TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Shkurt 2026, 20:16

Prag bisedimesh për paqe, 12 viktima nga sulmi rus ndaj autobusit në Ukrainë

Shkruar nga Pamfleti
Prag bisedimesh për paqe, 12 viktima nga sulmi rus ndaj autobusit në
Pamje nga sulmi rus

12 persona humbën jetën dhe shtatë të tjerë mbetën të plagosur si pasojë e një sulmi rus me dron ndaj një autobusi që transportonte punëtorë të një miniere në rajonin Dnipropetrovsk të Ukrainës.

Sipas Shërbimit Shtetëror të Emergjencave të Ukrainës, autobusi i përkiste një kompanie dhe u godit në zonën e Pavlogradit.

Autobusi u shkatërrua plotësisht ndërsa trupa viktimash ndodheshin përpara mjetit. Të plagosurit janë dërguar në spital dhe ndodhen nën kujdes mjekësor. Policia njoftoi se sulmi ndodhi në qytetin Ternivka, pranë Pavlogradit, rreth 70 kilometra larg vijës së frontit.

Kompania DTEK, ofruesi më i madh privat i energjisë elektrike në Ukrainë, konfirmoi se punonjës të saj në një nga minierat e kompanisë ishin objektivi i sulmit. Sipas DTEK, të gjithë viktimat ishin punëtorë që po ktheheshin nga turni i punës. Kompania raportoi për 15 të vdekur dhe shtatë të plagosur, një bilanc që ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet ukrainase.

“Armiku kreu sot një sulm cinik dhe të qëllimshëm ndaj punonjësve të sektorit energjetik në rajonin e Dnipropetrovskut”, deklaroi ministri ukrainas i Energjisë, Denys Shmyhal.

Sulmi ndodhi vetëm disa orë pasi presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi se javën e ardhshme pritet të zhvillohet një raund i dytë bisedimesh trepalëshe mes Ukrainës dhe Rusisë, me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.

Ndërkohë, më herët gjatë ditës, autoritetet rajonale raportuan se të paktën nëntë persona u plagosën nga sulme ruse ndaj një materniteti dhe një ndërtese banimi në qytetin juglindor të Zaporizhias.

Lini një Përgjigje