TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Korrik 2024, 22:36

Oligarkia pranë Biden do të vendosë për fatin e kandidimit të tij!

Shkruar nga Mike Allen & Jim VandeHei

Oligarkia pranë Biden do të vendosë për fatin e kandidimit

Aleatët e Biden i kanë realizuar të gjithë skenarët, dhe shohin pak shanse që dikush përveç Harris të fitojë nominimin nëse Biden do të tërhiqej në momentet e fundit.

Harrojini ekspertët. Shpërfillini editorialet dhe analistët e New York Times. Dhe në vend të kësaj vëzhgoni me kujdes postimet e disa njerëzve në platformën X. Mënyra e vetme se si mund të tërhiqet nga gara presidenti Joe Biden, pavarësisht dështimit të turpshëm në debatin e fundit televiziv, është nëse i njëjti grup i vogël besnikësh të përjetshëm që e nxiti të rikandidonte, do të vendosë se është koha që ai të heqë dorë.

Bashkëshortja e tij, Jill Biden; motra e tij më e vogël, Valerie Biden; dhe 85-vjeçari Ted Kaufman miku dhe këshilltari i vazhdueshëm i presidentit, plus një grup i vogël këshilltarësh të Shtëpisë së Bardhë, janë të vetmit vendimmarrës të Bidenit.

Ky “kabinet kuzhine” funksionon prej dekadash si një familje e zgjeruar, si një këshill pleqsh dhe një oligarki qeverisëse. Vetëm këta aleatë, kanë një ndikim të vërtetë mbi vendimet e mëdha dhe të vogla në jetën dhe presidencën e Biden.

Presidenti aktual i SHBA-së nuk u angazhua në asnjë proces të organizuar jashtë familjes së tij, për të vendosur nëse do të kandidonte apo jo për një mandat të dytë në krye të vendit, raportoi gazetari Peter Baker i New York Times. Vetëm atëherë Biden mori vendimin, na thonë njerëzit pranë tij.

Nëse Biden vazhdon garën, kjo është për të njëjtën arsye që ai vendosi të kandidojë sërish: Ai dhe oligarkia pranë tij, besojnë se ka një shans shumë më të mirë për ta mposhtur sërish ish-presidentin Trump sesa zëvendës presidentja Kamala Harris.

Aleatët e Biden i kanë realizuar të gjithë skenarët, dhe shohin pak shanse që dikush përveç Harris të fitojë nominimin nëse Biden do të tërhiqej në momentet e fundit. A do t’i mohojë Partia Demokratike emërimin gruas së parë, amerikanes së parë zezake dhe amerikanes së parë aziatike?

Vështirë të thuhet “Po”. Këta aleatë mendojnë privatisht se Harris do ta kishte të vështirë të tërhiqte rreth vetes votuesit e moderuar dhe të lëkundurit, duke rritur shanset e Trump për fitore. (në fakt Washington Post zbuloi se Harris “është vetëm 1 ose 2 për qind më pak se Biden në sondazhe)

Ndërkohë, na është thënë se udhëheqësit demokratë të Kongresit janë një forcë e jashtme që mund të ushtrojnë presion mbi Biden. Ata po marrin telefonata dhe mesazhe nga ligjvënësit në panik, të cilët kanë frikë se dobësia e dukshme e Biden në shfaqjet e tij publike, mund t’i kushtojë vendet që kanë në Kongres dhe Senat në zgjedhjet e nëntorit.

“Kjo çështje s’ka të bëjë më me familjen e Joe Biden apo emocionet e tij. Ajo ka të bëjë me vendin tonë. Është një fatkeqësi e madhe që duhet trajtuar. Do të duhet pak kohë që oligarkia të analizojë rreziqet. Por do të ketë një shoshitje të shanseve”- na tha një këshilltar në kontakt të vazhdueshëm me Shtëpinë e Bardhë.

Njerëzit pranë Biden, e kanë tashmë më të lehtë nga sa e kuptuan që ta racionalizojnë vazhdimin e garës nga presidenti. Ata argumentojnë: Është e vërtetë, ai pati një paraqitje shumë të dobët në debatin televiziv. Por Biden mund të bëjë paraqitje të fuqishme si ai të premtes pasdite në Karolinën e Veriut.

Ky ballafaqim në prapaskenë po ndodh çdo ditë: Ndonjëherë ai është më mirë, më i mprehtë nga sa mendojnë njerëzit, dhe më i shpejtë në ecjen në këmbë. Por më shpesh është Biden që patë të gjithë në skenën e debatit: i lodhur, i ngadaltë, dhe hera-herës tërësisht i përhumbur.

Figurat kryesore të Partisë Demokratike, e panë atë që Amerika pa drejtpërdrejt në televizionin kombëtar, gjallërisht dhe në një mënyrë të paharrueshme. Ata nuk mund të mos e shohin. Dhe kanë frikë se edhe votuesit nuk mund të mos e shohin. Ata nuk mund të fajësojnë më kritikët, videot e montuara apo teprimet mediatike.

Çdo hap i gabuar, çdo belbëzim apo fytyrë e ngrirë, do të përhapet me shpejtësi mediat sociale dhe TV, duke u kujtuar votuesve se Biden do të jetë 86 vjeç në fund të mandatit të tij të dytë.

“Duhet t’i thonë të vërtetën absolute se në çfarë gjendje ndodhet”- thotë një demokrat i njohur që flet shpesh me presidentin. “Besnikëri nuk do të thotë një besnikëri e verbër”- theksoi ai.

“Kandidatët për në Kongres, Senat, për guvernatorë, apo për parlamentet e shteteve, duan që të mbijetojnë. Ata nuk kanë ndërmend që të mbyten me anijen e Biden. Dhe ajo gjendet në një vend të rrezikshëm”- shtoi demokrati i njohur. Disa anëtarë të familjes Biden po rezistojnë, duke analizuar sondazhet për të gjetur shenja se votuesit e pavendosur kanë ndryshuar mendje mbi Biden për shkak të deklaratave të Trump gjatë debatit.

“Ata e dinë se debati ishte një katastrofë për presidentin. Por ata mendojnë se ka një fije shpresë për mbijetesë”- tha një burim pranë familjes. Në një memo të fushatës së Biden, “Votuesit e pavarur kalojnë me Biden pas debatit”, zyrtarët e saj shkruajnë: “Bazuar në studimin që kemi kryer gjatë debatit, është e qartë se sa më shumë votuesit dëgjonin Donald Trumpin, aq më shumë u kujtuan se përse nuk u pëlqejnë atë”.

Biden - i inkurajuar nga një postim në Twitter nga ish-presidenti Obama (“Netë të këqija u ndodhin të gjithëve. Më besoni, e kam provuar edhe vetë”) - tingëllon sikur dëshiron që të vazhdojë. “Kur rrëzohesh, atëherë duhet të ngrihesh përsëri!”- tha Biden duke u duartrokitur nga turma dhe duke lexuar fjalimin në një tele-prompter gjatë një tubimi mbajtur të premten në Panairin e Shtetit të Karolinës së Veriut.

“Ej njerëz, unë nuk ec aq lehtë sa dikur. Nuk flas aq mirë sa dikur. Nuk debatoj aq mirë sa dikur. Por ama...di të them të vërtetën”- theksoi Biden. Por mbështetja publike e ish-presidentëve dhe anëtarëve aktualë të Kongresit, thonë shumë pak për të ardhmen politike të Biden.

Shumica e njohin atë shumë mirë dhe për një kohë të gjatë për ta poshtëruar me lehtësi në publik. Por në vend të kësaj, nëse ai vendos të braktisë garën, do të pasojnë bisedat private me të dhe pastaj një vendim brenda oligarkisë. Mos harroni: ka më pak se tetë javë kohë derisa Biden të çertifikohet si kandidati zyrtar i Partisë Demokratike.

Dhe pikërisht tek ky afat kohor duhet pasur vëmendja kryesore. James Carville, strategu që organizoi fushatën e parë presidenciale të Bill Clinton në vitin 1992, dhe që tani është një ekspert që del shpesh në televizion, do të mbushë 80 vjeç në tetor. Ai na tha se nëse do të paraqitej si Biden gjatë debatit, do të dëshironte që të linte garën.

“Nuk e kam menduar asnjëherë këtë si një ide të shkëlqyer”-thotë Carville në lidhje me rikandidimin e Joe Biden. Por eksperti shtoi se për fat të keq ka shumë pak njerëz që presidenti i dëgjon vërtet. “Ai nuk ka këshilltarë, por vetëm punonjës”-thekson Carville.

Kur e pyetëm nëse ai mendon se Joe Biden do të jetë jashtë gare deri ditën e zgjedhjeve, ai mendon se po. Në këtë rast përdori një batutë të famshme nga ekonomisti i ndjerë Herb Stein:”Ajo që nuk mund të vazhdojë ... nuk do të vazhdojë”. /Përshtati “Pamfleti”  nga “Axios”

Lini një Përgjigje