TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Shkurt 2024, 10:48

Nëntëdhjetëvjeçarja që ka në dorë fatin e Donald Trump

Shkruar nga Marco Bardazzi

 

Nëntëdhjetëvjeçarja që ka në dorë fatin e
Norma Anderson /

Norma Anderson është një zonjë 90-vjeçare me sjellje elegante, flokë të argjendtë, dhe me një ngjashmëri të madhe me senatoren e përjetshme italiane, të mbijetuarën e Holokaustit, Liliana Segre. Për javë të tëra ajo ka pritur me shumë durim gazetarët në dhomën e ndenjes së shtëpisë së saj në Kolorado dhe jep intervista duke mbajtur në dorë një kopje të Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Emri i saj mund të hyjë në histori, sepse në emër të drejtësisë amerikane është ajo që po e sfidon drejtpërdrejt Donald Trump për ta hequr nga fleta e votimit presidencialet e nëntorit. Dhe për ish-presidentin, Anderson mund të jetë më e rrezikshme edhe se sa rivalja e tij brenda Partisë Republikane, Nikki Haley.

Gjithnjë republikane, madje dikur edhe kongresmene në shtetin ku jeton, ajo e ka vendosur emrin e saj në krye të listës së republikanëve anti-Trump që duan të shpallin të pakandidueshëm ish-presidentin amerikan. Dhe tani çështja “Trump kundër Anderson” është gati të dalë para Gjykatës së Lartë në Uashington, dhe mund të ketë surpriza.

Më 8 shkurt, 9 gjyqtarët e kësaj gjykate do të dëgjojnë palët në një seancë publike, prapa së cilës po lëvizin “ushtritë” e avokatëve, profesorëve të universitetit, historianëve, politikanëve dhe strategëve të fushatave elektorale.

Dokumenti, dosja nr 23-719 e cila përmbledh dokumentacionin e “Trump v.Anderson”, po mbushet me kontribute të të gjitha llojeve, të cilat dëshmojnë mbi aktivitetin e furishëm që ndodh në prapaskenë. Ndërhyrjet që po mbërrijnë në Uashington nga të gjitha anët e Shteteve të Bashkuara në formën e peticioneve si “amici curiae”.

Terminologjia latine e përdorur përdoret në jurisprudencën amerikane për të etiketuar “miqtë e gjykatës”, pra palët që nuk janë të përfshira drejtpërdrejt në këtë çështje, por që kanë të drejt të japin mendimin e tyre. Dhe tema në qendër të çështjes që e vë ish-presidentin kundër zonjës Anderson po ngre një mori interpretimesh.

Gjyqtarët duhet të vendosin nëse do të bien dakord me interpretimin e shumicës së ngushtë (4 pro dhe 3 kundër), me të cilën kolegët e tyre në Gjykatën e Lartë të Kolorados, vendosën në dhjetor se Trump nuk mund të kandidojë në shtetin e tyre, bazuar në Amendamentin e Katërmbëdhjetë të Kushtetutës së SHBA-së.

Ky nen u miratua në vitin 1868, pas Luftës Civile Amerikane, me synim pengimin e së drejtës për të mbajtur poste publike për cilindo që do të përpiqej të rrëzonte institucionet e Shteteve të Bashkuara. Në veçanti, shumë diskutime ka sjellë pika 3 e tij, e cila i mohon të drejtën e marrjes së këtyre posteve atyre që pasi janë betuar për një detyrë të tillë, më pas marrin pjesë në “kryengritje ose rebelime” kundër autoriteteve në fuqi.

Gjithçka varet nga interpretimi i këtij teksti i hartuar fillimisht për t'i penguar kongresmenët që vinin nga jugu dikur separatist, që të garonin për poste publike. Por a është i zbatueshëm për sulmin e turmës në Capitol Hill më 6 janar 2021 dhe për veprimet e Trump në javët pas votimit që solli fitoren e Joe Biden?

A është ky një amendament që ka të bëjë edhe me presidentin në detyrë, duke qenë se ai nuk përmendet shprehimisht në tekst? Në peticionet e shuma që po mbërrijnë në Gjykatën e Lartë, thuhet gjithçka por edhe e kundërta e gjithçkaje.  

Juristët dhe politikanët pro-Trump, thonë se presidenti i atëhershëm veproi brenda kufijve të mbrojtur nga liria e shprehjes, dhe se në çdo rast nuk mund të gjykohet një president apo ish-president. Ndërkohë, disa grupe historianësh, fitues edhe të çmimit Pulitzer, janë bërë bashkë për të nënshkruar peticione, në të cilat ata rindërtojnë debatin në Kongres që i parapriu diskutimit dhe miratimit të amendamentit të vitit 1868, në një përpjekje për të treguar se ajo ishte një masë e marrë enkas për ta mbrojtur Amerikën nga rreziqet si ai i një rebelimi në momentin e dorëzimit të pushtetit nga humbësi tek fituesi.

Në sallën e gjyqit duhet të paraqitet edhe zonja Anderson, në një formë fizike shumë të mirë pavarësisht moshës së saj të madhe, e cila si një republikane anti-Trump e ka deklaruar tashmë qartë atë që dëshiron të dijë Gjykata e Lartë: “Unë jam mjaftueshëm e moshuar për të kujtuar Depresionin, Luftën e Dytë Botërore, dy luftëra të tjera, recesione, kohë të mira dhe të këqija, dhe një mori presidentësh. Por nuk kam parë asgjë të krahasueshme me ngjarjet e 6 janarit 2021, dhe menjëherë e kuptova se kush ishte fajtori”.

Pas seancës u takon 9 gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë që të vlerësojnë sasinë e dokumenteve që po grumbullohen për këtë çështje. Koha në dispozicion është shumë e shkurtër. Zgjedhjet paraprake të Super së Martës mbahen më 5 mars, kur do të votohet edhe në Kolorado.

Ndaj teorikisht gjyqtarët duhet të marrin një vendim përpara kësaj date.

Përbërja e Gjykatës së Lartë (6 konservatorë, 3 prej të cilëve u emëruan nga Trump dhe 3 progresistë) duket sikur dikton një rezultat në favor të ish-presidentit. Por për një çështje që prek thelbin e Kushtetutës, mund të mos vlejnë dhe aq ndarjet ideologjike. Ndaj Gjykata e Lartë mund të habisë botën me vendimin që mund të marrë./Përshtati Pamfleti nga “Il Foglio”

nëntëdhjetë vjeçarja norma andërson fati i donald trump

Lini një Përgjigje