Vetëm një muaj pas rizgjedhjes së tij, Donald Trump ka riformuar në mënyrë dramatike ekuilibrin global të fuqisë, duke ngritur pikëpyetje për të ardhmen e sigurisë evropiane dhe vetë aleancën perëndimore.
Deklaratat e fundit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, po shkaktojnë reagime të forta në Evropë dhe po prishin ekuilibrin në marrëdhëniet e sigurisë transatlantike që janë formuar që nga viti 1945. Trump akuzoi Ukrainën për "fillimin" e luftës me Rusinë, një deklaratë që tronditi aleatët evropianë të SHBA-së. Amerika e Donald Trump tani është një aleate e Rusisë së Vladimir Putinit, thotë Politico në një analizë .
Një zyrtar i qeverisë britanike u përgjigj shkurt duke thënë "Jezus", ndërsa një tjetër diplomat evropian tha në mënyrë anonime: "Ne kemi një president rus që dëshiron të shkatërrojë Evropën dhe një president amerikan që gjithashtu dëshiron të shkatërrojë Evropën. Aleanca transatlantike ka përfunduar”.
Trump vazhdoi deklaratat e tij agresive, duke e quajtur presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky një "diktator" dhe duke shprehur indiferencën ndaj rezultatit të luftës: "Kjo luftë është shumë më e rëndësishme për Evropën sesa për ne. Ne kemi një oqean të madh e të bukur që na ndan."
Qëndrimi i Trumpit po shkakton shqetësim të madh në Bruksel, pasi, siç u bë e ditur, gjatë bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Arabinë Saudite, u diskutuan çështje “shqetësuese”, si sanksionet ndaj Rusisë dhe bashkëpunimi i ardhshëm energjetik.
Evropa reagon
Udhëheqjet e partive kryesore pro-evropiane në Parlamentin Evropian lëshuan një deklaratë të përbashkët, në të cilën theksojnë: "Evropa nuk mund të mbështetet plotësisht tek Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur vlerat dhe interesat tona të përbashkëta". Ata bëjnë thirrje për rritje të shpenzimeve ushtarake dhe forcimin e mbrojtjes evropiane.
Megjithatë, nuk ka një qëndrim të unifikuar mes forcave politike. Partia e kryeministrit italian Giorgia Meloni nuk e ka nënshkruar deklaratën, me arsyetimin se nevojitet “dialog i qetë dhe i matur”. Në Mbretërinë e Bashkuar, ish-kryeministri Boris Johnson u përpoq të minimizonte rëndësinë e deklaratave të Trump, duke thënë se qëllimi i tij ishte të shtynte evropianët në veprime më të mëdha.
Ndërkohë, në Poloni, zyrtarët e qeverisë po përpiqen ta interpretojnë qëndrimin e Trump si presion ndaj Evropës për të marrë më shumë përgjegjësi për sigurinë e saj.
Përçarja diplomatike, Evropa jashtë negociatave
Një nga problemet më të mëdha që shfaqet është se, ndërkohë që SHBA dhe Rusia po negociojnë, Evropa dhe Ukraina nuk kanë as një vend në tryezë.
Ursula von der Leyen ende nuk ka folur drejtpërdrejt me Trump, ndërsa presidenti ukrainas Zelensky ka ofruar të shkëmbejë aksesin në mineralet ukrainase për mbështetje të mëtejshme ushtarake, një propozim që duket se ka çuar në kërkesat e SHBA-së për akses në mineralet në "këmbim" të ndihmës që tashmë është ofruar.
Zyrtarët evropianë kanë frikë se aleanca transatlantike ka pësuar një goditje të pariparueshme. Analistët theksojnë se Rusia nuk ka ndërmend të kufizohet vetëm në Ukrainë, por synon të zgjerojë ndikimin e saj në vendet ish-sovjetike, duke përfshirë shtetet baltike. Në të njëjtën kohë, Trump ka lënë tashmë të hapur mundësinë e veprimeve ushtarake për të përvetësuar pasurinë minerale të Grenlandës, madje duke ngritur skenarë të konfliktit të armatosur brenda NATO-s.
Vetëm një muaj pas rizgjedhjes së tij, Donald Trump ka riformuar në mënyrë dramatike ekuilibrin global të fuqisë, duke ngritur pikëpyetje për të ardhmen e sigurisë evropiane dhe vetë aleancën perëndimore./ Politico
Lini një Përgjigje