Kombinimi i krizës politike dhe ekonomike, i nxitur edhe nga rritja e ndjeshme e ekstremit të djathtë, stimulon mosveprimin e Gjermanisë nga rolet kryesore që ajo ka në Evropë dhe në nivel global, duke u mbyllur brenda vetes dhe mbetur peng i tragjedinë e saj ekzistenciale si një vend që pas një shekulli, e gjen sërish veten në pragun e një vorbulle të rrezikshme.
Tridhjetë e pesë vjeç, ish-kryetar i Forumit Rinor të Partisë Socialdemokrate (SPD), përfaqësues i fraksionit më të majtës brenda partisë, dhe me një qëndrim kundër koalicioneve të mëdha me qendrën e djathtë si në kohën e ish-kancelares Angela Merkel, ashtu edhe në të ardhmen.
Kevin Kühnert, sekretari i partisë së kancelarit aktual Olaf Scholz u largua nga detyra që mbante por edhe politika pak ditë më parë, për shkak të problemeve shëndetësore të paspecifikuara. Akti i tij, përfaqëson një shenjë tjetër të krizës së rëndë që ka përfshirë koalicionin qeveritar në Gjermani.
Në debatet kombëtare, rasti i tij po diskutohet si një shembull tipik se sa shumë mund të dëmtojë politika. Dhe në të është i pashmangshëm kujtimi i imazheve të ish-kancelares Merkel duke u dridhur në mënyrë të pakontrolluar, pak muaj para se të përfundonte mandatin e saj të fundit në vitin 2021.
Kühnert do të zëvendësohet nga Matthias Miersch, 55 vjeç. Ky është sërish një përfaqësues i fraksionit të majtë, dhe do të duhet të përballet me të njëjtën enigmë si paraardhësi i tij:Si të ringjallet një forcë politike, e cila në sondazhe renditet 15 për qind mbështetje më pak se sa CDU-ja, partia e qendrës së djathtë, e cila synon të fitojë zgjedhjet parlamentares të vitit të ardhshëm në një aleancë gjithnjë e më të fortë me CSU, dhe që këtë arsye nuk lë të kalojë asnjë ditë pa kërkuar zgjedhje të parakohshme?
Ndoshta këtë herë bashkimi i dy forcave politike të djathta, që në fakt kanë bashkëpunuar prej dekadash në Gjermani, nuk do të mjaftojë për t’i dhënë fitoren. Aq më tepër që si kreu i CSU-së, Markus Soeder, ashtu edhe ai i CDU-së, Friedrich Merz, e përjashtojnë aleancën me të Gjelbrit, një opsion i mundshëm në letër për të formuar një shumicë qeveritare.
Por për momentin, kjo temë është tabu. Soeder dhe Merz janë të kënaqur me sondazhet, që i shohin ata në krye. Prandaj po përpiqen të mbrohen nga hija vërtet e madhe që është ngritur tani mbi politikën gjermane:rritja e pandalshme e AfD, Alternative fur Deutschland, e ultra-nacionalistëve që janë gjithnjë e më të paskrupullt, madje në përzgjedhjen e kandidatëve të tyre.
Kjo parti mbajti të premten kongresin rajonal për të zgjedhur kreun e zonës elektorale të Berlinit në zgjedhjet federale të 2025-ës. Jashtë ndërtesës u zhvillua një protestë e disa qindra njerëzve me parulla “Këtu nuk ka vend për AfD-në!’, “S’ka vend për të djathtën ekstreme!”, “Të bashkuar kundër fashizmit!.
Por fituese e garës ishte një kandidate, historia e të cilës i ngjan një provokimi të mëtejshëm: Beatrix Von Storch, 53 vjeç, parlamentare prej një kohë të gjatë, ish-deputete, me origjinë aristokrate. Gjyshi i saj nga nëna ishte Lutz Graf Schwerin Von Krosigk, Ministër i Financave nga viti 1932 deri në humbjen e Gjermanisë naziste në vitin 1945 e më tej.
Sepse, edhe pas vdekjes së Adolf Hitlerit dhe Joseph Goebbels, Schwerin von Krosigk shërbeu si kryeministër dhe më pas Ministër i Jashtëm i qeverisë jetëshkurtër të Flensburgut të drejtuar nga Karl Dönitz, i cili si udhëheqësi i fundit de facto i qeverisë së Gjermanisë naziste, shpalli më 7 maj 1945 dorëzimin pa kushte të Wehrmacht-it, duke i dhënë fund luftës në Evropë.
Është kapitali njerëzor i AfD-së, të cilit tani për tani të gjitha forcat e tjera politike po i qëndrojnë larg, përfshirë CDU dhe CSU, pa u spastruar mjegulla rreth të ardhmes së një vendi që ishte deri pak vite më parë pesha e rëndë e bllokut, dhe që ka kohë që nuk është më lidere e Evropës.
Përkundrazi, për të dytin vit radhazi ka hyrë në recesion, teksa 3 partitë qeveritare po përjetojnë një krizë të paprecedentë, e cila rrezikon t’i zhdukë nga skena politike gjermane. Të Gjelbrit, nuk e kaluan dot pragun minimal prej 5 për qind për të hyrë në parlament në zgjedhjet e fundit rajonale në Turingi dhe Brandenburg.
Ndërsa në Saksoni mezi e kaluan këtë prag. Nga këto rezultate shumë të dobëta, erdhi edhe dorëheqja e liderëve të tyre Ricarda Lang dhe Omid Nouripour. Liberalët janë jashtë parlamenti të ardhshëm në të gjithë skenarët.
Vendi është gjunjëzuar nga lufta në Ukrainë, e cila e detyroi Gjermaninë të mbyllte rubinetat e gazit rus që e blinte shumë lirë, dhe të ndryshonte burimet e furnizimit me energji. Ndërkaq rëndon ende shumë e kaluara naziste e vendit, jo vetëm për shkak të propozimeve politike të AfD, por sepse redukton ndjeshëm hapësirat e qeverisë për veprim në një nga frontet më qendrore të krizës të momentit:Lindjen e Mesme.
Rasti i sulmeve të ushtrisë izraelite ndaj pozicioneve të UNIFIL në Liban, është vetëm shembulli më i fundit se sa shumë i minuar është terreni i krizës në Lindjen e Mesme, por edhe në Berlin. Ende sot Gjermania po mban pezull Përfaqësuesin e Lartë për Politikën e Jashtme Evropiane Josep Borrell dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së për të bërë një deklaratë të përbashkët, që dënon veprimet e ushtrisë izraelite kundër paqeruajtësve të OKB-së.
Berlini nuk dëshiron të dënojë Izraelin, pavarësisht veprimeve që mund të kryejë. Ai nuk mundet ta bëjë këtë për shkak të një të kaluare afro 100-vjeçare, por që e ushqen ende fajin kolektiv, dhe teksa gjallon ende një rrymë e mallkuar në cepin më ekstrem të së djathtës, që synon të marrë një ditë pushtetin qendror.
Vetëm pak ditë më parë, në debatin që u zhvillua në Bundestag për përvjetorin e sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023, kancelari Scholz njoftoi se Gjermania do të vazhdojë t’i japë armë Izraelit:”Ne u kemi dërguar armë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë!”.
Asnjë fjalë për sfidën e Izraelit ndaj forcave të Kombeve të Bashkuara të vendosura në Liban, në një kohë që kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, një socialist si Scholz, po bën thirrje për një embargo armësh ndaj Izraelit.
Kombinimi i krizës politike dhe ekonomike, i nxitur edhe nga rritja e ndjeshme e ekstremit të djathtë, stimulon mosveprimin e Gjermanisë nga rolet kryesore që ajo ka në Evropë dhe në nivel global, duke u mbyllur brenda vetes dhe mbetur peng i tragjedinë e saj ekzistenciale si një vend që pas një shekulli, e gjen sërish veten në pragun e një vorbulle të rrezikshme.
Ekonomia ndodhet në një situatë vërtet të rëndë. Zyrtarisht në recesion, janë industritë gjermane ato që po e ndiejnë më shumë goditjen. Volkswagen dhe BMË nuk i fshehin më shkurtimet e afërta të mijëra vendeve të punës. Objektivi i Scholz, është të mbrojë atë që është e mundur, siç është për shembull tregu kinez i kompanive të tij.
Nuk është rastësi që Berlini është një nga vendet e pakta evropiane, që ka kundërshtuar detyrimet e vendosura nga Komisioni i BE-së për makinat elektrike të prodhuara në Kinë. Pikërisht në raport me Evropën, Gjermania po merr një pozicion gjithnjë e më izolacionist, siç tregohet nga përpjekja për të sabotuar bashkimin midis bankave të mëdha Unicredit dhe Commerzbank, që do të krijonte grupin e parë bankar evropian.
Ky bashkim mirëpritet nga të gjitha institucionet e BE-së, nga Komisioni deri tek Banka Qendrore Evropiane. Karrigia bosh që la Scholz në forumet ndërkombëtare do të zihet nesër nga Merz, që në kongresin e fundit të CDU-së tha se synon “një rol më të madh të Gjermanisë në Evropë”, duke premtuar rikthimin në skenën ndërkombëtare një Gjermanie që ka peshën e saj të madhe, dhe që nuk e fsheh më atë.
“Në të ardhmen, ne do të përfshihemi sërish në vendimmarrjet e mëdha në Evropë. Proteksionizmi në rritje midis lojtarëve kryesorë të ekonomisë globale si Kina dhe Shtetet e Bashkuara, po e detyron Evropën të punojë edhe më ngushtë së bashku, por edhe të bëhet më konkurruese. Së bashku, ne po trajtojmë sfidat që lindin tani nga proteksionizmi. Ne nuk jemi vetëm në këtë botë. Por bota na pret që të japin kontributin tonë. Dhe kjo kërkon më shumë rritje ekonomike në Gjermani”- deklaroi kandidati për kancelar i CDU-së.
Qeveria është “në një koma politike”, thotë për Bild guvernatori i Bavarisë Markus Soeder, duke bërë thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare sa më shpejt që të jetë e mundur, pa pritur skadimin natyral të legjislaturës në shtator të vitit të ardhshëm.
“Nga pikëpamja mjekësore, mund të thuhet se ky koalicion ka vdekur klinikisht, dhe asgjë nuk po ndodh më”- shton presidenti i CSU, që akuzon veçanërisht ministrat e Partisë së Gjelbër Robert Habeck dhe Annalena Baerbock
”Ata janë fytyrat e krizës aktuale, ndaj duhet të japin menjëherë dorëheqjen”. Një vit me zhvillime të tilla, duket vërtet shumë i gjatë./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post Italia”
Lini një Përgjigje