
Megjithëse ngjan e pamundur që Trump të përpiqet ta tërheqë SHBA-në nga NATO, ai nuk do të ishte aq bujar sa Biden dhe Harris në ofrimin e ndihmës financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
Analizimi i debatit të parë presidencial midis Joe Biden dhe Donald Trump, bashkë me politikat e tyre përkatëse gjatë mandateve të tyre të para, na ofron një tregues të qartë të kursit të politikave të jashtme të të dyja palëve, nëse secili prej kandidatëve aktualë, Trump apo Hardis, hyn në Shtëpinë e Bardhë në janarin e vitit 2025.
Biden dhe Harris pritet që të vazhdojnë të forcojnë bashkëpunimin me aleatët evropianë dhe të Azisë Lindore, ashtu si dhe me NATO-n, siç kanë bërë në të kaluarën. Ata do të qëndrojnë të palëkundur kundër Vladimir Putinit në luftën në Ukrainë, dhe do të vazhdojnë po mbështetjen e palëkundur për Izraelin në fushatën e tij për të eliminuar Hamasin.
Për më tepër, Harris ka të ngjarë të përqendrohet në frenimin e zgjerimit të ndikimit të Iranit dhe Kinës. Nëse në nëntor do të fitojë Trump, do të ndryshojë dinamika si për aleatët ashtu edhe për kundërshtarët e SHBA-së. Evropa dhe NATO, do të ishin të parat që do t’i përjetonin këto ndryshime.
Në këtë skenar, këto të fundit do të detyroheshin të zgjidhnin midis vazhdimit të luftës dhe kërkimit të paqes me Rusinë. Pra ose duke e vazhduar konfliktin me Putinin në Ukrainë pa mbështetjen e SHBA-së, ose duke negociuar paqen sipas kushteve të Trump.
Megjithëse ngjan e pamundur që Trump të përpiqet ta tërheqë SHBA-në nga NATO, ai nuk do të ishte aq bujar sa Biden dhe Harris në ofrimin e ndihmës financiare dhe ushtarake për Ukrainën.
Nga ana tjetër, Evropa është shumë e vetëdijshme se pa mbështetjen e SHBA-së, asaj i mungon kapaciteti për t’u përballur me kërcënimet aktuale.
Kundërshtimi i Evropës ndaj politikave të Trump, mund ta detyrojë Bashkimin Evropian t’ia lërë Uashingtonit të ardhmen e luftës së Ukrainës, edhe nëse kjo mund të nënkuptojë fitoren e Putinit dhe pranimin e Rusisë si një kërcënim të përhershëm dhe një makth në kufijtë e saj.
Në këto kushte, do të kishim një Evropë ku pavarësisht se janë në konflikt, vendet janë të detyruara të bashkëjetojnë në mënyrë paqësore. Në realitet, një fitore e Trump ka të ngjarë të çojë në një Evropë të dobësuar dhe të fragmentuar në një periudhë afatshkurtër.
Edhe pse një dobësi e tillë mund të jetë e përkohshme, dhe arritja e unitetit të vërtetë midis kombeve evropiane, të cilat nuk janë ende plotësisht të lidhura, do të mbetej një sfidë afatgjatë.
Duke pasur parasysh rritjen e populizmit të ekstremit të djathtë në Evropë, udhëheqja ekonomike dhe politike nuk do ta ketë të lehtë të ecë përpara.
Sidomos protestat e fundit fashiste në Itali, po sinjalizojnë ringjalljen e tensioneve gjeopolitike në Evropë. Pyetja e parë me të cilën do të përballet Evropa pas fitores së Trumpit, është nëse siç sugjeroi edhe Macron, nëse vetëm BE mund të jetë e aftë të sigurojë paqen, dhe nëse demokracia po tërhiqet përballë populizmit të ekstremit të djathtë, duke i hapur rrugën ringjalljes së anti-liberalëve dhe nacionalizmit ksenofob në të gjithë kontinentin.
Trump ka të ngjarë t’i përshkallëzojë edhe më shumë tensionet me Kinën sesa gjatë presidencës së Biden, dhe s’do të hezitojë të ndëshkojë vendet që përpiqen të mbajnë njëkohësisht lidhje të ngushta me Uashingtonin dhe Pekinin. Politikat e Trump ndaj Kinës, do të përbënin një sfidë serioze për ekonominë dhe sigurinë globale.
Për shembull, nëse ai vendos tarifa jo të zakonshme, kompanitë shumëkombëshe mund të detyrohen të kërkojnë alternativa ndaj aktivitetit të tyre në Kinë. Edhe institutet pranë Trump kanë përgatitur lista të rëndësishme masash që mund të zbatohen menjëherë nëse ai fiton një mandat të dytë, shumë prej të cilave kanë një rreze të gjerë në marrëdhëniet tregtare me Kinën.
Në rastin e fitores së Trump, Kina s’do të kishte zgjidhje tjetër përveçse të zgjeronte marrëveshjet shumëpalëshe brenda BRICS dhe Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait. Për më tepër, për të lehtësuat presionet e mundshme nga SHBA-ja dhe Evropa, ajo ka të ngjarë të zgjerojë më tej ndikimin e saj në Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën Latine për të siguruar burimet e energjisë, ato bujqësore dhe lëndët e para, edhe pse veprime të tilla mbartin rreziqe të larta tregtare.
Ndër vendet e Azisë Juglindore, Filipinet, nën udhëheqjen e Ferdinand Marcos Jr., kanë qëndruar vazhdimisht në anën e Shteteve të Bashkuara, pavarësisht reagimeve të Kinës. Vende të tjera të rëndësishme të Azisë Lindore, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë dhe Zelandën e Re, kanë synuar gjithashtu të forcojnë bashkëpunimin me SHBA-në në fushën e sigurisë.
Një fitore e Trump, ka gjasa të rrisë tensionet midis Uashingtonit dhe Pekinit në një nivel të tillë, që edhe qeveritë e Azisë Lindore, zakonisht të afta në balancimin e marrëdhënieve, mund ta kenë të vështirë të ruajnë neutralitetin. Trump ka të ngjarë të rishikojë politikën e tij të normalizimit të marrëdhënieve midis vendeve arabe dhe Izraelit.
Po ashtu, ai mund të detyrohet të përforcojë praninë ushtarake të SHBA në Lindjen e Mesme për të frenuar zgjerimin e ndikimit të Iranit në rajon. Izraelitët dhe e djathta në qeverinë e Netanyahut, aktualisht të zhytur kokë e këmbë në luftën e Gazës, shpresojnë për një fitore të dytë të Donald Trump.
Ata besojnë se ai do t’i jepte Izraelit lejen për ta shkatërruar plotësisht Hamasin dhe nuk do të këmbëngulte në krijimin e një shteti palestinez. Po ashtu, shpresojnë që Trump do të qëndrojë i vendosur kundër ambicieve ekspansioniste të Iranit. Për Donald Trump, vendet arabe të përfshira në krizën e Gazës mund të përfaqësojnë aleatët e vjetër por edhe sfida të reja.
Këto kombe janë të pasigurta nëse mund të mbajnë marrëdhënie miqësore me Trump dhe republikanët, teksa synojnë normalizimin e raporteve me Tel Avivin në mesin e luftës së Gazës.
Interesi i shprehur nga Trump për negociata me Iranin përpara një fitoreje të mundshme, mund të përbëjë një sfidë të rëndësishme për marrëdhëniet e SHBA-së me vendet arabe.
Në realitet, një fitore e Trump - e shoqëruar me shumë gjasa nga vazhdimi i luftërave në Ukrainë dhe Gaza - do të sillte ndryshime të rëndësishme në dinamikën globale. Çdo vendim i keq-menduar nga Shtëpia e Bardhë në lidhje me krizat aktuale apo ato në zhvillim, mund ta ndërlikojë më tej situatën dhe ta bëjë botën edhe më pak të sigurt.
Kjo ndjenjë pasigurie në rritje, do t’i nxiste kombet të shtonin armatimin e tyre, duke e ndarë potencialisht botën në dy blloqe ushtarake që të kujtojnë Luftën e Ftohtë. Megjithatë, në dallim nga e kaluara, ku Lufta e Ftohtë shërbente si një zëvendësuese e konfliktin e drejtpërdrejtë ushtarak, krizat e pazgjidhura aktuale mund ta shtyjnë botën drejt një lufte botërore, me fuqitë e mëdha ushtarake që tani po përfshihen në gara armatimesh, të cilat mund të përfshijnë në fund edhe një konflikt bërthamor.
Duke pasur parasysh historinë e Evropës me luftërat e shumta që çuan në Luftën e Parë dhe të Dytë Botërore, ka të ngjarë që me urdhrin e Putin të vihen në gatishmëri armët bërthamore taktike kundër aleatëve evropianë në luftën e Ukrainës. Kështu Evropa mund të bëhet pikënisja e konfliktit bërthamor, në rast se nuk do të gjejë dot zgjidhje politike në vitet e ardhshme për t’i dhënë fund kësaj lufte.
Në një skenar të tillë, sulmi fillestar me armë bërthamore mund të jetë shumë mirë edhe i fundit, me Evropën dhe Rusinë që do të ekzistojnë vetëm në librat e historisë, dhe me shkatërrimin e një pjese të madhe e Shteteve të Bashkuara. Në atë pikë, nuk do të kishte më asnjë rëndësi nëse president do jetë Harris apo Trump, pasi gjatë viteve 2024-2028 secili prej tyre do të duhej të vendoste mes paqes dhe luftës bërthamore./Përshtati "Pamfleti", nga “Modern Diplomacy”
Shënim: Sara Neumann, politologe e specializuar në marrëdhëniet ndërkombëtare, studimet e sigurisë dhe politikën e Lindjes së Mesme.
Lini një Përgjigje