
Në letër, ambicia izraelite për një “Lindje të Mesme të re” synon të sjellë stabilitet në një rajon të përfshirë nga konfliktet për më shumë se dy vjet. Në praktikë, ky projekt synon të garantojë sigurinë e Izraelit dhe të forcojë hegjemoninë e tij në rajon.
Normalizimi i marrëdhënieve me disa vende arabe, me në krye Arabinë Saudite, por gjithashtu Sirinë dhe Libanin, është pjesë kyçe e kësaj strategjie, e ndërtuar mbi modelin e marrëveshjeve të Abrahamit të nënshkruara në vitin 2020 gjatë mandatit të parë të Donald Trump.
Ky front izraelito-arab, për të cilin Tel Avivi ka lobuar fort, shihet si mjet për të dobësuar më tej Iranin, tashmë i goditur rëndë nga rënia e “Boshtit të Rezistencës” dhe nga lufta 12-ditore që ka çaktivizuar aparatin e tij ushtarak dhe ngadalësuar programin bërthamor.
Përpjekje për pajtim, por me çmim të lartë
Sipas burimeve izraelite, një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Arabinë Saudite është afër dhe përfshin ndërprerjen e luftës në Gaza brenda dy javësh, lirimin e pengjeve, dëbimin e udhëheqësve të Hamasit dhe emigrimin vullnetar të palestinezëve. Menaxhimi i Gazës do t’i besohej katër vendeve arabe, përfshirë Egjiptin dhe Emiratet. Në këmbim, SHBA-të do të njihnin një sovranitet të kufizuar të Izraelit në Bregun Perëndimor, ndërsa Tel Avivi do të pranonte, nën kushte, një zgjidhje me dy shtete.
Megjithatë, normalizimi nuk është aq i mirëpritur nga vendet arabe sa mendojnë disa në Izrael.
“Ka një perceptim të gabuar në Izrael se sauditët duan normalizim pa ndonjë kusht të madh”, thotë Robert Geist Pinfold nga Peace Research Center në Pragë.
“Në të vërtetë, me luftën në Gaza që vazhdon dhe dhjetëra mijëra viktima, kushtet që do të vendosen për normalizimin do të jenë më të ashpra se kurrë.”
Siria dhe Libani – aktorë të dobësuar, por ende të kujdesshëm
Në Siri, udhëheqja e re e përkohshme e Ahmad el-Chareh po tregon hapje ndaj procesit të normalizimit, duke parë në të një rrugë për të ndalur sulmet ajrore izraelite dhe për të nxitur stabilitetin dhe rindërtimin pas një dekade lufte. Për Damaskun, një marrëveshje me Izraelin mund të nënkuptojë largimin e trupave izraelite nga jugu i vendit, si dhe afrimin me Perëndimin, çka do të sillte përfitime ekonomike.
Megjithatë, rreziku i brendshëm mbetet i lartë. El-Chareh ka shpëtuar disa herë nga atentatet, ndërsa nuk i ka nën kontroll të plotë grupet radikale që dikur ishin aleatë të tij. Çështja e Lartësive të Golanit, për të cilat Izraeli thotë se nuk do t’i kthejë, mbetet një pengesë serioze për çdo paqe të plotë.
Në Liban, situata është edhe më e brishtë. Me më shumë se 4 mijë të vrarë në dy vitet e fundit nga ofensiva izraelite dhe një popullatë thellësisht e polarizuar, qeveria në Bejrut ka zgjedhur një qasje të kujdesshme. Çështja e çarmatimit të Hezbollahut është ende pa zgjidhje dhe çdo hap drejt Tel Avivit mund të ndezë konflikte të reja.
Një “Pax Hebraica” me themele të lëkundur
Ndërsa Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shtyjnë aleatët e tyre arabë drejt këtij projekti, shumë ekspertë shprehen skeptikë për qëndrueshmërinë e tij.
“Projekti i sigurisë rajonale duhet të jetë i përbashkët dhe reciprok. Në këtë rast, është thjesht një projekt hegjemonik i Izraelit”, thotë Joseph Bahout nga Universiteti Amerikan i Bejrutit.
Madje, për vendet e Gjirit, që duan të ruajnë epërsinë e tyre strategjike dhe janë të armatosura me fonde të mëdha, mbetet për t’u parë nëse do të pranojnë një rol dytësor.
Arabia Saudite ka kërkuar një pakt sigurie të avancuar me SHBA, që përfshin edhe zhvillimin e një programi bërthamor civil. Kjo mund të krijojë tensione me Izraelin, që kërkon të mbetet fuqia ushtarake dominante në rajon.
Plani për një Lindje të Mesme të re është ambicioz, por mbetet i diskutueshëm. Në një rajon ende të “përflakur” nga konfliktet, paqja e vërtetë më shumë se marrëveshje të ndërmjetësuara nga jashtë do të kërkojë besim, përfshirje të ndërsjellë dhe barazi në tryezën e negociatave./ L’Orient–Le Jour
Lini një Përgjigje