TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Janar 2025, 14:03

Papa Françesku kritikon ashpër sulmet izraelite: Situata në Gaza, e turpshme!

Shkruar nga Pamfleti

Papa Françesku kritikon ashpër sulmet izraelite: Situata në

Papa Françesku ka kritikuar ashpër sulmet izraelite në Gaza, duke e quajtur situatën humanitare në enklavën palestineze si “serioze dhe të turpshme”.

Papa Françesku iu referohej vdekjeve të shkaktuara nga i ftohti në Gazë, territor ku pothuajse nuk ka fare energji elektrike.

“Ne nuk mund të pranojmë në asnjë mënyrë bombardimin e civilëve. Ne nuk mund të pranojmë që fëmijët të ngrijnë për vdekje sepse spitalet janë shkatërruar apo se është sulmuar rrjeti energjetik i vendit”, u tha në fjalimin e Papës, që u lexua nga këshilltari i tij.

Pritej që Papa të mbante fjalimin personalisht, por i kërkoi një këshilltari të tij që ta bënte në emër të tij, pasi Ati i Shenjtë është duke u rikuperuar nga një ftohje.

Fjalimi ishte pjesë e adresimit para emisarëve të akredituar në Vatikan nga afër 184 shtete. Ambasadori izraelit në Selinë e Shenjtë ishte i pranishëm në këtë ngjarje.

Françesku zakonisht është i kujdesshëm që të mos mbajë anë në konflikte. Por, së fundi ai ka qenë më i zëshëm për fushatën ushtarake të Izraelit në Gazë dhe ka sugjeruar që komuniteti global duhet të hetojë nëse ofensiva përbën gjenocid ndaj popullit palestinez.

Në dhjetor, një ministër izraelit kundërshtoi publikisht sugjerimin e Atit të Shenjtë.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor 2023, pasi Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi jugun e Izraelit duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë

Fushata hakmarrëse ushtarake e Izraelit në Gazë ka lënë të vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor. Kjo ministri ka thënë se mbi gjysma e viktimave ishin gra dhe fëmijë.

Izraeli pretendon se ka vrarë më shumë se 17.000 militantë, por nuk ka dhënë prova për këtë pretendim.

Izraeli ka shkatërruar pjesë të mëdha të territorit dhe lufta ka detyruar afër 90 për qind të popullsisë, prej 2.3 milionë banorësh, që të zhvendosen, shpesh disa herë./REL

Lini një Përgjigje