
Rivaliteti midis Romës dhe Parisit është rindezur pas vrasjes së aktivistit të krahut të djathtë, Quentin Deranque, i cili u shndërrua në simbolin e një Evrope të mbërthyer nga lufta ideologjike. Kryeministrja italiane e pozicionon veten si gardiane të një rendi të kërcënuar, ndërsa kreu i Elizesë refuzon me prerje çdo ndërhyrje të jashtme. Në sfond shfaqet një Bashkim Evropian që, gjithnjë e më shumë, ngjan me një fushë betejash simbolike sesa me një hapësirë të përbashkët vlerash.
Giorgia Meloni ndjen një “klimë urrejtjeje ideologjike në rritje, e cila ka përfshirë disa kombe dhe që përbën një plagë për mbarë Evropën”. Kështu u shpreh ajo teksa komentonte vrasjen barbare të Quentin Deranque, militantit të krahut të djathtë, i cili humbi jetën javën e kaluar në Lion nga dora e një bande ekstremistësh të majtë, disa prej të cilëve kishin lidhje të drejtpërdrejta me lëvizjen France Insoumise.
Duke u distancuar nga dhuna brutale e ndodhur në Mineapolis, SHBA, kryeministrja italiane e lidh krimin e Lionit me një rrymë urrejtjeje që “po përshkon disa kombe”. Megjithëse Meloni nuk e thotë hapur nëse ky fenomen ka prekur edhe Italinë, ka gjasa që mendja e saj të jetë te trazirat e fundit në Torino. Pra, ajo po e shndërron incidentin e Lionit në një metaforë të një konflikti mbarëevropian.
Kjo pasqyron një tension që ajo e përjeton personalisht, veçanërisht në një fazë tejet të nxehtë të përplasjes politike të brendshme, ndonëse kjo e fundit mbetet ende brenda kornizave paqësore. Në këtë peizazh të tensionuar dhe të paqëndrueshëm, Meloni luan lëvizjen e saj strategjike.
Ajo e transformon Lionin në një simbol, e integron Francën në narrativën e një Evrope të kapluar nga lufta ideologjike dhe e shpall veten mbrojtëse të një rendi të rrezikuar. Kjo strategji i flet drejtpërdrejt bazës së saj elektorale dhe sfidon hapur kundërshtarët.
Megjithatë, këtu fshihet një rrezik: kur politika evropiane kthehet në një teatër konflikti të përhershëm, pasojat mund të jenë të paparashikueshme. Njëkohësisht, kjo është një mënyrë për të shfaqur solidaritet me të djathtën franceze, ashtu siç bëri 6 muaj më parë me të djathtën amerikane.
Por kufiri midis solidaritetit dhe shfrytëzimit politik mbetet i paqartë. Në fakt, deklarata e Melonit shkaktoi shumë zemërim te Emmanuel Macron. Marrëdhëniet e tensionuara midis udhëheqësve të Francës dhe Italisë janë tashmë të njohura, dhe presidenti francez u tregua i pamëshirshëm.
“Më bëjnë gjithmonë përshtypje nacionalistët, që nuk duan t'i shqetësojë askush në shtëpinë e tyre, por rendin të parët për të komentuar atë që ndodh në shtëpinë e tjetrit”- u shpreh ai.
Ndoshta një reagim i tepruar, duke konsideruar rrethanat, por konteksti është i qartë. Kryeministrja italiane po paguan koston e të qenit “përfaqësuesja e Trumpit në Evropë”. Vetëm dje, Antonio Tajani, zëvendëskryeministër dhe Ministër i Jashtëm,
u shfaq krah manjatit amerikan për të “vëzhguar” certifikimin tragjikomik të të ashtuquajturit Bord i Paqes, duke e pozicionuar Melonin si kundërshtaren kryesore të Macron-it.
Meloni po përballet me pasojat e kësaj armiqësie, e cila, ndonëse artikulohet prerë nga presidenti francez, ndahet gjerësisht nga pjesa tjetër e Evropës (me përjashtim të Viktor Orbán). Ajo duket se është zhytur në një izolim të paprecedent evropian, në emër të besnikërisë ndaj liderit të Uashingtonit.
Natyrisht, nervozizmi i Elizesë ka një shpjegim të qartë politik të brendshëm. Vrasja e Quentin Deranque nga anëtarë të rrethit të Raphaël Arnault - pjesë e France Insoumise të Jean-Luc Mélenchon - ka hapur një kapitull të ri në Francë.
E djathta ka bërë thirrje për një “kordon sanitar” anti-Mélenchon, ndërsa ish-presidenti François Hollande konfirmoi se marrëdhëniet midis socialistëve dhe France Insoumise janë ndërprerë përfundimisht.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojnë zgjedhjet lokale të marsit. A do të ndëshkohet partia e Mélenchon nga votuesit, apo do të shërbejë si mbështetje për socialistët, duke shpëtuar ndoshta edhe makronistët nga një humbje e paralajmëruar?
Sot, France Insoumise perceptohet si një forcë politike me qëndrime të paqarta ndaj dhunës, dhe për rrjedhojë është e pabesueshme. Ndoshta tashmë edhe simpatizantët e Mélenchon-it do ta kuptojnë pse Macron bëri gjithçka për t’i përjashtuar ata nga qeveria.
Mundësia që një aleancë demokratike (pa përfshirjen e ekstremit të majtë) të bllokojë koalicionin e Jordan Bardella-s në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm është e vështirë, por duket rruga e vetme e mbetur.
Pjesa tjetër është thjesht propagandë. Pyetja që mbetet pezull është: A është Evropa ende një projekt i përbashkët, apo është shndërruar në një arenë simbolike ku çdo udhëheqës ndjek interesat e veta kombëtare?
Meloni ka zgjedhur të lundrojë nëpër këtë kthesë të rrezikshme. Nga ana tjetër, Macron, po i kujton se hapësira për manovrim është tejet e ngushtë. Vendimin përfundimtar do ta japin votuesit, si në Francë, ashtu edhe në Itali./Përshtati Pamfleti nga “Linkiesta”
Lini një Përgjigje