TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota10 Maj 2025, 12:35

Plani i BE-së për t’u vetëmbrojtur dhe për të ruajtur aleancën strategjike me SHBA-në

Shkruar nga Claudio Tito

Plani i BE-së për t’u vetëmbrojtur dhe për të

Të premten në Moskë do të ketë një festë fitoreje. A do të përfaqësohet BE-ja atje?

Siguria është një nga shqetësimet urgjente të BE-së. Evropa duhet të shpenzojë më shumë në këtë sektor. Dhe mund ta bëjë këtë duke iu drejtuar “borxhit të përbashkët”, pra eurobonove të reja, siç ndodhi me Fondin e Rimëkëmbjes nga pandemia.

Kështu shprehet presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, që vizitoi së fundmi Italinë për t’u takuar me drejtuesit e lartë të Leonardo-s, kompanisë më të madhe italiane në fushën e mbrojtjes. Nga ana tjetër, Costa është i bindur se edhe përplasja për tarifat me Trump, mund të kapërcehet përmes një angazhimi më të madh ekonomik në NATO.

Në një fazë në të cilën e gjithë bota duket se është në tension, cila është emergjenca e parë për BE-në?

Konkurrueshmëria dhe siguria. Dhe pastaj ruajtja e unitetit tonë.

Meqë jemi tek siguria, a mund të pranojë Evropa një paqe që përfshin dorëzimin e një pjese të territoreve ukrainase tek Rusia?

Vetëm Ukraina mund të përcaktojë kushtet e një marrëveshjeje. Ne mbështesim të drejtën ndërkombëtare por edhe Ukrainën. Dhe do ta mbështesim atë në negociatat e ardhshme të paqes dhe integrimin e saj në BE. Por s’mund ta zëvendësojmë Kievin në vendimet e tij.

Por propozimi i Trump përfshin dorëzimin e një pjese të territoreve ukrainase tek Putin…

Të gjithë duan paqe, përveç ndoshta Putinit. Ne i mirëpresim përpjekjet e presidentit Trump. Jemi duke ndërtuar një koalicion me ata që janë të gatshëm t’i ofrojnë Ukrainës garanci reale sigurie, dhe të sigurohen që këto negociata të mos prodhojnë një armëpushim jetëshkurtër. Kur shohim tragjedinë në Gaza, duhet të mësojmë se armëpushimi nuk nënkupton paqe.

A keni frikë se Kievi do të bëhet Gaza e re?

Në Gaza po vazhdon tragjedia. Pengjet nuk lirohen dhe vijon tragjedia humanitare. Izraeli vazhdon të sulmojë popullin palestinez. Duhet ta shmangim këtë skenar në Ukrainë.

Në këtë kontekst, a mund të dërgojë Evropa ushtarë në Ukrainë për të ruajtur paqen?

Koalicioni i të vullnetshmëve po punon mbi disa skenarë. Garancia e parë dhe më e rëndësishme e sigurisë, është forcimi i kapacitetit të forcave ukrainase. Pastaj ekziston një nivel i dytë garancie në të cilin jemi të gatshëm të marrim pjesë. Ndoshta jo në territorin ukrainas, por në kufirin e Polonisë, Rumanisë, për të vepruar vetëm nëse dhe kur të jetë e nevojshme.

Për të siguruar një mekanizëm frenues efektiv ndaj Moskës. Por tani për tani është shumë herët për të diskutuar mbi këto detaje. Nëse do ketë një rezultat pozitiv, atëherë do të jetë thelbësore që Rusia të mos e sulmojë përsëri Ukrainën.

A është sot paqja më afër apo më larg?

Do të doja që paqja të ishte afër, por kam frikë se nuk është.

Të premten në Moskë do të ketë një festë fitoreje. A do të përfaqësohet BE-ja atje?

Është festimi i përvitshëm i një ngjarjeje të së kaluarës.

Megjithatë, disa vende, si Sllovakia apo Hungaria e Orban, dhe disa parti si LEGA në Itali, e mbrojnë gjithmonë Rusinë. Çfarë mendoni ju mbi këto qëndrime?

Nuk komentoj qëndrimin e partive politike kombëtare. Ne s’duhet t’i ngatërrojmë ato me qëndrimin e shteteve anëtare. Të 27 vendet bien dakord për domosdoshmërinë dhe urgjencën e ndalimit të luftës. Të gjithë e dënuan pushtimin. Kemi miratuar 16 paketa sanksionesh kundër Moskës.

Në Itali dhe shumë vende të tjera evropiane, po zhvillohet një debat brenda partive të majta. Disa argumentojnë se paqja nuk mund të arrihet me forcë, dhe se ajo është më e rëndësishme se kushtet në të cilat arrihet. Ç’mendoni për këtë, meqë jeni vetë socialist?

Ne kemi mësuar se paqja e vërtetë pa mbrojtje është një iluzion. Nëse paqja është vetëm një armëpushim i shkurtër, atëherë rrezikojmë që t’i japim kohë Rusisë të riforcojë ushtrinë për të sulmuar më fort. Për të majtët, është i rëndësishëm respekti për të drejtën ndërkombëtare, sovranitetin dhe integritetin territorial.

Nëse lejojmë që një vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së të mos i bindet ligjit ndërkombëtar, çfarë mesazhi u dërgojmë njerëzve që shkelin ligjin në të gjithë botën? Nëse duam paqe jo vetëm në Ukrainë, por në gjithë botën, duhet të sigurohemi që të mbizotërojë ligji, dhe që të mos shpërblehet agresori.

Ndërkohë, Trump ka hapur edhe një luftë tjetër, atë tregtare. Sipas mendimit tuaj, a ka presidenti amerikan ndonjë plan apo është thjesht improvizim?

Pyetja nuk është se çfarë dëshiron Trump, por çfarë dëshiron Evropa. Dhe Evropa dëshiron të ruajë aleancën më të suksesshme mbrojtëse në botë, NATO-n, të mbrojë marrëdhëniet tona tregtare, dhe të ruajë marrëdhënien më të ngushtë të mundshme me Shtetet e Bashkuara si një aleat, partner dhe mik. Problemi i vërtetë është se si të balancohet barra në mbrojtjen evropiane. Dhe ne jemi në gjendje ta bëjmë.

A shihni ndonjë lidhje midis tarifave dhe shpenzimeve ushtarake?

Gjatë 3 viteve të fundit, e kemi rritur me 30 për qind buxhetin tonë të mbrojtjes. 23 shtetet anëtare që janë aleate të NATO-s, e kanë arritur tashmë objektivin prej 2 për qind shpenzime të PBB. Jam i sigurt se të gjitha shtetet anëtare po përgatiten për samitin e aleancës në qershor për të vendosur afatin kohor për investimet e reja. Më e rëndësishme nuk është të gjejmë numrin magjik prej 2, 3 ose 3.75 për qind, por atë mbi të cilën duhet të investojmë. Këshilli Evropian do të mblidhet menjëherë pas samitit të NATO-s, ku do të kemi mundësinë të përkthejmë në veprime, ato mbi të cilat shtetet anëtare kanë rënë dakord brenda kornizës së NATO-s. Shtetet e Bashkuara duan që ne të marrim më shumë përgjegjësi, dhe do ta bëjmë këtë. Por na duhen më shumë mjete sigurie.

Midis këtyre instrumenteve është edhe borxhi i përbashkët, pra euro-obligacionet e reja?

Ne e kemi ndërmarrë hapin e parë me klauzolën mbrojtëse, që vendet të kenë më shumë hapësirë fiskale për manovrim, dhe pastaj është Fondi i Sigurisë. Por nuk mbaron me kaq. Po diskutojmë Librin e Bardhë për mbrojtjen dhe midis propozimeve, borxhi i përbashkët është sigurisht një nga opsionet që duhet të merret në konsideratë dhe mbi të cilën duhet të vendosim.

A do të zhvillohet samiti BE-SHBA në Romë, siç dëshiron Meloni?

Në funeralin e Papa Françeskut, patëm mundësinë të bisedonim me presidentin Trump. Jemi dakord që duhet të flasim. Vendi i takimit nuk është i rëndësishëm. Roma është një qytet i mrekullueshëm. Por pavarësisht nëse ndodh në Uashington, Bruksel apo diku tjetër, s’ka rëndësi.

A do të ndodhë ai para samitit të NATO-s në qershor?

Ne jemi gjithmonë të gatshëm të takohemi me presidentin Trump. Kontaktet e disa udhëheqësve evropianë siç Meloni, janë shumë të dobishme për t’i hapur rrugën zhvillimit të këtij takimi./Përshtati "Pamfleti", nga  “La Repubblica”

Lini një Përgjigje