
Më shumë se 100 njerëz u mblodhën në sheshin Kleber në Strasburg për të pritur studentët serbë që 13 ditë më parë u nisën me biçikletë nga Novi Sadi për të kërkuar drejtësi.
Në sheshin kryesor është shtruar një tapet i kuq, flamujt serbë valëviten dhe të demostruesit mbajnë pankarta të ndryshme, kryesisht me mbishkrimin “Pumpaj”.

Sonja Maletiq, një shtetase e Serbisë, e cila prej 4 vitesh studion për mjekësi në Universitetin e Strasburgut, thotë se është këtu për të mbështetur bashkëmoshatarët e saj.
“I admiroj ata njerëz, bashkëmoshatarët e mi, për gjithçka që kanë bërë dhe e vetmja gjë që mund të them është “bravo”. Unë nuk shkoj shpesh në Serbi, ndaj nuk kam qenë në protesta, por kontributi im i vogël është që jam këtu sot”, shprehet ajo.

Sonja thotë gjithashtu se ajo dhe miqtë e saj do t'i presin studentët dhe do t'u sigurojnë strehim gjatë kohës që ata janë këtu.
Ardhja e studentëve është planifikuar për në orën 20:00. Studentët nesër do të kërkojnë drejtësi para institucioneve evropiane për viktimat në Novi Sad dhe do të mbahet 16 minuta heshtje.

Pas trembëdhjetë ditësh me biçikletë, studentët serbë që shkuan në Strasburg për të kërkuar drejtësi, arritën në destinacionin e tyre përfundimtar.
Rreth 80 studentë që u nisën me biçikleta nga Novi Sadi më 3 prill të këtij viti, mbërritën në Strasburg, ku presin të pranohen në institucionet evropiane për të kërkuar drejtësi për 16 të vrarët nga rënia e soletës në stacionin hekurudhor më 1 nëntor të vitit të kaluar.

Misioni i tyre, siç thanë në fillim, është që bota të mësojë të vërtetën për Serbinë, që institucionet të reagojnë dhe të bëjnë presion mbi pushtetin, të ngrenë zërin në emër të të gjithë atyre që kanë heshtur.
Akomodimi për të 80 çiklistët që kanë përshkruar më shumë se 1400 kilometra dhe kanë kaluar nëpër gjashtë shtete është siguruar më herët, falë qytetarëve serbë që jetojnë në Strasburg.

Më shumë se njëqind pjesëtarë të diasporës lokale serbe, si dhe diaspora nga Zvicra, Bazeli dhe Parisi, të cilët po ashtu erdhën për t'i mirëpritur studentët dhe për t'u ofruar atyre mbështetje, u mblodhën për t'i pritur studentët në sheshin Gutenber në qendër të Strasburgut.

Lini një Përgjigje