
Presidenti Joe Biden pritet të takohet sot në Shtëpinë e Bardhë me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s në largim, Jens Stoltenberg. Takimi vjen ndërsa gara për të gjetur pasardhësin e tij është nxehur.
Stoltenberg, ka udhëhequr aleancën ushtarake që nga viti 2014, periudhë gjatë së cilës mandati i tij është zgjatur tre herë. Por në fillim të këtij viti, ai bëri të ditur se në fund të shtatorit do të largohet.
Përpjekjet për zëvendësimin e tij janë intensifikuar ndërsa udhëheqësit e aleancës ushtarake prej 31 anëtarësh, mblidhen muajin e ardhshëm për takimin vjetor të nivelit të lartë, që mbahet në Vilnius të Lituanisë.
Javën e kaluar, Kryeministri britanik Rishi Sunak i përmendi Presidentit Biden, Ministrin e Mbrojtjes të Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace, si kandidat të mundshëm. Presidenti amerikan u takua gjithashtu edhe me Kryeministren daneze Mette Frederiksen, një tjetër pretendente e mundshme.
Gjatë një konferencë shtypi me në krah zotin Sunak, zoti Biden e quajti zotin Wallace një person “shumë të kualifikuar”, por vuri në dukje se diskutimet për të gjetur një kandidat “konsensual’, për të zëvendësuar zotin Stoltenberg, po vazhdon. Opinioni i Presidentit Biden ka peshë të madhe pasi Shtetet e Bashkuara shpenzojnë për mbrojtjen, më shumë se çdo vend tjetër anëtar i aleancës.
Lini një Përgjigje