Dhjetëra mijëra qytetarë protestuan të shtunën në Madrid kundër kryeministrit Pedro Sanchez, mes akuzave dhe skandaleve të korrupsionit që kanë përfshirë qeverinë spanjolle.
Situata u tensionua pranë Pallatit Moncloa, rezidenca zyrtare e kryeministrit, kur një grup protestuesish tentoi të thyente kordonin e sigurisë. Gjatë përplasjeve me forcat e rendit u plagosën të paktën shtatë efektivë policie, ndërsa tre persona përfunduan në pranga.
Pamjet e publikuara nga mediat spanjolle treguan policinë teksa neutralizonte disa protestues të maskuar në zonën përreth rezidencës së Sanchez. Në protestë u panë pankarta me mesazhe kundër qeverisë socialiste dhe flamuj kombëtarë spanjollë, ndërsa marshimi u organizua nën sloganin “Marshi për Dinjitet”.
Tubimit iu bashkuan edhe figura të opozitës nga Partia Popullore dhe partia e ekstremit të djathtë Vox.
Klima politike në Spanjë është acaruar pas raportimeve se ish-kryeministri socialist José Luis Rodríguez Zapatero po hetohet për trafik influence dhe pastrim parash. Zapatero, i konsideruar aleat i afërt i Pedro Sanchez, ka mohuar akuzat.
Presioni ndaj Sanchez ishte rritur edhe më herët, pasi në vitin 2024 autoritetet nisën hetime ndaj bashkëshortes së tij, Begoña Gómez. Kryeministri spanjoll ka deklaruar se çështjet ndaj familjes së tij dhe bashkëpunëtorëve politikë po përdoren nga grupime të ekstremit të djathtë për sulme politike.
Organizatorët pretenduan se në protestë morën pjesë rreth 80 mijë qytetarë, ndërsa autoritetet në Madrid raportuan një shifër afro 40 mijë protestuesish.
Lini një Përgjigje