
Dikur, pushteti i presidentit të SHBA-së kufizohej nga moral i fortë qytetar, nga etika e figurave të larta politike rreth e rrotull tij, nga një gjyqësor i pavarur dhe nga partitë politike të pavarura. Por shumë nga këto mekanizma frenues janë dobësuar. Ndaj, rizgjedhja e Trump rrezikon të sjellë pasoja negative globale...
Në vitin 1999, miliarderi i ndjerë rus Boris Berezovsky drekoi me redaktorin dhe gazetarët kryesore të Financial Times. Unë e kisha takuar më parë në Moskë disa herë. Berezovsky sapo kishte luajtur një rol të rëndësishëm në bindjen e njerëzve pranë Boris Yeltsin për ta emëruar Vladimir Putinin, në atë kohë kreu i FSB-së, shërbimi rus i sigurisë (dhe të cilin Berezovski e kishte njohur qëkur Putini ishte nënkryetar i bashkisë së Shën Petersburgut), si kryeministër dhe më pas si pasardhësin e tij si president i Rusisë.
“Pse i besove pushtetin një ish-agjenti të KGB-së?”- e pyeta në një moment. Dhe e mbaj mend si sot përgjigjen e tij:“Rusia është tani një vend kapitalist. Dhe në vendet kapitaliste, pushtetin e kanë kapitalistët!”. Mbeta i habitur. Sepse Berezovsky ishte një njeri vërtet inteligjent, i pamëshirshëm dhe cinik.
Ai e kishte jetuar një pjesë të madhe të jetës së tij në Bashkimin Sovjetik. Po ashtu si rus, e njihte mirë historinë brutale të vendit të tij. E megjithatë, dukej se i besonte tezës marksiste, se ku do të qëndronte pushteti në Rusinë “kapitaliste”. Sigurisht, që e pati shumë gabim.
Pushteti qëndronte në duart e njeriut që komandonte në Kremlin, pra aty ku kishte gjithmonë. Ndoshta jam shumë i ashpër me të ndjerin. Por edhe udhëheqësit perëndimorë, mendojnë sot se sanksionet ndaj oligarkëve rusë mund të ndikojnë në sjellin e Putinit. Dhe as këtë qasje, nuk arrij ta kuptoj.
Brenda një viti nga ngjitja në krye e Putin, Berezovsky, që ishte bërë një kritik i ashpër, ishte dëbuar nga Rusia dhe kishte ardhur në Britaninë e Madhe. Në vitin 2013, ai vdiq, i vetëvrarë ose i vrarë. Fati i tij, na tregon diçka shumë të rëndësishme:pasuria është burim pushteti, nëse mbrohet nga një shtet i qeverisur nga ligji.
Ndërkohë nën një despotizëm, është pushteti ai që të jep pasuri. Në këtë rast, dominon loja e tiranit:ai mund të japë, por edhe të të marrë gjithçka. Sigurisht, SHBA-ja nuk është Rusia, dhe Donald Trump nuk është Vladimir Putin. Megjithatë, Trump e ka bërë tashmë të qartë se do
të donte ta përdorte postin e presidentit për të ndëshkuar armiqtë e tij.
Në fakt, ai i është referuar në mënyrë specifike ish-kongresmenes Liz Cheney, presidentit aktual Joe Biden dhe zëvendëspresidentes Kamala Harris si shënjestrat e tij. Dhe “justifikimi” i tij është ajo që ai e sheh si një persekutim politik ndaj tij.
Por është ai u përpoq të përmbyste rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, duke inkurajuar një pushtim të Capitol Hill nga “patriotët” më 6 janar 2021, dhe që ushtroi presion ndaj zv/presidentit Mike Pence të mos certifikonte rezultatet. Gënjeshtra e madhe e një procesi të vjedhur, është bërë madje një bindje e përbashkët e gjithë Partisë Republikane.
Lind pyetja:oligarkët që po përpiqen ta bëjnë Trumpin president dhe J.D.Vance zëvendëspresident, ky i fundit një njeri që ka deklaruar se nuk do t’i kishte certifikuar zgjedhjet e 4 viteve më parë, a janë gati të mësojnë se çfarë do të thotë të kesh për president një tiran?
Dikush që tenton një grusht shteti kundër procesit zgjedhor - që është vetë thelbi i demokracisë - është një tiran i mundshëm. Po i tillë, është edhe ai që përpiqet ta mbushë qeverinë e tij me njerëz personalisht besnikë ndaj tij. Në kushte të tilla, askush nuk mund të jetë vërtet i sigurt, përveç besnikëve dhe servilëve të tiranit.
Dikur, pushteti i presidentit të SHBA-së kufizohej nga moral i fortë qytetar, nga etika e figurave të larta politike rreth e rrotull tij, nga një gjyqësor i pavarur dhe nga partitë politike të pavarura. Por shumë nga këto mekanizma frenues janë dobësuar. Ndaj, rizgjedhja e Trump rrezikon të sjellë pasoja negative globale.
Dëmi që i është shkaktuar besueshmërisë së demokracisë është tashmë i dukshëm. Është dobësuar besimi jo vetëm tek demokracia amerikane, por tek vetë demokracia si sistem dhe koncept. Dhe situata do të përkeqësohet. Në lojë nuk është vetëm demokracia liberale në SHBA, por edhe e ardhmja e rolit të Amerikës në botë.
Duket sikur askujt në të djathtën e re amerikane, nuk i ka shkuar mendja se braktisja e Ukrainës dhe ndoshta e anëtarëve aktualë të NATO-s përballë Rusisë, do të ndikojë në aftësinë e SHBA-së për të krijuar aleanca të forta kundër Kinës. Nëse do të isha japonez, do të isha shumë nervoz përballë një situatë të tillë.
Po ashtu, duket se nuk u ka shkuar mendja, se refuzimi i marrëveshjeve tregtare që të krijuar me nismën e SHBA-së, përfshirë Organizatën Botërore të Tregtisë, do ta bëjë pashmangshëm këtë vend të duket si një partner ekonomik jo i besueshëm. Trump si biznesmen ka qenë një falimentues serial.
SHBA-ja nuk do të ruajë dot besueshmërinë e saj si një aktor ekonomik nëse sillet në këtë mënyrë. Pastaj një problem tjetër jo i vogël, është që Trump beson jo vetëm në vendosjen e tarifave të larta për importet nga vende aleate, por edhe në uljen e taksave për të pasurit si dhe tek një dollar i dobët.
Po ashtu, kur i leverdis, ai është një ithtar i normave të ulëta të interesit dhe nuk beson tek pavarësia e Rezervës Federale (FED). Ideja se mund të kompensohet në të njëjtën kohë një rritje e madhe e kostove të importeve nëpërmjet tarifave, të cilat do të reduktonin kërkesën e SHBA-së për valutë të huaj, ndërkohë që pritet që dollari të bjerë në vlerë kundrejt këtyre monedhave, është jokoherente.
Normalisht duhet të ndodhë e kundërta. Por nëse deficiti fiskal tashmë i madh, do të zgjerohej më tej dhe ndaj FED do të ushtrohej presion për të zbutur politikën monetare, vlera e dollarit mund të bjerë vërtet, siç ndodhi në vitet 1970. Dhe kjo do të shkaktonte një rrëmujë të madhe.
Më e rëndësishmja nga të gjitha për të ardhmen e botës, mund të mos jetë frika nga Trump si një tiran i mundshëm, tradhtar, proteksionist apo zhvlerësues i monedhës kombëtare, por një Trump që e tërhoqi SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për klimën, kur ishte president mandatin e tij të parë.
Tani për tani, kemi pak shanse që ta mbajmë rritjen e temperaturave globale nën 1.5 gradë Celcius mbi nivelet para-industriale. Nëse një mandat tjetër i Trump do të sabotonte shpresat
për përparim, ky shans thuajse me siguri do të shpërdoret, dhe do kishte pasoja ndoshta katastrofike.
Por Trump, “gjeniu i qëndrueshëm”, thotë se “e di” se efekti serë është një mashtrim . Në fakt, ai është një kërcënim, të cilin ne kemi ende mundësi ta mposhtim. Ndërsa Trump mund të jetë udhëheqësi që do të sigurojë dështimin në këtë betejë. Plutokratët që e mbështesin Trump, mund të jenë edhe më të qetë se Berezovsky dikur.
Por a mund të jenë vërtet aq të lirë sa duan? Është e vërtetë, që edhe një erozion i mëtejshëm i demokracisë mund t’i mbrojë ende ata nga ndërhyrja e politikanëve të zgjedhur që i urrejnë. Por njerëzit që vendosën në pushtet, kanë tendencën për t’u shndërruar në sundimtarë absolutë. Atëherë, askush nuk mund të jetë i sigurt./ Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”
Lini një Përgjigje