Teherani thotë se fokusi i bisedimeve nuk është programi bërthamor, por përfundimi i luftës dhe ndalimi i sulmeve izraelite në rajon
Irani deklaron se është arritur njëfarë progresi në disa prej çështjeve që po diskutohen me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës, por vlerëson se një marrëveshje nuk është ende “e afërt”, kryesisht për shkak të mungesës së besueshmërisë ndaj Uashingtonit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, foli në një konferencë për shtyp mbi pikat kryesore të një marrëveshjeje të mundshme mes Iranit dhe SHBA-së për ndalimin e konfliktit. “Është e drejtë të thuhet se kemi arritur në përfundime për një pjesë të madhe të çështjeve që po diskutohen”, deklaroi ai.
Në vijim, Baghaei shtoi se “por të thuhet se kjo do të thotë se nënshkrimi i një marrëveshjeje është i afërt? Askush nuk mund ta bëjë një deklaratë të tillë”.
Sipas informacioneve që qarkullojnë, drafti i mundshëm i marrëveshjes parashikon zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë, rihapjen e ngushticës së Hormuzit për anijet ndërkombëtare dhe vazhdimin e negociatave për programin bërthamor të Iranit, i cili mbetet një nga çështjet më të debatueshme.
Megjithatë, marrëveshja duhet të miratohet nga udhëheqja iraniane, përfshirë liderin suprem Mojtaba Khamenei, i cili sipas raportimeve mbetet i vështirë për t’u kontaktuar, çka mund të vonojë procesin.
Baghaei vuri në dyshim edhe besueshmërinë e SHBA-së, duke deklaruar se nuk ekzistojnë “garanci” që Uashingtoni do të respektojë çdo marrëveshje që mund të arrihet.
Ai kujtoi se si lufta aktuale mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit, ashtu edhe konflikti 12-ditor i nisur nga Izraeli qershorin e kaluar, ndodhën në periudhën kur Teherani dhe Uashingtoni zhvillonin bisedime për programin bërthamor iranian.
Sipas zëdhënësit iranian, fokusi i fazës aktuale të negociatave nuk është “çështja bërthamore”, por “përfundimi i luftës”, duke përfshirë edhe sulmet izraelite ndaj Libanit.
Lini një Përgjigje