
Nuk do të ishte e habitshme nëse brenda pak ditësh do arrihej një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, e pasuar me një marrëveshje paqeje afatgjatë që do t'i jepte fund konfliktit 3-vjeçar.
Presidenti rus, Vladimir Putin është shprehur optimist për idenë e një armëpushimi mes Rusisë dhe Ukrainës por me kushtin që kjo të dërgojë më pas në një paqe afatgjatë.
“Ne pajtohemi me propozimin për ndërprerjen e armiqësive, por ai duhet të çojë në paqe të qëndrueshme dhe të heqë shkaqet themelore të kësaj krize”, u shpreh Putin.
Putin e vlerësoi idenë e SHBA-së si "të shkëlqyer dhe korrekte" dhe tha se Rusia e mbështet atë në teori, por shtoi se ka shumë gjëra që ende duhen diskutuar përpara se të arrihet një marrëveshje.
Gjatë konferencës së tij për shtyp të enjten, Putin tha se ai ka "rezerva" për një propozim armëpushimi 30-ditor në luftën në Ukrainë, duke thënë se nuk është e qartë se si do të zhvillohet situata në rajonin e Kurskut dhe gjetkë nëse zbatohet një armëpushim.
Putin vazhdoi të ngrinte shumë pyetje në lidhje me një armëpushim të mundshëm, duke përfshirë mënyrën se si do të verifikohej.
"Kush do të japë urdhra për të ndërprerë armiqësitë dhe sa do të vlejnë këto urdhra? Kush do të vendosë se ku ka ndodhur një shkelje e marrëveshjes së mundshme të armëpushimit përgjatë 2000 Km të kufirit midis Rusisë dhe Ukrainës. Të gjitha këto çështje duhet të studiohen me kujdes nga të dyja palët", tha Putin.
Ai tha gjithashtu se “ndoshta” do të telefononte Presidentin e SHBA Donald Trump për të diskutuar më gjerë për propozimin.
“Ideja e një armëpushimi është e mirë dhe ne absolutisht e mbështesim atë, por ka çështje që duhet t'i diskutojmë. Ne duhet të negociojmë me kolegët dhe partnerët tanë amerikanë dhe ndoshta të kemi një telefonatë me presidentin amerikan Donald Trump. Vetë ideja për t'i dhënë fund këtij konflikti me mjete paqësore, ne e mbështesim atë”, shtoi Putin.
Megjithatë, Putin dhe homologu i tij amerikan Donald Trump nuk pritet të flasin me njëri-tjetrin të enjten, tha zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov për CNN.
Vlen të theksohet se kjo është një shenjë pozitive pak orë para se i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff dhe delegacioni rus të diskutojnë në Moskë, pikërisht për propozimin e armëpushimit të mbështetur nga SHBA për Ukrainën. Nuk do të ishte e habitshme nëse brenda pak ditësh do arrihej një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, e pasuar me një marrëveshje paqeje afatgjatë që do t'i jepte fund konfliktit 3-vjeçar./Pamfleti
Lini një Përgjigje