga 1 milion dollarë për ceremoninë e inaugurimit të Trump.

Nuk ka asnjë dyshim se biznesmeni i pasurive të paluajtshme, sheh te Musk një version ndëryjor të tij, duke ndërtuar raketa që janë hapi i ardhshëm evolucionar nga Trump Tower. Dhe ai një lidhje të fortë me një njeri që ndan vullnetin e tij të pamëshirshëm për pushtet.

Pyetja e vetme, është se sa kohë do t’i duhet presidentit të 47-të që të lodhet nga Musk. Varësi të tilla të ndërsjellta, janë për nga natyra e tyre të dënuara të jenë problematike, dhe të kalojnë shumë shpejt në pakënaqësi dhe rivalitet.

Trump, që në të shumtën e rasteve mërzitet lehtë, nuk do të tolerojë gjatë të lënit në hije nga Musk. Një mori çështjesh mund të jenë pretekst për ndarjen, mbi të gjitha politika e SHBA-së ndaj Kinës, një vend ku Musk është një hero dhe ka interesa të mëdha tregtare (sipas Bannon “ai është në pronësi të Partisë Komuniste Kineze”).

Por prishja e kësaj aleance do të jetë për shkaqe personale, dhe jo biznesi, pasi egoja e pandalshme e Musk do të përplaset më në fund me megalomanin e palëvizshëm Trump. Por në dallim nga shumë këshilltarë dhe zyrtarë të mëparshëm që Trump i ka lënë mënjanë si lodra, Musk do të kalojë tek obsesioni i tij i ardhshëm.

Tashmë, ai po përpiqet të ndikojë në politikën e Britanisë së Madhe, duke i dhënë Nigel Farage dhe partisë së tij Reform UK (Reformo Mbretërinë e Bashkuar) më shumë para se sa çdo parti tjetër. Në Gjermani, ai po mbështet AfD-në e ekstremit të djathtë.

Pastaj duhet të mendojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2028 në SHBA. Në 4 vitet e ardhshme Trump mund të bëjë shumë dëme por - gjithnjë nëse nuk e shkel kushtetutën dhe kërkon një mandat të tretë - ai do të largohet nga Zyra Ovale për herë të fundit në janar 2029, në moshën 82-vjeçare. Nga ana tjetër, sapo ka filluar. Cilin shtet do të blejë më pas?

qeveri kukullash elon musk donald trump

Lini një Përgjigje