
Dy persona kanë humbur jetën nga një shpërthim në urën e Krimesë, sipas mediave ukrainase dhe ruse. Sipas agjencisë Rbc Ukraine dhe kanalit pro-rus Gray Zone, shpërthimet ndodhën në orën 3:04 dhe 3:20 me orën lokale.
Sipas autoriteteve ruse, qarkullimi në urën e Krimesë është ndërprerë gjatë natës pa specifikuar natyrën e aksidentit.
"Qarkullimi është ndërprerë në Urën e Krimesë: një emergjencë ka ndodhur në zonën e mbështetjes 145 nga rajoni Krasnodar; agjencitë e zbatimit të ligjit dhe të gjitha shërbimet përgjegjëse janë në punë", shkroi udhëheqësi rajonal Sergey Aksyonov në Telegramin e tij, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Sakaq, autoritetet turke shpresojnë se marrëveshja e grurit që skadon sot mund të zgjatet. Këtë e ka bërë të ditur nënpresidenti turk Cevdet Yilmaz.
"Ne vazhdojmë përpjekjet për të zgjatur marrëveshjen. Vizita e planifikuar e presidentit rus Putin në Turqi mund të konsiderohet pozitive në këtë kuptim, shpresoj se do të ketë rezultate pozitive", tha ai gjatë një interviste televizive.
Ura e Kerçit u hap në vitin 2018 dhe mundëson udhëtimin rrugor dhe hekurudhor midis Rusisë dhe Krimesë - territor ukrainas i pushtuar nga forcat e Moskës që nga viti 2014.
Ministria e Transportit e Rusisë tha se mbështetëset e urës nuk u dëmtuan.
Ministria njoftoi se hetimet po vazhdojnë, por raportet e pakonfirmuara thanë se shpërthimet u dëgjuan herët të hënën.
Ky është incidenti i dytë i madh në urën e Kerçit. Në tetor të vitit 2022, ura e cila është një rrugë e rëndësishme furnizimi u mbyll pjesërisht pas një shpërthimi të madh. Ajo u rihap plotësisht në shkurt.
Lini një Përgjigje