Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump ndodhet në Nju Jork, ndërsa përgatitet të përballet me akuza penale, akuza këto për herë të parë ndaj një udhëheqësi të Shtëpisë së Bardhë.
Trump ka qenë nën hetim për paratë e heshtura të paguara pak para zgjedhjeve të vitit 2016 për një yll pornografik që thotë se ata kishin bërë seks. Trump, 76 vjeç, është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me një çështje penale.
Sot në mëngjes, dhjetëra policë dhe oficerë të gjykatës, si dhe agjentë të Shërbimit Sekret pritet të shoqërojnë Trump nëpër rrugët e Nju Jorkut në kompleksin e gjykatave në Manhatan.
Akuzat me të cilat ai përballet do të bëhen të plota në seancën dëgjimore, e cila është caktuar për rreth orës 14:15 me orën lokale . Avokatët e tij tashmë kanë thënë se ai do të deklarohet i pafajshëm.
Ish-presidenti pritet që fillimisht të dorëzohet në zyrën e prokurorit të qarkut të Manhatanit, Alvin Bragg. Më pas ai do të shkojë në gjykatë - që do të thotë se akuzat do të lexohen dhe ai do të deklarohet.
Trump ka qenë nën hetim për një transfertë bankare prej 130,000 dollarësh nga ish-avokati i tij, Michael Cohen, te ylli i filmave për të rritur, Stormy Daniels, përpara zgjedhjeve presidenciale të 2016-ës.
Ndërkohë gjykata ka ndaluar përdorimin e pajisjeve dixhitale në sallën e gjyqit për seancën dëgjimore të Donald Trump, por do të lejojë disa fotografë përpara se të fillojë gjyqi.
Gjykatësi tha se celularët dhe laptopët nuk mund të përdoren në sallën e gjyqit gjatë seancës së ish-presidentit amerikan.
Kamerat do të lejohen në korridor përpara se të fillojë gjyqi, tha gjykatësi Merchan.
Urdhri vjen pasi ekipi ligjor i Trump i kërkoi gjykatësit Merchan të refuzonte një kërkesë nga organizatat e medias për të lejuar aksesin e tyre gjatë seancës.
Ish-Presidenti Donald Trump mbërriti të hënën në Nju Jork, përpara dorëzimit të tij tek autoritetet dhe paraqitjes para gjykatës.
Ndërkohë qyteti më i madh i vendit, New York është përfshirë nga masa të forta sigurie dhe autoritetet paralajmëruan të gjithë ata që synojnë të shkaktojnë shqetësime se "Nju Jorku nuk është një arenë për të shfryrë zemërimin e tyre”.
Trump dhe mbështetësit e tij kanë kritikuar hetimet si dhe padinë penale të ngritur kundër tij, që rrjedh nga një pagesë për të siguruar heshtjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, bërë në ditët e fundit të fushatës presidenciale të zotit Trump në vitin 2016. Kthimi i tij në këtë qytet, hap një kapitull të paprecedentë në historinë amerikane. Zoti Trump është ish-presidenti i parë që përballet me akuza penale ndërsa ai ndodhet në mesin e një fushate të tretë për Shtëpinë e Bardhë.
Deri më tani, zyrtarët nuk kanë parë një fluks njerëzish që vijnë në qytet, sikurse ishte rasti në Uashington në ditët para sulmit të dhunshëm të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.
Megjithatë, autoritetet paralajmëruan se mbajtja e një arme pranë zonave të caktuara të qytetit, përfshirë gjykatat, do te konsiderohej një vepër penale.
Lini një Përgjigje