TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Mars 2026, 18:38

Nga Hormuzi te programi bërthamor, Trump hedh në tavolinë marrëveshjen me Iranin

Shkruar nga Pamfleti
Nga Hormuzi te programi bërthamor, Trump hedh në tavolinë
Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u shpreh sot se SHBA-ja mund të ndajë kontrollin e Ngushticës së Hormuzit me Iranin dhe sugjeroi se një ndryshim i regjimit në Teheran “ka ndodhur tashmë”.

Trump u tha gazetarëve se bisedimet mes palëve janë zhvilluar të dielën dhe kanë përfshirë nivelet më të larta të udhëheqjes iraniane. Ai tha se nuk ka marrë sinjal të drejtpërdrejtë nga udhëheqësi suprem, Mojtaba Khamenei, dhe shtoi se nuk e di nëse ai është gjallë.

“Ndoshta unë dhe Ajatollahu, kushdo qoftë ai, apo Ajatollahu i ardhshëm”, tha Trump, duke lënë të kuptohet se në Iran pritet një “ndryshim shumë serioz regjimi”. Më pas ai deklaroi se SHBA-ja ka “eliminuar gjithçka që kishte për t’u eliminuar në Iran, përfshirë udhëheqësit”.

Një burim i cituar nga The Jerusalem Post tha se kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad-Bagher Ghalibaf, po udhëheq bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Trump tha se pala amerikane po negocion me atë që ai e konsideron “njeriun më të respektuar dhe udhëheqësin”, ndërsa i përshkroi përfaqësuesit iranianë si “shumë të arsyeshëm” dhe “shumë të qëndrueshëm”.

Sipas një burimi të njohur me zhvillimet, të cituar nga The Washington Post, vende ndërmjetëse po përpiqen të organizojnë një takim këtë javë në Islamabad, mes zyrtarëve të lartë amerikanë dhe iranianë.

Trump tha se “ekziston një mundësi reale” për të arritur një marrëveshje. Ai shtoi se bisedimet janë zhvilluar nga i dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, dhe nga Jared Kushner, dhëndri i presidentit, dhe se kontaktet kishin nisur të shtunën në mbrëmje.

“Kemi pasur bisedime shumë të forta. Do të shohim ku do të çojnë. Ka pika kryesore marrëveshjeje, pothuajse për të gjitha çështjet”, tha Trump, duke shtuar se u ka dhënë palëve “pesë ditë kohë”.

Presidenti amerikan tha se në bisedime është përfshirë edhe çështja e programit bërthamor iranian. Ai përsëriti qëndrimin e tij për “pasurim zero” nga ana e Iranit dhe kërkoi dorëzimin e uraniumit të pasuruar që Teherani zotëron aktualisht.

Trump e përshkroi qasjen iraniane si një përpjekje për ta “mbyllur” këtë çështje dhe tha se negociatat përfaqësojnë “edhe një mundësi” për Iranin që të ndalë kërcënimet ndaj SHBA-së. Sipas tij, kjo do ta bëjë botën “shumë më të sigurt së shpejti”.

“Këtë herë, Irani e ka seriozisht”, tha Trump.

donald trump

Lini një Përgjigje