Një vizion më i guximshëm, më kritik dhe vetë-korrigjues për punën e vështirë të përballjes me kërcënimet e vërteta dhe të reja transatlantike, do të garantojë siguri më të madhe...
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vizitoi ditët e fundit Uashingtonin, duke synuar të bindë Shtëpinë e Bardhë dhe Kongresin që të negociojnë miratimin e një ligji që do të zhbllokonte shumën prej 60 miliardë dollarësh për ta ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër forcave ruse.
Ai mbajti fjalën e tij me rastin e 75-vjetorit të aleancës mbrojtëse. Audienca që kishte përballë priste të dëgjonte një plan për përgatitjen e aleancës për 20 vitet e ardhshme, në përgatitje për njëqind vjetorin e saj shpresëdhënës në vitin 2049.
Stoltenberg nënvizoi fillimisht nevojën për të “siguruar parandalim të fortë”, duke shtuar se NATO ka garantuar mbrojtjen kolektive më të fuqishme që nga Lufta e Ftohtë. “Ne kemi sot më shumë forca në niveli më të lartë të gatishmërisë. Dhe më shumë aftësi për të mbrojtur njerëzit tanë dhe territorin tonë”- vijoi më tej ai.
Por Stoltenberg, nuk tregoi nëse ky nivel force, gatishmërie dhe aftësish mjafton për të mbizotëruar mbi rreziqet gjeopolitike aktuale dhe ato të parashikuara me të cilat përballet aleanca. Krahasimi i niveleve të sotme me të kaluarën, nuk na ofron asnjë të dhënë reale mbi vullnetin dhe gatishmërinë aktuale për të penguar dhe nëse është e nevojshme, për t'i detyruar kundërshtarët e NATO-s të shkojnë drejt rezultateve të preferuara diplomatike.
Më pas Stoltenberg tha se “ne duhet të eliminojmë varësitë e dëmshme nga lëndët e para dhe produktet kineze” dhe se “duhet ta mbrojmë infrastrukturën tonë më të rëndësishme, materialet strategjike dhe zinxhirët e furnizimit, po ashtu s'duhet të humbasim kontrollin e porteve, hekurudhave dhe rrjetit tonë të telekomunikacionit”.
Sipas bazës së të dhënave të transportit, Alphaliner, në gushtin e vitit të kaluar kompanitë kineze po investonin në 31 terminale portuale evropiane të kontejnerëve, 23 prej të cilëve menaxhohen nga kompanitë e kontrolluara nga shteti, COSCO dhe China Merchants, dhe 8 të tjerat nga kompania private Hutchison Ports me seli në Hong Kong.
Argumenti i tretë kryesore i Stoltenberg, ishte se anëtarët e NATO-s e kanë çuar në 450 miliardë dollarë buxhetin e mbrojtjes kolektive të aleancës. Por kjo shifër daton që në samitin e Uellsit të vitit 2014, pas pushtimit fillestar të Rusisë në Ukrainë, dhe jo që nga pushtimi i dytë të shkallë të gjerë i vitit 2022.
Ai shtoi se “aleatët e NATO-s janë zotuar të shpenzojnë të paktën 2 për qind të PBB-së së tyre për mbrojtjen, dhe shumë prej tyre po e tejkalojnë tashmë këtë objektiv”. Që nga korriku i vitit të kaluar, 11 nga 30 anëtarët e aleancës shpenzonin 2 për qind të PBB-së për mbrojtjen.
Të udhëhequr nga Polonia, Shtetet e Bashkuara dhe Greqia, vendet e tjera janë Rumania, Hungaria, Sllovakia, Estonia, Letonia, Lituania dhe Finlanda anëtare e re. Ndërkohë një shkallë më poshtë renditen vendet e pasura evropiane si Gjermania, Italia dhe Spanja, ndërsa Franca ra pak më poshtë vitin e kaluar.
Por përtej këtyre 3 prioriteteve kryesore, Stoltenberg nuk ishte në gjendje të ofronte një zgjidhje të besueshme për sfidat e dukshme shtesë me të cilat përballet aleanca e NATO-s në këtë përvjetor të rëndësishëm. Disa javë më parë, Kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Rob Bauer, paralajmëroi mbi rrezikun e vetëkënaqësisë së vazhdueshme të aleancës dhe mbi nevojën për t'iu nënshtruar një “transformimi luftarak” në përgatitje për një luftë të madhe evropiane.
Ai deklaroi se “po zhvendosen pllakat tektonike të fuqisë, ndaj po përballemi me botën më të rrezikshme në dekadat e fundit”, duke i bërë thirrje anëtarëve të NATO-s që të prodhojnë më shumë municione në të ardhmen dhe t'i japin fund fragmentimit aktual të tregut që ka penguar furnizimet e shpejta dhe të duhura në Ukrainë.
Probleme akute janë shfaqur në Britaninë e Madhe, ku komiteti i mbrojtjes në Dhomën e Komunëve, paralajmëroi se që nga viti 2010 forcat britanike nuk janë mjaftueshëm të përgatitura për luftime për shkak të mungesës së rezervave, dislokimeve të tepërta dhe mungesës së rekrutimit dhe mirëmbajtjes.
Gjithsesi, Londra është e përgatitur të vendosë një aeroplanmbajtëse në Detin e Kuq, përveç një destrojeri, për të forcuar operacionet e SHBA-së që mbrojnë rrugët e transportit detar nga sulmet me raketa dhe dronë nga milicia Houthi e sponsorizuar nga Irani, nga bazat e saj në Jemen.
Megjithatë shumë anëtarë të NATO-s kanë qenë të pakënaqur në mbështetjen e tyre për operacionet rajonale të SHBA-së, kjo edhe pasi milicitë e sponsorizuara nga Irani në Irak dhe Siri sulmuan forcat amerikane në Jordani, duke vrarë 3 ushtarë amerikanë.
Gjithsesi, forcat franceze po koordinohen me Pentagonin, duke garantuar sigurinë e anijeve me flamur francez dhe duke shmangur sulmet. Ish-shefi i shtabit detar të Italisë u ankua se paaftësia e NATO-s për të koordinuar një përgjigje të përbashkët detare, tregon kohezionin e dobët të aleancës në mesin e një krize gjeopolitike.
Turqia, anëtare e NATO-s dhe një vend aspirant për në BE, ka vazhduar në një kurs krejtësisht të ndarë. Në fillim Ankaraja u tregua e kujdesshme për të shmangur çdo sulm kundër forcave Houthi dhe ka zgjedhur të mbajë një ekuilibër të levave diplomatike midis fqinjëve të saj të Lindjes së Mesme në jug.
Qëndrimi i përçarë i NATO-s në krizën aktuale të Lindjes së Mesme, pason reagimin e saj të pasigurt strategjik ndaj pushtimit rus të Ukrainë në vitin 2022. Rishikim kërkon edhe çështja e prioriteteve të aleancës. Në korrikun e atij viti, 5 muaj pas sulmit më të madh të blinduar në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, Stoltenberg tha se ndryshimi i klimës është “një sfidë përcaktuese e kohës sonë”.
Prandaj, ai theksoi se aleanca do të reduktojë me të paktën 45 për qind emetimet e industrive të saj ushtarake deri në vitin 2030, me një synim për emetimet neto zero karbon deri në vitin 2050, në mënyrë që “në të ardhmen, mjetet ushtarake më të avancuara dhe forcat e armatosura më të qëndrueshme të mos mbështeten tek lëndët djegëse fosile.”
Por asnjë mënyrë e arsyeshme në përputhje me ligjet e fizikës dhe ekonomisë nuk mund të ofrojë elektrifikimin efektiv ose prodhimin alternativ të energjisë për të mbështetur transportin ushtarak, strategjitë apo aspekte të tjera të lëvizshmërisë operacionale.
Nga ana tjetër nuk ka objektiva të ngjashëm në Moskë, Teheran, Pekin apo kryeqytete të tjera të vendeve potencialisht kundërshtare. Kjo rrugë është bërë më e vështirë nga vështirësitë aktuale dhe vizioni afatshkurtër i Evropës në përmbushjen e objektivave ambicioze të burimeve të rinovueshme të përcaktuara në marrëveshjen e klimës së Parisit të vitit 2015.
Pavarësisht sanksioneve të vendosura kundër Moskës pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, Belgjika dhe Spanja i rritën me 50 për qind importet e tyre të gazit natyror të lëngshëm nga Rusia në vitin 2023, ndërsa Franca i rriti importet e saj me 40 për qind.
Sot, teksa pushtimi rus i Ukrainës hyn në vitin e tij të tretë, nuk ka ndonjë shenjë të qartë se NATO-ja është e pozicionuar në mënyrë të tillë që të avancojë realisht objektivin e Kievit për të rifituar Krimenë dhe 4 rajonet e tij lindore, dhe për të fituar në fund mbi Moskën.
Vendet evropiane po i dërgojnë vërtet armë Ukrainës, përveç kësteve të mëdha të ndihmës financiare dhe humanitare për të mbështetur ushtrinë, ekonominë dhe shoqërinë e vendit të rrethuar.
Por nuk ka ende asnjë provë që Vladimir Putin synon të pushtojë ndonjë anëtar të NATO-s.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, është si rregull “përgjegjës për drejtimin e procesit të konsultimit dhe vendimmarrjes në aleancë dhe për të siguruar zbatimin e vendimeve”.
Dhe këto përgjegjësi zbatohen në një mënyrë më efektive duke nxitur një debat mbi atë nëse Rusia ka vërtet vullnetin dhe aftësinë për të nisur një pushtim të ndonjë vendi të NATO-s, nga Polonia e fuqishme deri tek vendet më të dobëta të Baltikut si Letonia.
Nëse Putin do të planifikonte vërtet një sulm të tillë kinetik, anëtarët evropianë të NATO-s do të kishin forcuar aftësitë e tyre mbrojtëse me alarm serioz gjatë 2 viteve të fundit. Gjë që nuk e kanë bërë, ose të paktën jo në përpjesëtim me frikën e tyre të madhe për pushtimin e ardhshëm të supozuar të Moskës, pasi ajo të konsolidojë përfitimet e saj në Ukrainë.
Pra përtej ndihmës së konsiderueshëm të Uashingtonit në armatime sulmuese dhe mbrojtëse për Ukrainën, gatishmëria e dobët ushtarake e NATO-s nuk pasqyron perceptimet e theksuara të kërcënimit të Evropës. NATO mund të fokusohet në rritjen deri në 3 për qind të PBB-së në shpenzimet e mbrojtjes.
Ajo mund të përforcojë dhe shtojë dislokimet ushtarake përgjatë kufijve me Rusinë, Bjellorusinë, Ukrainën, por edhe rreth Kaliningradit. Partneritetet brenda aleancës, siç janë marrëveshjet e sigurisë polako-britanike, patrullimet mesdhetare franko-greke dhe vendosjet e mundshme të trupave gjermane në Lituani, ndihmojnë në ecjen përpara të një aleance më të qëllimshme dhe strategjike që është vërtet mbrojtëse dhe e vendosur për të penguar çdo kërcënim të mundshëm rus.
Ndërsa NATO po përgatitet të festojë në korrik përvjetorin e saj të 75-të, një vizion më i guximshëm, më kritik dhe vetë-korrigjues për punën e vështirë të përballjes me kërcënimet e vërteta dhe të reja transatlantike, do të garantojë siguri më të madhe dhe kjo mund të bëjë që 100-vjetori i aleancës të mund të kremtohet në prosperitet dhe paqe./Përshtati Pamfleti nga “Eurasia Riview”
Shënim: John Sitilides, anëtar në Programin e Sigurisë Kombëtare në Institutin e Kërkimeve të Politikës së Jashtme. Ai është drejtor i Trilogy Advisors LLC në Uashington, e specializuar në marrëdhëniet me qeverinë amerikane, rrezikun gjeopolitik dhe çështjet ndërkombëtare.
Lini një Përgjigje