
Negociatat e 2022-shit, na kujtojnë se Putin dhe Zelensky janë të aftë të bëjnë lëshime të rëndësishme. Por një marrëveshje paqeje, mund të jetë shumë e vështirë për t’u arritur.
Kanë kaluar gati 3 muaj që kur presidenti amerikan, Donald Trump, nisi një përpjekje të madhe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Kontaktet diplomatike që pasuan nuk kanë prodhuar ende rezultate domethënëse.
Kjo sepse Trump ka përballë një kundërshtar dinak dhe me përvojë si presidenti rus Putin, i cili shpreson të përfitojë nga padurimi i presidentit amerikan me luftën, për ta detyruar Ukrainën të nënshkruajë atë që rusët nuk kanë arritur ta fitojnë me forcë në fushën e betejës.
Nuk ka asnjë arsye të mendohet se Trump do ta pranojë listën e kërkesave të Putinit. Në fakt, ai ka shprehur vazhdimisht zhgënjimin e tij për mungesën e përparimit në bisedime, dhe ka kërcënuar t’i braktisë ato, ndërsa Rusia vazhdon të përparojë edhe pse shumë ngadalë në fushën e betejës, me shumë kosto në një luftë të gjatë pa një fund në horizont.
Marrëveshja kryesore që u diskutua në bisedimet e vitit 2022, parashikonte neutralitetin e përhershëm të Ukrainës, duke përjashtuar anëtarësimin e në NATO, në këmbim të garancive të forta të sigurisë. Palët dështuan ta finalizonin atë në muajt pasues, dhe tani konfliktin ka hyrë në vitin e tij të katërt.
Në fakt, asnjë marrëveshje paqeje e qëndrueshme nuk do të jetë e mundur, nëse nuk adreson frikën e Ukrainës dhe Rusisë ndaj njëra-tjetrës në planin afatgjatë. Ashtu siç bënë në Stamboll në vitin 2022, të dyja palët i japin ende përparësi këtyre shqetësimeve të sigurisë kombëtare.
Çështje të tjera - si statusi i territorit të diskutueshëm, lehtësimi i sanksioneve për Rusinë dhe financimi i rindërtimit ekonomik të Ukrainës pas luftës - janë të rëndësishme, por në thelb dytësore. Në Stamboll, të dyja vendet i dhanë përparësi adresimit të sigurisë së pasluftës.
Kremlini këmbënguli që Ukraina të hiqte dorë nga anëtarësimi në NATO, të mos priste asnjëherë forca të huaja apo stërvitje që përfshinin forca të huaja në territorin e saj, dhe të pranonte disa kufizime në madhësinë dhe strukturën e ushtrisë së saj.
Ndërkohë Kievi, nuk donte kufizime për forcat e tij, dhe ishte i përqendruar në marrjen e garancive të sigurisë nga partnerët e tij perëndimorë, si dhe pranimin e nënkuptuar nga Kremlini se këto fuqi do t’i vinin në mbrojtje të Ukrainës, nëse Moska do të niste përsëri një sulm.
Shqetësimi mbi sigurinë në të ardhmen, mbetet ende sot çështja kryesore për Kievin, Ukrainasit kanë frikë, se nëse nuk kanë aftësinë për të mbrojtur veten apo garanci nga fuqitë perëndimore, çdo marrëveshje paqeje do të nxisë në rastin më të parë një pushtim tjetër rus.
Ndërkohë, rusët kanë frikë se një Ukrainë e armatosur mirë, mund të përpiqet të rimarrë çdo territor ukrainas që Moska e mban ende të pushtuar. Po ashtu, Kremlini shqetësohet për perspektivën - sado e pamundur që mund të duket tani - të anëtarësimit të Ukrainës në NATO dhe pasojat afatgjata të sigurisë nga një zhvillim i tillë.
Edhe pse administrata Trump po e përjashton anëtarësimin e Ukrainës në NATO, kjo i ofron pak ngushëllim Moskës. Sepse një administratë e ardhshme mund të ndryshojë kurs. Qëllimi kryesor për Rusinë dhe Ukrainën, është sigurimi i garancive afatgjata.
Ky fokus, dikton si sjelljen ushtarake në front ashtu edhe pozicionet negociuese të të dyja palëve. Bisedimet aktuale, duhet t’i adresojnë këto perceptime për të maksimizuar shanset e suksesit. Për momentin, në pah kanë dalë çështje të tjera, veçanërisht çështja e kontrollit territorial dhe njohja e aneksimeve të paligjshme të Rusisë.
Për shembull disa versione të propozimeve të paqes nga SHBA-ja, tregojnë se Uashingtoni ofron “njohjen de jure” të Krimesë si pjesë e Rusisë, dhe “njohjen de facto” të territoreve të tjera të pushtuara nga Rusia. Por përqendrimi mbi territoret, e shpërqendron vëmendjen nga axhenda kryesore e sigurisë.
Sepse as Rusia dhe as Ukraina, nuk ka gjasa të dorëzojnë territorin që mbajnë aktualisht. Dhe janë realitetet e luftës, dhe jo të tryezës së negociatave, ato që do të përcaktojnë kontrollin territorial. Negociatat e Stambollit 3 vjet më parë, treguan se statusi i territoreve të pushtuara nga Rusia në Ukrainë, nuk do të jetë një element aq i rëndësishëm sa paraqitet.
Në fakt, bisedimet e anashkaluan qëllimisht çështjen e kufijve dhe territorit. Edhe pse e rëndësishme, çështja ishte dhe mbetet dytësore në krahasim me shqetësimet thelbësore të sigurisë. Për më tepër negociatat e suksesshme duhet të përfshijnë të gjitha palët përkatëse.
Nëse në një negociatë të caktuar janë në lojë fatet e një vendi, ai shtet duhet të jetë në tryezë që nga fillimi i procesit. Mbështetësit e Kievit, këmbëngulin që ai nuk mund të lihet mënjanë në asnjë zgjidhje diplomatike të konfliktit. Ata përsërisin sloganin “Asgjë për Ukrainën pa Ukrainën”.
Por Stambolli, tregoi se ky slogan nuk është ekskluziv për Ukrainën. Në fakt, diskutimet në Stamboll përjashtuan fuqitë e mëdha të Perëndimit - Shtetet e Bashkuara, Britaninë, Gjermaninë dhe të tjerët - edhe pse Rusia dhe Ukraina negociuan çështje që lidhen me këto vende dhe detyrimet e tyre.
Zyrtarët perëndimorë, na thanë se Ukraina nuk u konsultua me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore deri pas publikimit të Komunikatës së Stambollit. Ai përjashtim, ndodhi kryesisht për shkak të gjendjes emergjente: forcat ruse ishin në periferi të Kievit, ndaj negociatorët nuk kishin kohë për diplomaci shumëpalëshe.
Megjithatë mungesa e përfshirjes së Perëndimit në bisedime, bëri që zyrtarët perëndimorë të mos e pranonin komunikatën, pavarësisht meritave të saj. Ata mund të kenë thënë: “Asgjë për Perëndimin pa Perëndimin”. Më pak fjalë: marrëveshjet e shkruara, pa praninë e të gjithë atyre që preken në krijimin e tyre, nuk ka gjasa që të kenë sukses.
Sot ndërmjetësuesit do ta kenë shumë më të lehtë ta drejtojnë luftën drejt negociatave nëse të gjitha palët - përfshirë ukrainasit dhe evropianët - janë të përfshira që nga dita e parë. Ka disa arsye praktike për të ndjekur një qasje gjithëpërfshirëse.
Nëse SHBA-ja dhe Evropa do të punonin së bashku, në vend se të angazhohen për qëllime të kundërta siç duket se po bëjnë sot, për të arritur një paqe të qëndrueshme, Putini do të kishte pasur më pak hapësirë për detyruar Trumpin të pranojë zvarritjen e bisedimeve.
Po ashtu, evropianët do të ishin më pak të prirur të pengonin procesin e paqes, siç kanë bërë, për shembull duke refuzuar të diskutojnë lehtësimin e sanksioneve, ose duke nxitur planet e tyre për të dërguar trupa tokësore në Ukrainë. Stambolli tregoi se kur u bë presion, mbështetësit perëndimorë të Ukrainës nuk ishin të gatshëm t’i jepnin Kievit garancinë që ai besonte se ishte thelbësore për sigurinë e saj.
Në fakt qeveritë perëndimore u distancuan nga Komunikata e Stambollit, jo vetëm sepse nuk ishin të përfshira në negociatat themelore, por edhe sepse garancia e sigurisë e përshkruar në dokument, shtrihej shumë më tej asaj që ishin të gatshme të ofronin Uashingtoni dhe kryeqytetet e vendeve aleate.
Bisedimet e Stambollit, si dhe vështirësitë aktuale të Trump, sugjerojnë se do të duhen diskutime paralele si për mekanizmat e armëpushimit, ashtu edhe elementët e një zgjidhjeje politike për të arritur në një përfundim për secilën prej tyre.
Negociatat e 2022-shit, na kujtojnë se Putin dhe Zelensky janë të aftë të bëjnë lëshime të rëndësishme. Por një marrëveshje paqeje, mund të jetë shumë e vështirë për t’u arritur. Dhe siç e treguan bisedimet e vitit 2022, negociatat e dështuara mund të paralajmërojnë shumë vite të tjera lufte./Përshtati "Pamfleti", nga “Foreign Affairs”
Shënim: Samuel Charap, ekspert mbi Rusinë në RAND Corporation. Sergey Radchenko, profesor i studimeve të ndërkombëtare në Universitetin Xhons Hopkins.
Lini një Përgjigje