Trupi i Silvio Berlusconit pritet të dërgohet gjatë ditës së sotme në vilën e tij në Arcore, jashtë Milanos. Funerali i tij, një shpenzim publik, do të bëhet të mërkurën në katedralen e Milanos, raportojnë mediat italiane.
Ish-kryeministri italian Silvio Berlusconi i njohur si 'Kavalieri' ka vdekur në moshën 86-vjeçare. Ai ndërroi jetë në spitalin San Raffaele në Milano. Berlusconi emri i të cilit është lakuar në disa skandale seksuale dhe akuza për korrupsion vuante nga leuçemia kronike. Në muajin prill ai u trajtua në spital për një infeksion të mushkërive.
Berlusconi drejtoi 4 herë si Kryeministër qeverinë italiane nga viti 1994 deri në 2011-n, themeloi dhe drejtoi ‘Forza Italia-n’, themelues i Mediaset dhe Fininvest, duke i hapur rrugën një perandorie televizive e financiare dhe pronar për 31 vite i Milanit të madh me të cilin fitoi plot 29 trofe. Mesatarisht me një trofe në vit "Kavalieri" la gjurmë në futbollin italian dhe evropian. Viteve të fundit ai mori nën komandë klubin tjetër italian, Monzën, ekip i cili luan në elitën e futbollit.
I zgjedhur në parlament për 7 legjislatura, Silvio Berlusconi lindi më 29 shtator 1936. Jeta e tij si biznesmen miliarder dhe politikan ka qenë gjithnjë në syrin e publikut dhe medias, që në periudhën kur pasi kishte shitur fshesa me korrent për pak kohë themeloi një kompani ndërtimi.
Silvio Berlusconi njihet si revolucionar në çdo fushë në të cilën vendosi të merrte pjesë. Ai ndryshoi në mënyrën më të thellë politikën italiane por mbahet mend edhe për sjelljen e veçantë. Ai gjithmonë ishte protagonist me deklaratat jo korrekte politikisht apo veprimet e tij. Për disa ishte me shije dhe kontrovers, për disa skandaloz apo i paturp, për Berlusconin me rëndësi ishte se ai gjithnjë fitonte vëmendjen.
Do të mbahet mend edhe për skandalet e tij, akuzat për korrupsion dhe afera seksuale... Nëse ka një gjë që përcaktoi kryeministrin më të paharrueshëm të Italisë, ishte dëshira e tij dërrmuese për të qenë i adhuruar nga të tjerët.
Berlusconi vizitoi Shqipërinë kur ishte Kryeministër i Italisë në dy raste, në tetor të vitit 2002 dhe në dhjetor të vitit 2008. Berlusconi ishte kudo një fenomen dhe si i tillë mbylli sot sytë, i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur, duke lënë pas një trashëgimi që do të kujtohet gjatë.
Berlusconi, një manjat mediash vendosi të hynte në jetën politike italiane, mendohet se ka lënë pas një pasuri prej 7.97 miliardë eurosh. Ai ende kishte aksione në shtëpinë botuese “Mondadori”, në firmën e shërbimeve financiare Mediolanum dhe transmetuesin më të madh komercial italian “Mediaset”, raporton “Forbes”. Në gusht 2016, Berlusconi pranoi të shiste 80% të A.C. Milan, një nga ekipet më të suksesshme të futbollit në Evropë, për korporatën kineze “Sino-Europe Sports Investment” për 820 milionë dollarë.
Lini një Përgjigje