Amerika nuk është Turqia...
Shumë demokratë në SHBA, janë të tmerruar se një mandat i dytë i Donald Trump do ta kthente Amerikën në një diktaturë. Në pamje të parë nuk bëjnë gabim që shqetësohen. Sepse vetë Trump ka folur edhe pse me ironi për këtë çështje.
Për më tepër SHBA-ja nuk është imune ndaj populizmit, që është një pararendës i autoritarizmit, dhe as e palëkundur në lidhjen e saj institucionale me demokracinë liberale. Pra edhe Amerika mund të dalë nga ekuilibrat e saj dhe të rrëshqasë në një lloj tiranie elektorale të shumicës. Por në të njëjtën kohë them se paniku është i panevojshëm. Si një njeri që ka përjetuar lindjen dhe rritjen e autoritarizmit në Turqi, jam njëfarë eksperteje mbi këtë temë.
Bazuar në përvojën që them se kam, 4 vitet e tjera të Trumpit në krye të SHBA-së nuk janë kohë e mjaftueshme për ta kthyer Amerikën në një diktaturë. Ajo që pashë në Turqi gjatë 2 dekadave të sundimit të Tayyip Erdogan - duke punuar si gazetare për pjesën më të madhe të asaj kohe - është se ndërtimi i një diktature kërkon shumë kohë.
Edhe në Poloni dhe Hungari, qeverive jo-liberale u janë dashur vite për të hequr dorë nga sundimi i ligjit. Për çmontimin e një demokracie ekziston një ritëm dhe proces i veçantë,
dhe një lloj periudhe inkubacioni për despotizmin. Sepse ka shumë ligje për të ndryshuar, institucione për të çmontuar dhe aleanca të reja për të ndërtuar.
Sigurisht, Trump pati një fillim premtues në raport me synimet e tij gjatë mandatit të parë, duke emëruar një numër mbresëlënës gjyqtarësh federalë, duke prishur balancën e pushtetit në Gjykatën e Lartë, duke promovuar mediat e lidhura me filozofinë e MAGA-s si një burim alternativ i realitetit, duke mohuar rezultatet e zgjedhjeve, dhe së fundmi duke kërkuar imunitet nga ligjet edhe pas largimit nga detyra.
Megjithatë ai është ende shumë larg arritjes së kontrollit të plotë mbi institucionet, mediat dhe gjyqësorin amerikan, apo ndërtimin e konsensusit social që do t'i duhej për të mbretëruar si një autokrat. Më lejoni të ndalem tek disa nga pengesat me të cilat do të ndeshej Trump apo çdo diktator gjatë autokratizimit të Amerikës, bazuar tek ajo që ka ndodhur në vende të tjera.
Shumica e populistëve jo-liberalë pretendojnë se po luftojnë ndaj një lloj komploti të elitave që u mohon votuesve të kenë një zë për vendimet që kanë të bëjnë me fatin e kombit. Të kesh një peizazh mediatik alternativ është thelbësor për të nxitur narrativa të tilla, siç është teza e vjedhjes së zgjedhjeve. Dhe Trump nuk do të ketë asnjë problem në këtë aspekt pasi ka me vete Fox News dhe një ekosistem të tërë të mediave alternative pro-Trump.
Por problemi për të do të jetë opozita e gardës së vjetër - mediat e pavarura dhe kanalet kryesore të lajmeve që janë hapur kundër MAGA-s dhe vazhdojnë të ofrojnë gazetari të mirë. T’i zhdukësh ato nga skena është e mundimshme. Unë punoja në një nga të përditshmet kryesore turke “Sabah”, kur ajo u vendos nën kontrollin e qeverisë në vitin 2007, duke shënuar fillimin e një lufte 10-vjeçare të Erdoganin për të vënë nën kontroll të gjitha mediat në vend.
Por nuk ishte e lehtë. Për t’i mbyllur gojën “Sabah” dhe gazetave të tjera, Erdoganit iu desh të përdorte autoritetin tatimorë, gjykatat, të bënte thirrje për bojkot publik të këtyre gazetave dhe të kërcënonte publikisht gazetarë të caktuar, duke i detyruar pronarët që të shisnin mediat e tyre.
Pas “Sabah”, qeveria turke vuri në shenjestër media të tjera, siguroi mbështetjen financiare që ato të blihen nga miqtë e saj dhe me kalimin e viteve miratoi enkas ligje kundër terrorizmit për të shtypur fjalën e lirë. Në vitin 2017, Erdogan mbajti një referendum për zgjerimin e kompetencave të tij presidenciale dhe pushtetin tashmë të konsoliduar.
Pra edhe në një demokraci të papërsosur si Turqia, u desh një dekadë e plotë nga viti 2007 deri në 2017-ën që Erdogan të fitonte kontrollin e plotë mbi median. Ngjashëm edhe në Poloni, Partia Ligj dhe Drejtësi, e rrëzuar së fundmi nga pushteti u përpoq të ndryshonte peizazhin mediatik pasi mori pushtetin në vitin 2015, duke i kthyer transmetuesit shtetërorë në degë të partisë. Kjo skemë është e mundshme edhe në SHBA, por do të zgjaste më shumë se 4 vjet.
Gjykatat janë të nevojshme për të krijuar një klimë frike midis disidentëve. Por për të kaluar nga një proto-diktator në një tiran të vërtetë, Trump do të kishte nevojë për besnikërinë e plotë nga gjyqësori. Por kjo është më e lehtë të thuhet sesa të arrihet në Amerikë, ku sistemi gjyqësor është krijuar enkas për të vendosur kufizime mbi ekzekutivin dhe ku gjyqtarët kanë mandate të gjata.
Trump mund të ketë ndryshuar balancën e pushtetit në Gjykatën e Lartë, dhe të ketë emëruar më shumë se 200 gjyqtarë federalë për ta ndryshuar gjyqësorin federal. Kjo do të thotë se në fund të mandatit të tij të parë, më shumë se çereku i gjyqtarëve aktivë ishin të emëruar nga Trump.
Por kjo nuk është aq e pazakontë. Gjykatat kanë qenë prej kohësh një fushëbetejë ideologjike në politikën e SHBA-së. Dhe numri më i madh i emërimeve në gjyqësor në kohët moderne ndodhi gjatë presidencës së Ronald Regan, edhe pse nuk mjaftoi për të krijuar një strukturë të përhershme qeverisëse të krahut të djathtë.
Për më tepër, jo të gjithë të emëruarit e Trump kanë marrë vendimet që do të donte Donald Trump. Mbështetur tek shembuj nga Hungaria, Polonia dhe Turqia, mund të themi me siguri se problemi i vërtetë i Trump nuk do të jetë besnikëria apo kredencialet konservatore të emëruarve të tij gjyqësorë, por prania e të tjerëve, gjyqtarëve jo-Trumpianë.
Nga rreth 800 gjyqtarë federalë (shifrat ndryshojnë në varësi të vendeve vakante), vetëm një
e katërta janë emëruar nga Trump, duke lënë qindra të tjerë brenda sistemit. Ndërkohë, administrata Biden ka nxituar të plotësojë vendet vakante duke vazhduar me konfirmimet e gjyqtarëve të saj, dhe jo të Trumpit.
Ajo që do t’i duhej vërtet Trumpit për të vënë nën kontroll të plotë gjyqësorin, është një strukturë administrative e centralizuar, si në Turqi, Hungari dhe gjetkë, ku ai mund të ri-caktojë lehtësisht gjyqtarë jo-bashkëpunues në gjykata të ndryshme, të ndërmarrë veprime ndëshkuese apo t’i zhvendosë ata në qytete të ndryshme.
Që të gjitha këto praktika të zakonshme në Turqi. Por SHBA-ja ka sisteme gjyqësore të mbivendosura, dhe pasi të bëhet një emërim, është e vështirë të kontrollosh plotësisht një gjyqtar. Madje në disa shtete gjyqtarët zgjidhen drejtpërdrejt me votë, duke e rritur më tej pavarësinë e tyre.
Një pengesë tjetër e madhe që do të ngadalësojë rrugën e Trumpit drejt diktaturës është shfaqja e qyteteve si bastione liberale, ku guvernatorët dhe kryebashkiakët demokratë do të ishin udhëheqësit e opozitës. Në demokracitë që kanë përjetuar një transformim jo liberal,
të gjitha qytetet e mëdha dalin në skenë si bastione të disidencës dhe vlerave liberale, dhe kryebashkiakët karizmatikë të tyre bëhen shpesh fytyra publike të opozitës.
Trump është kandidati i Amerikës rurale. Si në vitin 2016 ashtu edhe në 2020, ai doli më mirë në qytetet e vogla sesa në zonat e mëdha metropolitane. Kjo nuk është aspak e ndryshme nga ajo që ndodhi në Hungari, Turqi dhe Poloni. Në vitin 2019, Erdogan humbi në të gjitha qytetet kryesore turke në zgjedhjet lokale, dhe kryebashkiaku opozitar i Stambollit, Ekrem Imamoglu, u kthye në rivalin e tij kryesor politik.
Në vitin 2020, kryebashkiaku karizmatik i Varshavës, Rafał Trzaskowski, kandidoi për president dhe ndërsa humbi me një diferencë të vogël, luajti një rol të rëndësishëm në fitoren e opozitës vitin e kaluar. Trump duhet të kujtojë protestat e mëdha antiqeveritare në Hong Kong, Varshavë, Stamboll dhe Budapest, dhe të shqetësohet për fuqinë e qyteteve dhe ngritjen e politikanëve më të rinj dhe më energjikë, si kryebashkiakë dhe guvernatorë, disa prej të cilëve mund të nxisin bazën e Partisë Demokratike dhe elitat urbane, duke e kthyer Nju Jorkun, San Franciskon, Çikagon apo Uashingtonin në bastione të mosbindjes civile./ Përshtati Pamfleti nga “Politico.com”
Marrë me shkurtime
Shënim: Asli Aydintasbas, gazetare për shumë vite në Turqi, sot bashkëpunëtore e Qendrës së Institutit Brukings në SHBA.
Lini një Përgjigje