
Irani deklaroi se ka kryer sulme ndaj grupeve kurde me bazë në Irak, duke paralajmëruar të ashtuquajturat “grupe separatiste” të mos ndërmarrin veprime në kushtet e përshkallëzimit të konfliktit në rajon.
Autoritetet iraniane thanë se objektiv i sulmeve ishin grupet kurde që, sipas Teheranit, “kundërshtojnë revolucionin”.
Sulmet u raportuan të enjten, ndërsa media ndërkombëtare kanë përmendur edhe pretendime se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e armatosjes së milicive kurde për të infiltruar në Iran.
Sipas një përfaqësuesi të një grupi kurd iranian në mërgim, nga sulmet ka mbetur i vrarë një anëtar i këtij grupi.
Zyrtarët iranianë paralajmëruan se nuk do të tolerojnë veprime nga grupet që i konsiderojnë separatiste.
“Grupet separatiste nuk duhet të mendojnë se ka fryrë një fllad i lehtë dhe të përpiqen të ndërmarrin veprime”, tha sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, i cituar nga agjencia AFP.
Ai shtoi se Irani nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë veprimet e tyre.
Lini një Përgjigje