30 viktima dhe qindra të plagosur, ky ishte bilanci i sulmeve të një dite më parë të avionëve rusë në disa zona të Ukrainës, që konsiderohet si ndër më të përgjakshmit që nga nisja e luftës.
Përballja e ashpër ka vijuar dhe gjatë së premtes, ku Rusia bombardoi në masë rajonin e Khersonit, teksa Ukraina u kundërpërgjigj me dhjetëra dronë në qytetet kufitare.
Kremlini vijon t’i qëndrojë idesë së operacioni në Ukrainë nuk është kundër civilëve, por kundër një regjimi që është në duart e perëndimit.
“Operacioni special është kundër regjimit. Tashmë Ukraina është një ndërmarrje ushtarake private në duart e perëndimit”, u shpreh përfaqësuesi i Rusisë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara.
Ambasadori Nebenzya shkoi dhe më tej duke thënë se tashmë planet ushtarake të Ukrainës dhe mbrojtësve të saj kanë dështuar dhe shumë shpejt ata do të përballet me lajmet më të këqija në të ardhmen e afërt.
“Paketat e reja të ndihmës ushtarake dhe financiare për Zelenskyn dhe bandën e tij nga Uashingtoni dhe Brukseli do të vonojnë agoninë e regjimit ukrainas, por nuk do ta ndalin dot atë”, përfundoi Nebenzya.
Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka bërë me dije se nga sulmi i fundit mbi Ukrainë, kuptohen fare qartë objektivat e Vladimir Putin, e për rrjedhojë do duhet të ndalet sa nuk është vonë. Sipas tij, Putin ka për qëllim që zhdukë Ukrainën, por thekson se kjo nuk do të ndodhë.
"Brenda natës, Rusia kreu sulmin më të madh ajror kundër Ukrainës që nga fillimi i luftës" dhe kjo "i kujton botës se, pas gati dy vjetësh lufte shkatërruese, objektivat e Putinit mbeten të pandryshuara. Ai dëshiron të fshijë Ukrainën dhe të nënshtrojë popullsinë e saj. Duhet të ndalet”, tha Biden.
Nga ana tjetër, Britania do të dërgojë rreth 200 raketa të mbrojtjes ajrore në Ukrainë. Këtë e bëri të ditur vetë ministri britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps, pas valës së re masive të sulmeve ruse në vend.
Lini një Përgjigje