TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota29 Mars 2024, 15:22

Neo- otomanizmi, nga një shans në një gjyle të rëndë në këmbët e Turqisë

Shkruar nga Ali Omar Forozish & Halil Avni Güzelyurt

  Neo- otomanizmi, nga një shans në një gjyle të

Neo-otomanizmi synonte të rriste ndikimin global të Turqisë dhe ta transformonte atë në një lojtare të madhe rajonale dhe ndoshta edhe ndërkombëtare. Megjithatë nën drejtimin e neo-otomanizmit, Turqia ka vuajtur shumë në aspektin ekonomik, kulturor dhe politik...

Gjysma e dytë e shekullit XIX-të solli lindjen e një koncepti të riosmanizmin. Në atë kohë, Perandoria Osmane, me bazën e saj të pushtetit në Turqi, sundonte një zonë të gjerë që shtrihej nga Evropa Juglindore në Afrikën Veriore, Arabi dhe deri në Kaukaz.

Intelektualët osmanë parashikuan ndërtimin e një kombi të bashkuar osman që kapërcente etnitë, fetë dhe gjuhët e ndryshme brenda kufijve të gjerë të perandorisë. Ideologjia e otomanizmit synonte të nxiste një ndjenjë të identitetit të përbashkët dhe përkatësisë që i zëvendësoi këto ndarje tradicionale.

Por osmanizmi ka kaluar nëpër rrugë të tërthorta dhe shumë komplekse. Nën Sulltan Abdulhamiditi II, ideologjia mori një karakter më të theksuar islamik. Elementi kryesore ishte roli i sulltanit si një Kalif i botës islame. Kjo qasje e re synonte të bashkonte popullsinë myslimane të perandorisë nën një besim të përbashkët.

Osmanizmi nuk mundi ta shpëtonte perandorinë, e cila iu nënshtrua përplasjeve të brendshme dhe presioneve të jashtme. Me shfuqizimin e Sulltanatit më 1 nëntor 1922, dhe me krijimin e Republikës së Turqisë më 1923, shteti osman u shndërrua në një relike historike. Vizioni dikur shpresëdhënës i unitetit, u zbeh paralelisht me qytetërimin që synonte të ruante.

Duke u rishfaqur në fund të shekullit XX-të dhe fillimin e shekullit XXI-të, neo-otomanizmi ringjalli idetë e perandoritë origjinale brenda kontekstit të Republikës së Turqisë. Përkrahësit aktualë të neo-otomanizmit, mbrojnë një politikë të jashtme turke më aktive në rajonet që dikur i përkisnin Perandorisë Osmane.

Ata e vënë theksin tek rolin i mundshëm i Turqisë si një udhëheqëse dhe ndërmjetësuese në Lindjen e Mesme dhe rajonet përreth. Megjithatë, neo-otomanizmi ka sjellë një rënieje të pozitës së Turqisë, si politikisht ashtu edhe ekonomikisht. Theksi i saj tek lavditë e të kaluarës, dhe një politikë e jashtme më ndërhyrëse, i ka tensionuar marrëdhëniet me vendet kyçe dhe ka devijuar burimet nga adresimi i sfidave të brendshme vendimtare.

Në fakt, termi “neo-otomanizëm”, u shfaq për herë të parë në vitet 1970 në Greqi si një përgjigje ndaj shqetësimeve për ndërhyrjet e Turqisë në ishullin e Qipros. Megjithatë, deri në fundin e viteve 1980, politika e jashtme e Turqisë mbeti e fokusuar kryesisht kah Perëndimit.

Ajo ishte e dukshme në marrëdhëniet e saj të ngushta me Shtetet e Bashkuara dhe në përpjekjet e saj për anëtarësim në Komunitetin Ekonomik Evropian (EEC), pararendës i Bashkimit Evropian.

Grushti i shtetit i ushtrisë në vitin 1980 shënoi një pikë kthese, e cila çoi në ndryshime të rëndësishme në peizazhin politik të Turqisë. Një rol kryesor në këtë transformim luajti Turgut Özal, që u bë kryeministër në vitin 1983. Ai vuri në zbatim një model ekonomik neo-liberal që synonte ta integronte më thellë Turqinë me tregun global.

Po ashtu, ai njohu rëndësinë ekonomike në rritje të rajoneve përtej Evropës dhe SHBA-së.

Özal e zhvendosi fokusin drejt nxitjes së marrëdhënieve të mira dhe lidhjeve ekonomike me vende si Iraku, Irani dhe Libia. Ndërsa ruajtja e lidhjeve me Evropën dhe SHBA-në mbeti një aspekt i rëndësishëm i politikës së tij të jashtme, Özal forcoi lidhjet historike dhe kulturore të Turqisë me botën turke dhe botën më të gjerë islame.

Kjo qasje e re solli përfshirjen e elementeve të neo-otomanizmit në politikën e jashtme turke. Özal përdori në mënyrë strategjike koncepte si Islami, turqizmi dhe historia osmane për të ndërtuar ura me vendet e Lindjes së Mesme, Ballkanit dhe Azisë Qendrore. Vdekja e Özal në vitin 1993 shënoi fundin e epokës së parë të neo-otomanizmit.

Vitet në vijim u karakterizuan nga një paqëndrueshmëri e brendshme politike dhe nga probleme ekonomike, që çuan në një ndalesë të përkohshme të zhvillimit të kësaj doktrine të politikës së jashtme. Ndërkohë zgjedhjet e vitit 2002, shënuan një pikë kthese në politikën e jashtme turke me ngritjen e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) të udhëhequr nga Recep Tayyip Erdoğan.

Me rrënje tek një ideologji islamike e qendrës së djathtë, AKP premtoi një qasje të re ndaj politikës së jashtme, e cila do të distancohej nga epoka e mëparshme e rreshtimit me Perëndimin e qeverive të mëparshme. Ky vizion i ri u tërhoq shumë nga doktrina e “Thellësisë Strategjike” e zhvilluar nga politologu Ahmet Davutoğlu.

Ajo e përforcoi pozicionin unik gjeopolitik të Turqisë në udhëkryqin midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme. Dhe argumentoi ndër të tjera se Turqia mund të përdorte trashëgiminë e saj historike dhe kulturore, veçanërisht të kaluarën e saj osmane, për t’u shndërruar në një lojtare kryesore në një rend botëror shumë-polar.

Në fillim, AKP nisi të zbatojë politikën “zero probleme me fqinjët”, duke i dhënë përparësi mjeteve të pushtetit të butë. Në këtë kuadër, ajo shtoi kontributet e saj duke u bërë një donatore e madhe në rajon. Programet kulturore u përpoqën të nxisin lidhje më të ngushta me vendet fqinje duke promovuar gjuhën, muzikën dhe kuzhinën turke.

Njëkohësisht, AKP-ja vazhdoi përpjekjet për anëtarësimin e vendit në BE. Ajo ndërmori reforma të brendshme për t’u përafruar me standardet evropiane dhe Turqia mori pjesë aktive në nismat rajonale për të treguar angazhimin e saj për stabilitet dhe bashkëpunim.

Por procesi i anëtarësimit në BE doli të ishte një proces i ngadaltë dhe për pasojë zhgënjyes. Rezistenca e brendshme në union ndaj hyrjes së Turqisë, nxiti një ndjenjë në rritje të zhgënjimit në Ankara. Davutoğlu e përforcoi këtë ndjenjë kur u bë Ministër i Jashtëm në vitin 2009.

Një përkrahës i fortë i neo-otomanizmit, ai parashikoi një rol akoma më aktiv të Turqisë në skenën botërore. Ai argumentoi se e ardhmja e vendit të tij nuk qëndronte vetëm tek përafrimi me Perëndimin, por në rivendosjen e ndikimit të tij si një udhëheqëse në rajon. Në vitin 2009, Erdogan mbajti në Forumin Ekonomik në Davos një fjalim shumë kritik ndaj veprimeve të Izraelit në Gaza.

Kryengritjet e Pranverës Arabe të vitit 2010, paraqitën një mundësi të artë për Turqinë për të çuar përpara ambiciet e saj neo-otomane. Duke përqafuar një qëndrim pro-arab, Turqia i mbështeti në mënyrë aktive rebelimet kundër qeverive në Egjipt dhe Libi. Ankaraja shpresonte të kultivonte lidhje të ngushta me qeveritë e reja, duke e cilësuan veten si një kampione të reformave demokratike në rajon.

Por pasojat e Pranverës Arabe dolën të ishin shumë më komplekse sesa pritej. Zhytja e mëvonshme në destabilitet dhe dhunë e këtyre vendeve nxori në pah kufizimet e qasjes neo-otomane. Aftësia e Turqisë për të ndikuar në ngjarjet në terren u tregua e kufizuar dhe pozita e saj rajonale u ngatërrua me betejat ideologjike brenda shoqërive arabe.

Viti 2013 shënoi një pikë kthese për Turqinë në shumë fronte. Protestat e Parkut Gezi nisën në kundërpërgjigje ndaj një projekti të qeverisë që kërcënonte një hapësirë publike shumë të pëlqyer nga qytetarët në Stamboll. Protestat u shndërruan në një lëvizje më të gjerë kundër prirjeve autoritare të qeverisë së AKP-së.

Qeveria e shtoi propagandën mbi historinë dhe identitetin osman. Projektet madhështore infrastrukturore si rindërtimi i kazermave osmane në brigjet e Bosforit u përpoqën enkas të romantizonin të kaluarën osmane dhe të largonin vëmendjen nga sfidat e sotme.

Në vitin 2016, pas një përpjekjeje të dështuar për grusht shteti ushtarak kundër Erdoganit, Turqia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme dhe spastrimet kundër komplotuesve të dyshuar. Erdogan nisi tranzicionin drejt një sistemi presidencial që i dha atij shumë pushtet. Dhe neo-otomanizmi luajti një rol në legjitimimin e sistemit të tij të ri.

Mbështetësit e presidentit iu drejtuan ndjenjave të krenarisë islame brenda një segmenti të popullsisë, duke e portretizuar atë si një udhëheqës të fortë të ngjashëm me një sulltan osman.

Në mesin e qytetarëve nisën të lindin shqetësime lidhur me përkushtimin e qeverisë turke ndaj parimeve demokratike. Në kundërpërgjigje, qeveria goditi disidencën popullore. U arrestuan mijëra protestues, u spastrua shërbimi civil dhe ushtria nga kundërshtarët dhe u forcua kontrolli mbi median dhe gjykatat.

Nga ana tjetër përqendrimi i Turqisë në politikën e jashtme nën neo-otomanizmin, e ka larguar vëmendjen nga reformat thelbësore ekonomike. Mungesa e investimeve në infrastrukturë, arsim dhe inovacion teknologjik e pengon rritjen ekonomike afatgjatë dhe konkurrencën.

Ekonomia mbetet e varur nga sektorët me vlerë të shtuar të ulët si ndërtimi, bujqësia dhe turizmi. Kjo mungesë diversifikimi e bën ekonominë turke më pak elastike dhe pengon aftësinë e saj për të konkurruar në tregun global. Në vitin 2019, Indeksi i Konkurrueshmërisë Globale e renditi Turqinë dobët për tregues të tillë si aftësia për inovacion, cilësia e arsimit dhe stabiliteti makroekonomik, duke e renditur atë në vendin e 59-të nga 141 vende.

Pavarësisht rënies ekonomike, Turqia arriti një rimëkëmbje të dukshme në vitin 2021, me një normë rritjeje prej 11 për qind. Ajo u nxit nga lehtësimi i kufizimeve ndaj Covid-19 dhe politikave ekspansioniste fiskale dhe monetare. Por ajo erdhi me sfida si inflacioni i lartë (duke arritur 21.3 për qind në nëntor 2021).

Programi i ri Afatmesëm i qeverisë për vitet 2023-2025 synon të arrijë një rritje mesatare të PBB-së prej 5.3 për qind. Por suksesi i programit do të varet nga zbatimi i reformave strukturore, diversifikimi i partnerëve tregtarë dhe rivendosja e besueshmërisë dhe stabilitetit në mjedisin ekonomik.

Pra fillimisht, neo-otomanizmi synonte të rriste ndikimin global të Turqisë dhe ta transformonte atë në një lojtare të madhe rajonale dhe ndoshta edhe ndërkombëtare. Megjithatë nën drejtimin e neo-otomanizmit, Turqia ka vuajtur shumë në aspektin ekonomik, kulturor dhe politik./Përshtati Pamfleti nga “Fair Observer”

Marrë me shkurtime

neo otomanizmi turqia

Lini një Përgjigje