
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu u ka bërë thirrje iranianëve që t’i kundërvihen regjimit në Teheran dhe ta ndihmojnë Izraelin t’u hapë rrugën drejt lirisë.
Në një video të publikuar gjatë sulmit me raketa të Iranit ndaj Izraelit, Netanyahu tha se objektivi i operacionit ushtarak të Izraelit është të pengojë kërcënimin bërthamor dhe balistik të regjimit islamik ndaj vendit të tij.
Ai shtoi më tej se Izraeli ka asgjësuar një “pjesë të madhe” të arsenalit të raketave balistike të Iranit dhe objektin e tij më të rëndësishëm të pasurimit.
"Më shumë gjëra janë rrugës. Regjimi nuk e di se çfarë e ka goditur, ose çfarë do ta godasë. Nuk ka qenë kurrë më i dobët. Kjo është mundësia juaj për t'u ngritur dhe për të bërë që zëri juaj të dëgjohet. Siç e thashë dje dhe shumë herë më parë, lufta e Izraelit nuk është kundër popullit iranian. Lufta jonë është kundër regjimit vrasës islamik që ju shtyp dhe ju varfëron. Kombi i Iranit dhe kombi i Izraelit kanë qenë miq që nga koha e Kirit të Madh. Ka ardhur koha që populli iranian të bashkohet rreth flamurit dhe trashëgimisë së tij historike, duke u ngritur në këmbë për lirinë e tij nga regjimi i lig dhe shtypës", tha Netanyahu.
Ai e mbylli fjalimin duke përsëritur një slogan që dëgjohet shpesh nga ata që protestojnë kundër regjimit të Iranit: "Gruaja, Jeta, Liria. Zan, Zendegi, Azadi".
Lini një Përgjigje