TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Janar 2026, 16:55

Pse Trump nuk do ta ketë të lehtë të marrë naftën e Venezuelës?

Shkruar nga Pamfleti

Pse Trump nuk do ta ketë të lehtë të marrë naftën

Ja problemet e industrisë së naftës në Venezuelë...

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se synon të “marrë nën kontroll” rezervat e naftës së Venezuelës dhe t’i nxjerrë ato në tregun global, pas “rrëzimit” të presidentit Nicolas Maduro nga pushteti.

Por sipas ekspertëve të energjisë, përfitimi real nga rezervat e mëdha të këtij vendi të Amerikës Latine është përplot me pengesa të mëdha: nga infrastruktura e rrënuar dhe pengesat ligjore, deri te pasiguria politike në Caracas dhe te mbiprodhimi i naftës në tregun botëror.

Venezuela zotëron rezervat më të mëdha të naftës në botë, rreth 303 miliardë fuçi, por aktualisht prodhon vetëm një pjesë fare të vogël të kësaj pasurie. Në nëntor të vitit të fundit, prodhimi ishte rreth 860 mijë fuçi në ditë, më pak se 1% e prodhimit global, krahasuar me 3.7 milionë fuçi në ditë gjatë kulmit në vitet 1970.

Rënia e industrisë së naftës i atribuohet një kombinimi të sanksioneve amerikane dhe viteve të keqmenaxhimit, mungesës së investimeve dhe korrupsionit nën drejtimin e Maduro-s dhe paraardhësit të tij, Hugo Chavez.

Ekspertët thonë se edhe nëse administrata Trump do të heqë sanksionet për të rritur prodhimin në afat të shkurtër, kthimi i Venezuelës në nivelet e dikurshme të prodhimit do të kërkonte investime kolosale dhe vite të tëra punë.

Infrastrukturë e kalbur dhe mungesë personeli

Scott Montgomery, ekspert i energjisë në Universitetin e Washington-it, tha për Al Jazeera se infrastruktura e Venezuelës është në gjendje të mjerueshme për shkak të mungesës së mirëmbajtjes.

Kompania shtetërore PDVSA është e njohur për korrupsionin dhe mungesën e ekspertizës. Shumë prej kuadro të kualifikuar janë larguar nga vendi për të punuar jashtë”, theksoi ai.

Nga Berlini, analisti i energjisë dhe gjeopolitikës Thomas O’Donnell vlerësoi se rikthimi në kulmin e prodhimit mund të arrihet brenda 5 deri në 7 vite, por vetëm në rastin më të mirë – që do të përfshinte një tranzicion paqësor të pushtetit dhe stabilitet të brendshëm.

“Afatgjatë, po, Venezuela mund të bëhet një nga prodhuesit më të mëdhenj të naftës në botë. Por gjithçka varet nga mënyra si menaxhohet tranzicioni, siguria dhe garantimi i investimeve,” tha O’Donnell.

Trump, mes deklaratave kontradiktore dhe ambicieve të mëdha

Të shtunën, Trump deklaroi se SHBA do të “drejtojë” Venezuelën dhe se kompanitë amerikane të naftës janë gati të investojnë miliarda dollarë për të rindërtuar infrastrukturën e rrënuar dhe për të “rrjedhur” naftën në treg.

Të dielën, Sekretari i Shtetit Marco Rubio u përpoq të zbusë tonet, duke thënë se Trump i referohej “drejtimit të politikës” dhe nxitjes së investimeve private, jo kontrollit të drejtpërdrejtë të puseve të naftës.

Më vonë, vetë Trump tha se SHBA është “në krye” të situatës në Venezuelë dhe është në kontakt me anëtarë të “administratës së përkohshme”, pa dhënë më shumë detaje.

Ligji ndërkombëtar nuk e njeh “pronësinë” amerikane mbi naftën venezueliane

Sipas të drejtës ndërkombëtare, SHBA nuk ka asnjë të drejtë ligjore mbi rezervat e Venezuelës. Shtetet sovrane, sipas parimit të Kombeve të Bashkuara për “Sovranitetin e Përhershëm mbi Burimet Natyrore”, kanë të drejtën të menaxhojnë pasuritë e tyre.

Megjithatë, investitorët e huaj mund të kërkojnë kompensim nëse qeveritë u sekuestrojnë pasuritë. ExxonMobil dhe ConocoPhillips fituan në gjykatat ndërkombëtare përkatësisht 1.6 miliardë dhe 8.7 miliardë dollarë pas shtetëzimeve nga qeveria e Chavez-it në vitin 2007. Por qeveria e Caracas nuk i ka paguar këto dëmshpërblime.

Aktualisht, Chevron është e vetmja kompani amerikane e naftës që operon në Venezuelë, falë një përjashtimi nga sanksionet që u dha gjatë presidencës Biden.

Sipas analizës së kompanisë norvegjeze Rystad Energy, për të rikthyer prodhimin në nivelin e viteve 2010 (rreth 2 milionë fuçi në ditë), Venezuelës do t’i duhen të paktën 110 miliardë dollarë investime në sektorin e energjisë.

Lini një Përgjigje