TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota20 Janar 2024, 21:05

Pse emigrimi masiv rrezikon të rrëzojë të gjithë elitën sunduese në Perëndim?!

Shkruar nga Allister Heath
Pse emigrimi masiv rrezikon të rrëzojë të gjithë
Liderët botërorë

Teza e “Një miliardë amerikanëve” e Matthew Yglesias - duke e trefishuar numrin e popullsisë së SHBA për të maksimizuar mirëqenien globale - po e humb me shpejtësi mbështetjen e së djathtës pro-kapitaliste...

Kryeministri britanik Rishi Sunak mund t’i ketë mposhtur rebelët në partinë e tij. Por ajo e tija ishte një “Fitore si e Pirros”, e cila nuk mund ta shpëtojë dot qeverinë e tij. Projektligji i Ruandës nuk do të ndalojë zbarkimet e emigrantëve të paligjshëm në vend, e lëre më pastaj të bindë votuesit e acaruar që t’u besojnë sërish konservatorëve.

Konservatorët që e penguan Sunak të ashpërsonte projektligjin e tij, kanë treguar se nuk janë në gjendje të kuptojnë përmasat e sfidës që paraqet emigrimi masiv, legal dhe ilegal, ndaj rendit perëndimor në shekullin XXI-të.

Shumica e votuesve në Britani dhe mbarë Evropën, besojnë se emigracioni është në nivele shumë të larta. Megjithatë do të ketë presion që shifrat të rriten akoma më shumë, veçanërisht duke pasur parasysh rënien e madhe të lindjes së fëmijëve në Perëndim.

Gjatë dekadave të ardhshme, dhjetëra, në mos qindra miliona njerëz mund të përpiqen të largohen nga Azia, Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe Afrika për t’i ikur varfërisë, luftës dhe kaosit. Kjo do të fuste në kolaps gati të gjitha shoqëritë pritëse dhe do të impononte një rishikim të plotë të qasjes së Perëndimit ndaj emigrimit për qëllime ekonomike, integrimit, azilit dhe refugjatëve.

Pavarësisht nëse na pëlqen apo jo, do të ngrihen mure në kufi dhe ligji ndërkombëtar do të humbasë funksionin  e tij. Politikanët që nuk janë në gjendje ose nuk duan të përshtaten ka të ngjarë të zhduken nga skena publike, duke filluar me Sunak dhe Joe Biden në nëntor, dhe duke vazhduar me liderët e gati çdo vendi evropian, përfshirë Olaf Scholz në Gjermanisë dhe Emmanuel Macron në Francë.

Politikanët kryesorë duhet të merren me zgjidhjen e këtyre çështjeve në një mënyrë të qytetëruar, në të kundërt në pushtet do të ngjiten personazhe vërtet të neveritshëm. Qeveritë duhet të bëhen shumë më përzgjedhëse se kujt i japin shtetësinë, numri i emigrantëve duhet të zvogëlohet ndjeshëm.

Në këtë kontekst, Plani i Ruandës është tejet i papërshtatshëm. Ajo e ruan anëtarësimin tonë në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Nuk vë në pikëpyetje ndonjë nga konventat e refugjatëve të pas Luftës së Dytë Botërore, marrëveshje të mirëkuptuara për kohën kur u firmosën por të vjetruara, dhe që sot po i pengojnë qeveritë të zgjedhin se kush mund të vendoset në vendet e tyre.

Po ashtu ai nuk bën asgjë për ta bërë sërish funksional Home Office dhe prirjen e kësaj të fundit për të humbur gjurmët e emigrantëve të paligjshëm, dhe as faktin që gjykatat dhe makineria jonë administrative janë kaq të dobëta në interpretimin e ligjit.

Në lidhje me emigracionin, unë kam qenë prej kohësh i pozicionuar në krahun liberal të lëvizjes konservatore. Kam qenë një mbështetës i identiteteve britanike moderne, dhe i një shoqërie shumë-fetare. Unë jam i mahnitur nga suksesi mbresëlënës i kaq shumë emigrantëve të mirë-integruar, patriotë, por edhe i fëmijëve të tyre.

Dhe është e qartë se modeli britanik, ka qenë shumë më i mirë se ai francez apo gjerman për të integruar të ardhurit. Ne duhet të jemi krenarë për Britaninë tonë multi-etnike, kryeministrin tonë hindu dhe përparimin e madh që kemi bërë në luftën kundër racizmit.

Por tani besoj gjithashtu se niveli i emigracionit vjetor është bërë i papërballueshëm, dhe grupe të caktuara janë izoluar në mënyrë të rrezikshme nga pjesa tjetër e kombit.

Ekstremizmi është në rritje dhe nëse duam të ruajmë kohezionin tonë shoqëror, nevojitet një shqyrtim shumë më i madh se kë lejojmë të hyjë dhe cilin jo.

Ndikimi në rritje i së majtës ekstreme mbi kulturën tonë ka pasur pasoja katastrofike. Nëse Britania shihet sot si një shtet i keq “kolonialistësh”, atëherë pse dikush do të dëshironte të integrohej këtu? Historitë e suksesit të emigracionit këtu kanë një faktor të përbashkët: besimin tek ëndrra britanike, në një sistem meritokratik ku puna e palodhur, vlerat familjare dhe përkushtimi ndaj arsimit mund të lejojnë cilindo të ngrihet sa më lart.

Por kjo nuk është në përputhje me teorinë kritike të racës. Fiksimi i ideologëve të së majtës ekstreme me politikat e identitetit, kuotat, kundërvënien e njërit grup ndaj një tjetri, ndarjen e botës në “shtypës” dhe “të shtypur” dhe diskriminimin e njerëzve të bardhë, është krijuar enkas për të minuar modelin e suksesshëm të integrimit të Britanisë.

Ai denigron britanizmin dhe i zmadhon dallimet. Është i butë ndaj ekstremizmit islamik. Një qasje e tillë ka ndihmuar në nxitjen e një vale antisemitizmi. Po ashtu është dobësuar kauza ekonomike për emigrimin masiv, në krahasim me pranimin selektiv të atyre me një rendiment të lartë. Qasja e vjetër e ka mbështetur rritjen e PBB-së, por nuk arriti të rriste nivelin e PBB-së për frymë. Pretendimi bazë se emigrimi do të rriste rritjen e produktivitetit ka rezultuar i gënjeshtërt.

Shumë emigrantë nuk po e shtojnë fuqinë punëtore. Përkundrazi ata po vijnë këtu për bashkim familjar ose për të studiuar, kategori me të cilat po abuzohet shumë.

Në lidhje me emigracionin ekonomik, ne duhet të fokusohemi tek ata që vijnë nga çdo vend i botës, por që kanë më shumë gjasa të jenë kontribues në pasurimin e vendit tonë. Duhet të bëhet një praktikë e rrallë dhe emigrantëve t'u ofrohet strehim social. Ne duhet të kalojmë tek një shtet social kontributiv, ku ndihma sociale u jepet vetëm atyre që kanë kontribuar për vite me radhë.

Qeveria ka tregtuar se është më e lehtë të importojë punëtorë nga jashtë, sesa të përballet me faktin se miliona qytetarë janë të varur nga ndihma sociale dhe vuajnë nga aftësitë e ulëta në raport me tregun e punës dhe nga kapitali social i varfëruar.

Politikanët tanë gjithashtu nuk preferojnë t`ua rrisin pagat punonjësve të shërbimit social dhe zgjedhin të marrin punëtorë nga vende të tjera të cilët i paguajnë më pak, duke kursyer kështu para dhe duke refuzuar të trajnojnë mjekët. Duke pasur parasysh ligjet tona problematik të planifikimit që parandalojnë më shumë ndërtimin e shtëpive, nivelet aktuale të emigrimit po nxisin një krizë në strehim.

Gjatë viteve 2022-20023 në Britani u ndërtuan 234.400 shtëpi të reja. Emigrimi neto deri në qershor 2023 ishte 672.000, ku shumica u vendosën në Angli. Kriza e strehimit po përshkallëzohet me shpejtësi për shkak të niveleve të larta të emigrimit dhe normës së ulët të ndërtimit të shtëpive të reja.

Kjo krizë po godet në veçanti të rinjtë. Instituti gjerman IZA zbulon se çdo rritje vjetore prej 1 për qind e numrit të emigrantëve në Zvicër, i rriti me 4.3-5.9 për qind çmimet e shtëpive. Edhe Elon Musk, që përgjithësisht mbështet politikat liberale mbi emigracionin, tani beson se stoku i banesave - dhe për rrjedhojë popullsia 333 milionëshe e Amerikës - nuk mund të rritet në praktikë me më shumë se 1-2 për qind në vit.

Teza e “Një miliardë amerikanëve” e Matthew Yglesias - duke e trefishuar numrin e popullsisë së SHBA për të maksimizuar mirëqenien globale - po e humb me shpejtësi mbështetjen e së djathtës pro-kapitaliste.

Kriza e strehimit ka krijuar një brez të ri komunistësh, dhe derisa të dyfishojmë apo edhe trefishojmë ndërtimin e shtëpive, kjo do të thotë se emigrimi masiv nuk është më i pajtueshëm me konservatorizmin.

Për konservatorët dhe partitë e qendrës së djathtë kudo që janë, ky është një moment darvinian: ata duhet të ashpërsojnë masat kufizuese ndaj migracionit, legal dhe ilegal, ose do të përballen me zhdukjen nga skena politike. /Përshtati “Pamfleti” nga “Daily Telegraph

 

Lini një Përgjigje