
Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas, tha se vetëm Shtetet e Bashkuara mund ta ndalojnë Izraelin të zhvillojë një ofensive ushtarake në qytetin kufitar të Gazës, Rafah.
Ai theksoi se një ofensivë e tillë, e cila pritet brenda ditësh, mund ta detyrojë shumicën e popullsisë palestineze të largohet nga Gaza.
“Ne u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës t’i kërkojnë Izraelit të mos e kryejë sulmin në Rafah. Amerika është vendi i vetëm që është në gjendje të parandalojë Izraelin nga kryerja e këtij krimi”, tha Abbas gjatë një takimi në Forumin Ekonomik Botëror në Riad të Arabisë Saudite.
Izraeli ka shtuar sulmet në Rafah në javën e fundit dhe prej kohësh kërcënon se do ta pushtojë dhe se do të shkatërrojë batalionet e mbetura të Hamasit (grupit të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian).
Vendet perëndimore, përfshirë aleaten më të madhe të Izraelit SHBA-në, i kanë bërë thirrje Izraelit të mos e pushtojë Rafahun, ku më shumë se gjysma e popullsisë e Gazës prej 2.3 milionë banorësh ka kërkuar strehim nga luftimet në pjesët e tjera të territorit.
“Të gjithë palestinezët e Gazës janë të grumbulluar atje. Do të ndodhte katastrofa më e madhe në historinë e popullit palestinez”, tha ai.
Mëngjesin e djeshëm mbetën të vrarë gjashtë persona, përfshirë katër fëmijë, nga një sulm ajror izraelit në Rafah.
Lufta e Izraelit në Gazë ndaj Hamasit nisi më 7 tetor, kur pjesëtarët e këtij grupi vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë dhe rrëmbyen rreth 250 të tjerë gjatë atij një sulmi në jug të Izraelit.
Më shumë se 34.000 palestinezë mbetën të vrarë, prej të cilëve dy e treta fëmijë dhe gra, si pasojë e luftës izraelite në Gazë prej atëherë.
Lini një Përgjigje