
Friedrich Merz, kancelari i Gjermanisë, po përballet me të njëjtat probleme si homologia italiane, Georgia Meloni, lidhur me azilkërkuesit.
E ndërsa Meloni prej muajsh po aplikon edhe qendrat e pritjes së emigrantëve në një vend të 3-të sikundër është Shqipëria me synim uljen e numrit të azilkërkuesve në Itali, Merz është përballur me një bllokadë nga Gjykata Administrative e Berlinit, sipas të cilës, refuzimi i azilkërkuesve nga kontrollet kufitare në territorin gjerman është i paligjshëm.
Kushdo që aplikon për azil në një kontroll kufitar në tokën gjermane nuk mund të kthehet direkt – së pari duhet të ndiqet e ashtuquajtura procedurë e Dublinit për të përcaktuar se cili vend i BE-së është përgjegjës për procesin e azilit.
Sipas Bild, tre somalezë, dy burra dhe një grua, kishin ngritur padi.
Ata mbërritën në Gjermani me tren nga Polonia më 9 maj dhe kërkuan azil. Policia Federale i kontrolloi ata në stacionin e trenit të Frankfurtit (Oder) dhe i deportoi përsëri në Poloni po atë ditë.
“Pikëpamja jonë është se tani do t’i zvogëlojmë ndjeshëm këto shifra. Nuk duhet të jetë një numër gjashtëshifror. Qytetet, komunitetet, shkollat, spitalet dhe infrastruktura jonë janë të mbingarkuara”, tha Merz së fundmi në një intervistë me transmetuesin publik gjerman ARD.
Kancelari kishte siguruar se ajo që kishte thënë për refuzimin e azilkërkuesve në kufi ishte e vërtetë.
“Kjo do të ndodhë”, këmbënguli ai dhe vuri në dukje se koordinimi me vendet fqinje ishte tashmë në proces.
Në fakt, ai theksoi se “pret një gatishmëri për të bashkëpunuar nga ana e tyre”.
Për të kufizuar numrin e kërkesave për azil, qeveria e re gjermane synon të deportojë më shumë njerëz dhe të pezullojë ribashkimin familjar, siç është rënë dakord në marrëveshjen kornizë, shtoi ai.
Lini një Përgjigje