
Rusia ka vendosur që të dëbojë dhjetë diplomatë që punojnë në ambasadën e Norvegjisë në Moskë, kështu ka konfirmuar zëdhënësi i ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Ragnhild Simenstad.
“Ambasadori i Norvegjisë në Moskë u informua sot nga Ministria e Punëve të Jashtme ruse se 10 diplomatë tanë në Ambasadën në Moskë janë shpallur persona non grata në Rusi. Diplomatët duhet të largohen nga Rusia brenda një kohe të shkurtër”, tha Ragnhild Simenstad.
Sipas zëdhënësit, Oslo e konsideron lëvizjen e Moskës si një reagim ndaj dëbimit që Norvegjia i bëri 15 punonjësve të ambasadës ruse në fillim të këtij muaji, me akuza për spiunazh. Ambasadori norvegjez u thirr nga Rusia të mërkurën dhe u qortua për vendimin e Oslos për dëbimin e 15 diplomatëve rusë.
"Ky hap armiqësor e përkeqësoi më tej situatën në marrëdhëniet dypalëshe, të cilat tashmë janë në një nivel kritikisht të ulët", tha ministria ruse në një deklaratë.
Simenstad i ministrisë norvegjeze tha se vendimi rus konsiderohet "një akt hakmarrjeje", duke shtuar se të gjithë diplomatët norvegjez në Rusi kryejnë punë të zakonshme diplomatike e jo spiunazh dhe autoritetet ruse e dinë mirë këtë.
Lini një Përgjigje