
Interesi i deputetit Ringo Mühlmann për gjithçka që kishte të bënte me dronët, hekurudhat dhe transportet ushtarake ishte obsesiv dhe kërkesat e tij ndaj parlamentit rajonal ishin të vazhdueshme.
Por çfarë e shtynte zëdhënësin për çështje të brendshme të AfD-së në Thüringen, bastioni i ekstremit të djathtë dhe kështjella politike e liderit të saj më radikal, Björn Höcke, të mblidhte një sasi të tillë detajesh logjistiko-ushtarake?
Ministri i Brendshëm i landit, socialdemokrati Georg Maier, nuk ka shumë dyshime: “Duhet të supozojmë se AfD vepron si një zgjatim dhe shërbëtor i Putinit”. Këto të dhëna nuk do të bënin gjë tjetër veçse do të ushqenin luftën hibride.
Një hetim i gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung ka zbuluar përmasat e fenomenit, i cili nuk kufizohet vetëm në Thüringen, por është i dukshëm edhe në lande të tjera të Gjermanisë Lindore, madje në një masë më të vogël edhe në Bundestagun kombëtar.
Sigurisht, Thüringen, e vendosur në një korridor strategjik drejt Lindjes dhe Ukrainës, është një pikë kalimi kritike për transportet ushtarake.
Ministri Maier e ka kthyer këtë çështje në betejë personale: “Frekuenca e interpelancave të AfD-së që trajtojnë tema të ndjeshme të sigurisë është më shumë se e dyshimtë; nuk mund të shpjegohet me nevojën normale të parlamentarëve për informacion.”
Sipas tij, AfD po rrezikon edhe sigurinë kombëtare të Gjermanisë. Pa dyshim, ka prekur një nerv të ndjeshëm.
Reagimet nga partia nuk vonuan.
“Këto janë dyshime absurde”, tha Bernd Baumann, numri dy i AfD-së në parlamentin federal.
Ndërsa Höcke sulmoi ministrin Maier, duke e quajtur “një dështak politik”.
Megjithatë, Mühlmann ka vazhduar të “gërmojë” me ngulm: 47 interpelanca vetëm gjatë këtij viti.
Për shembull, interpelanca nr. 8/1419, dorëzuar më 18 shtator, kërkon të dijë cilat transportime ushtarake kanë kaluar nëpër Thüringen që nga viti 2022, të ndara sipas viteve, “lloji i transportit (rrugor/hekurudhor), numri i kalimeve dhe ndalesave të njohura”.
Në korrik, ai paraqiti tre kërkesa radhazi, secila me 10–12 nënpyetje, si: “Cilat skenarë aktivë policia e Thüringen-it i konsideron aktualisht prioritarë për mbrojtjen operative kundër dronëve?” Apo: “Cilat sisteme janë testuar, cilat janë vlerësuar, dhe çfarë lloj mbrojtjeje fikse apo e lëvizshme është parashikuar në Thüringen?”
E kështu me radhë.
Nuk është e vështirë të imagjinohet se ky material, sapo të bëhet publik, do të analizohej me kujdes nga operativët rusë.
Prej kohësh, në shërbimet sekrete gjermane diskutohet për faktin se disa deputetë të AfD-së në nivel kombëtar, me lidhje me Rusinë ose Kinën, po përdorin të drejtën e tyre për interpelanca për t’i shërbyer regjimeve autoritare.
Për shembull, ish-kandidati kryesor i AfD-së për Parlamentin Evropian, Maximilian Krah, është dënuar për spiunazh: një nga asistentët e tij rezultoi të ishte agjent aktiv në shërbim të Pekinit.
Dihet se parlamentet, nga ato rajonale deri te ato evropiane në Bruksel, janë minierë ari për shërbimet e inteligjencës: aty gjenden dosje, projektligje, studime sektoriale që ofrojnë një “radiografi” të armikut. E aq më tepër kur dikush, vullnetarisht, të hap derën apo dosjet./Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje