
Gjithsesi, s’ka gjasa që historianët e ardhshëm të gjejnë ndonjëherë firmën e Putinit në ndonjë urdhër për vrasje. Kjo sepse ato urdhra, komunikohen me aludime verbale në stilin e krerëve shumë të kujdesshëm të klaneve të mëdha mafioze si dhe të komuniteteve të tjera kriminale: ”kujdesu” për këtë apo atë person...
Gazeta amerikane The Wall Street Journal, citoi në një artikull muajin e kaluar një raport të shërbimit sekret të SHBA-së, sipas të cilit presidenti rus Vladimir Putin nuk dha një urdhër të drejtpërdrejtë për të vrarë kundërshtarin e tij politik Alexei Navalny .
Artikulli shkaktoi kritika të menjëhershme nga kolegët e udhëheqësit të ndjerë të opozitës ruse, të cilët e quajtën tejet naive këtë pikëpamje, në raport me mënyrën sesi funksionojnë realisht gjërat në Rusi. “Ata që e shohin ngjarjen në këtë mënyrë, nuk e kuptojnë fare se si funksionojnë gjërat në Rusinë moderne”- tha ish-kryetari i Fondacionit Anti-Korrupsion dhe një aleati i Navalny-t, Leonid Volkov.
Në fakt, autoritetet nuk kanë gjithmonë nevojë t’u japin urdhra të drejtpërdrejta vrasësve. Ekzekutorët dhe ata që organizojnë krimin, i kuptojnë shumë mirë aludimet dhe atë që kanë në kokë shefat e tyre. Për të eliminuar ata që nuk u pëlqejnë eprorëve të tyre, ata jo vetëm që s’kanë nevojë për urdhra të firmosur, por as për një kërkesë të shprehur qartë për një vrasje.
Dhe kjo praktikë nuk nisi me Putinin. Mosndëshkimi për vrasjet që kanë ndodhur për interes të atyre në pushtet, nuk mbaruan as në kohën e presidentit të parë të Rusisë, Boris Yelstin. Shumica ka harruar një nga krimet më famëkeqe të viteve 1990:vrasjen e Dmitry Kholodov, korrespondent i të përditshmes “Moskovsky Komsomolets” në Moskë, i cili kishte shkruar prej kohësh mbi vjedhjet në ushtri duke akuzuar direkt Ministrin e Mbrojtjes Pavel Grachev, një mik i ngushtë i Yelstin.
Grachev e etiketoi publikisht Kholodov një armik të ushtrisë dhe Rusisë, dhe u kërkoi vartësve të tij që “ta zgjidhnin problemin”. Ata përgatitën një valixhe, gjoja me dokumente, të cilat ia dorëzuan Kholodov. Por në vend të dokumenteve, ajo ishte e mbushur me eksploziv.
Pasi kritiku i tij kryesor u vra në shpërthimin e datës 17 tetor 1994, Grachev i tha komitetit hetues dhe më pas gjykatës se ai donte në fakt “që të bisedohej” me gazetarin. Nëse vartësit e tij i kishin keqkuptuar nuancat kuptimore të kësaj fraze, atëherë “ky nuk është problemi i Ministrit të Mbrojtjes”.
Në fillim vrasësit dhe bashkëpunëtorët e tyre u arratisën, dhe pas kapjes dhanë rrëfime të hollësishme. Por për të siguruar që Grachev të mos përfundonte asnjëherë pas hekurave, ata i tërhoqën deklaratat e tyre. Për pasojë, të gjithë të akuzuarit u liruan nga gjykata. Nën sundimin e Putinin, ata morën miliona rubla si kompensim nga shteti për ndjekje penale të paligjshme.
Yesltin e bëri menjëherë të qartë se miku i tij Grachev ishte i paprekshëm. “Ushtria dhe Ministri i Mbrojtjes... e kanë mbrojtur demokracinë në Rusi (gjatë përplasjes midis presidentit dhe parlamentit në tetor 1993). Dhe sigurisht që opozita nuk mund t’ia falë këtë. Prandaj ajo ka bërë shumë insinuata. Gazetari Dmitry Kholodov ka vdekur dhe ne të gjithë jemi të pikëlluar për këtë gjë... Por të lidhësh vdekjen e tij me Ministrin e Mbrojtjes është thjesht qesharake”.
Rreth një vit para eliminimit të Kholodov, Grachev kishte dërguar tanke dhe ushtarë për të qëlluar mbi selinë e Sovjetit Suprem të Federatës Ruse, që synonte të rrezonte Yelstinin. Në mesin e viteve 1990, një nga të akuzuarit për vrasjen e Kholodov u përpoq të bindte hetuesin, se hetimi po shkatërronte forcat e armatosura ruse, dhe kjo ishte në interes të shërbimeve sekrete perëndimore.
Nën sundimin e Putin, në disa raste kur vrasja ose rrahja brutale e një kundërshtari ka përshirë drejtpërdrejt një zyrtar, krimi është cilësuar si një “zell i tepruar i vartësve apo i të njohurve të personit”. I tillë ishte rasti i sulmit të nëntorit 2010 ndaj gazetarit të gazetës “Kommersant”, Oleg Kashin, apo pas vrasjes së politikanit opozitar Boris Nemtsov në shkurt 2015.
Kashin u rrah brutalisht me një shufër hekuri në oborrin e shtëpisë së tij, duke pësuar thyerje të nofullës, këmbës dhe gishtave, pak ditë pasi e quajti të “menderosur” guvernatorin e atëhershëm të rajonit Pskov, Andrei Turchak në një nga shkrimet e tij. Turchak, djali i të njohurit të vjetër të Putinit, Anatoly Turchak, i kërkoi gazetarit t’i kërkonte ndjesë të atit dhe i dha 24 orë kohë.
Por Kashin nuk kërkoi falje. Hetimi zbuloi se gazetari ishte rrahur nga punonjësit e një kompanie nën pronësinë e familjes Turchak në Shën Petersburg (Leninets). Një nga pjesëmarrësit në sulm, dëshmoi se ishte Turchak Jr., ai që kishte urdhëruar rrahjen.
Por në fund autoritetet arritën në përfundimin, se krimi ishte kryer nga një i njohur i vjetër i Turchak, ish-menaxheri i ndërmarrjes së tyre, ish-ndihmës i Ministrit të Mbrojtjes dhe kreu i departamentit të marrëdhënieve të jashtme në këtë ministri, Aleksandër. Gorbunov, që vendosi në mënyrë të pavarur të merrte hak për guvernatorin e fyer.
Miku i vjetër i Putinit, kreu i korporatës shtetërore Rostec, Sergei Chemezov, doli në krah të Gorbunov, duke thënë se ai “e njeh atë si një njeri pozitiv në të gjitha aspektet”. Gorbunov u lirua nga burgu në vitin 2015. Ndërkaq Nemtsov u qëllua për vdekje pranë një ure përballë Kremlinit.
I dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes ishte Ruslan Geremeev, ish-zëvendës komandanti i batalionit çeçen “Veriu”. Por shumë shpejt, emri i tij u hoq nga dosja. Hetuesit nuk arritën ta merrnin në pyetje dhe as që mundën të hynin në shtëpinë e tij në Çeçeni.
Dhe kjo sepse Geremeev është një bashkëpunëtor i ngushtë i liderit të Çeçenisë, Ramzan Kadyrov. Në fund të vitit të kaluar, ky “vëlla i dashur” (siç e quan Kadyrov Geremeev), që “përmbush me guxim çdo detyrë të caktuar”, u emërua komandant i Batalionit çeçen Sheik Mansur.
Kadyrov, që nuk kufizohet kur bën deklarata publike për tema delikate, ka hapur prej kohësh një dritare mbi atë pjesë të realitetit rus - vrasjet pa urdhra të drejtpërdrejta - që është e vështirë për t’u kuptuar nga politikanët dhe agjencitë perëndimorë të inteligjencës.
Në këtë realitet, vrasësit dhe organizatorët nuk kanë gjithmonë nevojë për urdhra të qarta. Ndonjëherë mjafton që ata të kuptojnë me ndjeshmëri dëshirat e autoriteteve, të dëgjojnë sugjerime, të shohin ata që nuk i pëlqejnë eprorëve të tyre, dhe të marrin përsipër “barrën e përgjegjësisë”.
Në vitin 2020, kur Kadyrov u zemërua nga disa shkrime të “Novaya Gazeta”, ai paralajmëroi publikisht i zemëruar:“Këto akuza ma kanë sjellë në majë të hundës! Nëse doni që të na lidhni me ndonjë krim dhe të na quani kriminelë, bëjeni! Dikush do ta mbajë këtë barrë përgjegjësie, dhe do të dënohet sipas ligjit. Do të hyjë në burg dhe pastaj do të dalë! Por mos u përpiqni të na bëni banditë, vrasës”.
Gjithsesi, s’ka gjasa që historianët e ardhshëm të gjejnë ndonjëherë firmën e Putinit në ndonjë urdhër për vrasje. Kjo sepse ato urdhra, komunikohen me aludime verbale në stilin e krerëve shumë të kujdesshëm të klaneve të mëdha mafioze si dhe të komuniteteve të tjera kriminale: ”kujdesu” për këtë apo atë person.
Ata që zbatojnë urdhrat, e dinë shumë mirë se për çfarë bëhet fjalë. Ata e dinë se nëse dikush vdes, “nuk është më problem” për presidentin rus. Dokumentari i këtij vitit “Tradhtarët”, i cili u realizua nga Fondacioni Kundër Korrupsionit i Alexei Navalny-t, dhe që fokusohet tek Yelstin, rrethi i tij i ngushtë dhe oligarkët, ka shkaktuar debate dhe kritika të forta.
Ai thekson faktin se në vitet 1990, gjithçka ishte më e ndërlikuar. Aktorët kryesorë të epokës, nuk udhëhiqeshin vetëm nga etja për pushtet dhe fitim. Ata thonë se kishin parime, por u detyruan të bënin zgjedhje të vështira, dhe u përpoqën të shmangnin me çdo mjet obskurantizmin që shihet sot. Dhe sekuestrimi i pronave, dënimet me burg apo eliminimi fizik i kundërshtarëve mund të kishin filluar edhe atëherë, nëse Yeltsin do të kishte ua dorëzuar pushtetin komunistëve.
Ndoshta është kështu. Por kjo nuk e ndryshon thelbin e çështjes. Njerëzit në pushtet, që krijonin përshtypjen se i respektonin vlerat demokratike , duhet të kishin vendosur rregulla më të qarta mbi lojërat e politikës, biznesit etj. Por për një arsye apo tjetrën ata nuk çimentuan asgjë tjetër veç normave bazë, siç është sundimi i ligjit, që në atë kohë nuk mundi të mbante të njëjtin hap me atë që po ndodhte në realitet.
Por ata nuk vendosën ato që duhet të ishin “vijat e kuqe” më themelore për ithtarët parimorë të demokracisë, siç është fakti që një zyrtar i lartë nuk mund të vrasë kritikët e tij pa u ndëshkuar. Kjo praktikë u mishërua në kohën e Yelstin, dhe vetëm sa është bërë më e fortë nën sundimin e Putin./Përshtati Pamfleti nga ”Worldcrunch”
Lini një Përgjigje