
Miroslav Lajçak, i cili dha dorëheqjen të shtunën si këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit sllovak Robert Fico, për shkak të mesazheve të tij drejtuar të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein, tha se ndihet si “budalla” pasi i lexoi ato përsëri.
“Kur i lexoj ato mesazhe sot, ndihem si budalla. Ishte një bisedë private, të jemi të sinqertë, kush do të ishte i lumtur nëse i gjithë kombi do t’i lexonte mesazhet e tyre? Të paktën, unë nuk gjykova mirë”, tha të hënën në mbrëmje për Radio Slovakinë Miroslav Lajçak.
Në dosjet e publikuara rishtazi , Epstein tallte Lajçak-un për gratë, ndërsa diskutonte takimet e Lajçak-ut me Ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov. Shkëmbimet tregojnë gjithashtu se Lajçak sugjeroi një takim midis Fico-s dhe ish-kryestrategut të Trump-it, Steve Bannon, të cilin ai e hodhi poshtë në seancën radiofonike.
“Ky takim nuk ndodhi… dhe as unë nuk e organizova”, tha Lajčák.
Lajçak mohoi çdo shkelje, por më pas dha dorëheqjen, duke thënë se donte të parandalonte një goditje politike ndaj Ficos. Ai vazhdoi duke thënë se "nuk i kujtohet dhe për këtë arsye nuk mund ta konfirmojë ose mohojë vërtetësinë e teksteve".
Sipas Lajçak, Epstein ishte një figurë e njohur dhe e pranuar midis politikanëve të profilit të lartë, dhe ai e shihte atë si një “kontakt të vlefshëm që mund të hapte shumë dyer”.
“Por kjo nuk më liron nga përgjegjësia. Unë tregova gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse ego të pamenduara mashkullore në veprim, shaka mashkullore të vetëkënaqura”, tha ai, teksa shtoi se komunikimi i tij me Epstein ishte i kufizuar në fjalë, jo në veprime.
“Nuk kishte vajza… fakti që dikush po komunikon me një grabitqar seksual nuk e bën atë një grabitqar seksual”, tha ai, duke dënuar krimet që dolën në dritë pas arrestimit të Epstein në vitin 2019.
Kujtojmë se mesazhet Lajçakut u përfshinë në publikimin e të premtes nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së të materialeve hetimore në lidhje me Epstein.
Lini një Përgjigje