Ish-Presidenti Barack Obama foli me tone të zjarrta kundër kandidaturës së ish-Presidentit Donald Trump dhe në favor të nënpresidentes Kamala Harris të enjten gjatë një tubimi në një kampus universitar në Pitsburg, që synonte të nxiste të rinjtë të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit.
Ish-Presidenti Obama, mandati i të cilit në Shtëpinë e Bardhë përfundoi në vitin 2017, vazhdon të gëzojë popullaritet në bazën e partisë së tij. Aktiviteti ku ai mori pjesë në Universitetin e Pitsburgut, i mbajtur ndërsa zonja Harris bënte fushatë në Nevada dhe Arizona, është i pari nga disa aktivitete që ai planifikon të bëjë në shtetet e rëndësishme për betejën elektorale në javët e ardhshme.
Barack shprehu keqardhje për fjalët e Trump, i cili sipas tij thjesht shpik situata dhe të pavërteta.
“Presidenti Biden dhe zëvendës Presidenti ishin atje duke u takuar me zyrtarë lokalë dhe duke ngushëlluar familje dhe duke pyetur se si mund të ndihmonin. Dhe Donald Trump në një tubim, filloi të krijonte histori për administratën e Bidenit se ndaloi ndihmën në zonat republikane dhe duke hequr ndihmën për t'u dhënë emigrantëve pa dokumente. Thjesht i sajon gjërat, të gjithë e dinë që nuk është e vërtetë”, tha ai.
Barack Obama nuk është i vetmi ish-president që fushata e zonjës Harris synon ta angazhojë në fushatën elektorale.
Bill Clinton, gjithashtu një ish-president demokrat për dy mandate dhe ish-guvernator i Arkansasit, do të bëjë ndalesa në Xhorxhia të dielën dhe të hënën përpara se të udhëtojë drejt Karolinës së Veriut për një turne me autobus më vonë gjatë javës, në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve ruralë.
Lini një Përgjigje