
Rreth 200 raketa janë qëlluar nga Irani në drejtim të Izraelit
“Siguresat” janë hequr në Lindjen e Mesme. Pas sulmeve izraelitet, Irani ka nisur kundërpërgjigjen duke hedhur në drejtim të Tel Avivit qindra raketa balistike. I gjithë rajoni tashmë është përfshirë nga pasiguria dhe paniku, ndërkohë që SHBA-ja dhe aleatët e saj përpiqen që të ndihmojnë Izraelin të kapërcejë këtë situatë.
Garda Revolucionare e Iranit tha më herët se ka nisur një sulm ndaj dhjetëra objektivave në Izrael pas sulmit të saj në shkallë të gjerë ndaj Republikës Islamike. Sirenat janë dëgjuar në të gjithë Izraelin verior dhe jugor pas një breshërie të dytë me dhjetëra raketa balistike të lëshuara nga Irani.
Duke folur për Reuters, një zyrtar i lartë iranian tha: “Hakmarrja jonë sapo ka filluar, ata do të paguajnë një çmim të lartë për vrasjen e komandantëve, shkencëtarëve dhe njerëzve tanë, asgjë në Izrael nuk do të jetë e sigurt dhe hakmarrja jonë do të jetë e dhimbshme”.
Mësohet se rreth 200 raketa janë qëlluar nga Irani në drejtim të Izraelit në raundin e dytë të sulmit. Disa dëme janë raportuar në Tel Aviv dhe Jerusalem, por siç raportojnë autoritetet izraelite ka pasur vetëm 7 të plagosur të cilët janë dërguar në spital dhe po marrin ndihmën mjekësore. Ndërkohë që një raund i tretë prej 150 raketash është nisur nga Irani në drejtim të Izraelit dhe besohet se ky nuk do të jetë i fundit, pasi priten të tjera sulme në orët në vazhdim.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Izrael Katz, tha se Irani “ka kaluar vijat e kuqe” duke qëlluar raketa në qendrat e popullsisë civile dhe u zotua se do të paguajë një “çmim shumë të rëndë” për veprimet e tij.
Zyrtarët izraelitë raportojnë se, SHBA-të po ndihmojnë Izraelin në kapjen e raketave balistike iraniane që janë lëshuar drejt vendit këtë mbrëmje. Më herët SHBA njoftoi se po zhvendoste anije luftarake dhe burime të tjera ushtarake në Lindjen e Mesme për të ndihmuar në mbrojtjen e Izraelit dhe të trupave amerikane nga ndonjë kundërpërgjigje e mundshme nga Irani.
Franca, një tjetër aleat ka deklaruar se do të marrë pjesë në mbrojtjen e Izraelit në rast të kundërpërgjigjes së Iranit.
Në kuadër të masave të marra ndaj kundërpërgjigjes së Iranit, ushtria izraelite u ka kërkuar qytetarëve të tij të qëndrojnë pranë strehimoreve të luftës.
“Komanda e Frontit të Brendshëm tani u ka udhëzuar banorëve në të gjithë vendin të qëndrojnë afër hapësirave të mbrojtura. Lëvizja në zonat publike duhet të minimizohet dhe tubimet publike duhet të shmangen. Pas marrjes së një alarmi, hyni në një hapësirë të mbrojtur dhe qëndroni atje derisa të lëshohet një përditësim zyrtar”, thuhej në mesazhin e ushtrisë Izraelite.
Ushtria izraelite tha se sistemet e saj të mbrojtjes po veprojnë për të kapur “kërcënimin”, duke shtuar se publiku është udhëzuar të “hyjë në një hapësirë të mbrojtur dhe të qëndrojë atje deri në njoftim të mëtejshëm”.
Nga tjetër, në një mesazh drejtuar kombit të premten në mëngjes, disa orë pasi Izraeli goditi vende në Teheran dhe qytete të tjera, Ajatollah Khamenei tha se regjimi sionist duhet të presë një ndëshkim të ashpër. Udhëheqësi i Revolucionit Islamik, Ajatollah Sejjid Ali Khamenei, deklaroi se regjimi izraelit vulosi një fat “të hidhur dhe të dhimbshëm” për veten me sulmet e natës ndaj Iranit. Duke nënkuptuar se sulmet të tjera do të pasojnë.
Lini një Përgjigje