TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota31 Dhjetor 2024, 16:06

Negociata me Rusinë mbi Ukrainën, 6 sfidat e mëdha me të cilat përballet administrata Trump

Shkruar nga Ian Proud

Negociata me Rusinë mbi Ukrainën, 6 sfidat e mëdha me të

Fundi i luftës do të sinjalizojë fundin e karrierës politike të Zelenskyt

Një qeverisje e përgjegjshme, përfshin bërjen e zgjedhjeve të vështira, por edhe pranimin e kompromiseve të papëlqyeshme. Gjenerali amerikan, Keith Kellogg, i dërguari i posaçëm i presidentit të porsazgjedhur Trump për Ukrainën dhe Rusinë, duhet të përballet me një numër pengesash në politikën e jashtme, teksa do të përpiqet të ndërmjetësojë arritjen e paqes në Ukrainë gjatë vitit 2025.

1. Për momentin nuk ka asnjë strategji

Dështimi në Ukrainë, ka buruar nga përçarja e Perëndimit pasi SHBA, BE-ja dhe Britania e Madhe, dhe interesat brenda aleancës, u përplasën për çështje kyçe si sanksionet, qëllimet e luftës, mbështetja financiare dhe ajo ushtarake. I dërguari i Trump, duhet t’i inkurajojë udhëheqësit ukrainas dhe evropianë që të bashkohen rreth një vizioni të vetëm dhe realist për të ardhmen e Ukrainës.

Humbja e Rusisë, nuk është një synim legjitim i politikës së jashtme, pasi Ukraina nuk do të jetë kurrë në gjendje ta arrijë këtë. Prandaj vëmendja kryesore, mund të përfshijë rindërtimin e një Ukrainë të fortë, demokratike dhe të begatë që e arrin anëtarësimin në BE në një kohë të caktuar.

2. S’mund të arrijmë një marrëveshje paqeje pa folur me Putinin

Në dokumentin e tyre strategjik “America First”, Kellogg dhe Fred Fleitz theksojnë se çdo qasje ndaj Rusisë duhet të përfshijë si parandalimin ashtu edhe diplomacinë. Sipas tyre “Joe Biden nuk ishte i interesuar të punonte me Putinin, pasi ai donte të jepte leksione dhe ta izolonte”.

Shmangia e Putinit, ka qenë një qasje e palëkundur edhe e politikës së jashtme britanike që nga viti 2014, dhe tani mbështet fort nga brenda BE-së, teksa vetë shefja e re të politikës së jashtme, ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas, i përjashton bisedimet e drejtpërdrejta me Moskën. Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky i ka cilësuar të paligjshme negociatat me Rusinë.

Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin, ka thënë vazhdimisht se është i gatshëm të takohet me presidentin Trump dhe liderë të tjerë botërorë për të zgjidhur krizën në Ukrainë. Kellogg duhet të inkurajojë liderët evropianë që të riangazhohen në mënyrë diplomatke më Rusinë, dhe të pranojnë një qasje më transaksionale që ka si synim gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme për të gjitha palët.

3. Ukraina nuk do të anëtarësohet kurrë në NATO

NATO nuk mund të vazhdojë të mbajë një linjë parimore për anëtarësimin e ardhshëm të Ukrainës, të cilën nuk do ta garantojë dot me forcën e armëve. Putin flet për afërsinë e NATO-s me Rusinë, dhe jo për madhësinë e saj. Është e vërtetë, ai u detyrua ta pranonte anëtarësimin e Finlandës në aleancë pak kohë më parë.

Por e ka investuar gjithë karrierën e tij politike për të mos lejuar anëtarësimin e Ukrainës, dhe nuk ka të ngjarë që të ndryshojë qëndrim. Ndaj hyrja në NATO, duhet të hiqet përfundimisht si një mundësi, në mënyrë të pakthyeshme dhe pa paralajmërime, si pjesë e një marrëveshjeje që ofron garanci sigurie për Ukrainën.

4. Evropianët duhet të mos refuzojnë anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në BE

Edhe pse mbështetin vazhdimin e luftës, udhëheqësit evropianë e kanë hedhur poshtë çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në BE. Presidenti francez Emmanuel Macron, ka thënë se mund të duhen 20 vjet që Ukraina t’i bashkohet unionit. Unë kam qenë prej kohësh mbështetës i hyrjes së Ukrainës në BE.

Por siç e kam theksuar edhe më parë, nëse nuk menaxhohet si duhet, kjo do të ketë një kosto të madhe dhe potencialisht të dëmshme për projektin e BE-së dhe për Poloninë fqinje. Konkretisht, BE-ja nuk mund të lejojë zgjerimin, bazuar në zgjidhjen e saj aktuale, pa rreziqe të pa tolerueshme politike të destabilitetit, të cilat po i shohim të zhvillohen në Francë dhe Gjermani.

Kellogg duhet t’u bëjë presion liderëve evropianë, që të hartojnë një koncept realist anëtarësimi për Ukrainën. Kjo mund të lejojë një anëtarësim të përshpejtuar në nivelin politik, edhe nëse sfidat më të diskutueshme rreth fondeve rajonale për investimet në infrastrukturë dhe subvencionet bujqësore, mund të shtyhen për më vonë.

5. Sanksionet nuk kanë funksionuar, por mund të ndihmojnë në arritjen e paqes

Rusia mbetet në një pozitë shumë më të fortë ekonomike se sa Ukraina, për shkak të madhësisë, por edhe politikës së saj efektive fiskale dhe monetare që nga viti 2014. Sanksionet nuk e kanë prishur as nuk do të prishin ndonjëherë ekuilibrin në favor të Ukrainës, që po bëhet një shtet ekonomikisht i dështuar.

Megjithatë në Perëndim, ka ende shumë përpjekje se si sanksionet të bëhen më të efektshme. Por unë zbulova në fillim të këtij viti, se 92 për qind e të gjitha sanksioneve të Britanisë së Madhe ndaj individëve dhe 77 për qind e sanksioneve ndaj kompanive ruse kanë pasur zero ndikim.

Sepse personat ose subjektet e sanksionuara, nuk kanë asete të ngrira brenda juridiksionit tonë. Ndaj sanksionet me “efekt zero”, mund të hiqen në kuadër të një marrëveshjeje paqe midis Ukrainës dhe Rusisë.

6. Zelensky mund të jetë pjesë e problemit dhe jo zgjidhja

Fundi i luftës do të sinjalizojë fundin e karrierës politike të Zelenskyt, të paktën tani për tani. Sondazhet tregojnë se ai do t’i humbasë zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Deklaratat e vazhdueshme të Zelenskyt për vendosjen e vendit të tij në një pozitë më të fortë negociuese, duken gjithnjë e më shumë egoiste.

Ukraina nuk do të jetë kurrë në një pozicion më të fortë se sa sot, ushtarakisht, ekonomikisht apo demografikisht. Ky iluzion, vetëm sa po i shtyn zgjedhjet e pashmangshme dhe shumë të nevojshme presidenciale në Ukrainë që do të pasonin armëpushimin. Sigurisht, ai ka luajtur një rol të madh për mbështetjen e Perëndimit në luftë.

Por ai është një politikan dhe jo një gjysmëperëndi. Ndaj Kellogg duhet të jetë i kthjellët dhe të kuptojë se në vend që të jetë pjesë e zgjidhjes, Zelensky mund të jetë pjesë e problemit pas fundit të luftës. Ai duhet të inkurajojë atë të luajë rolin e tij më të madh deri më tani: të vendosë në plan të parë Ukrainën, dhe ta çojë vendin në zgjedhje./Përshtati "Pamfleti" nga “Resposinble Statecraft”

*Shënim:Ian Proud, pjesëtar i trupës diplomatike britanike në vitet 1999-2023. Gjatë viteve 2014-2019, ka shërbyer si këshilltar ekonomik në ambasadën britanike në Moskë.

Lini një Përgjigje