
Një gazetar italian i “La Repubblica” i cili po raportonte nga Ukraina situatën e luftës është plagosur nga një sulm me dron në Kherson. Lajmi u konfirmua nga ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani me anë të një postimi në rrjetin social “Twitter”.
Tajani tha se gazetari Corrado Zunino ishte mirë dhe se pas mjekimit do të shoqërohej në shtëpi nga ambasada italiane në Kiev.
"Kam qenë në kontakt me ministrin e Jashtëm Kuleba, i cili më ka siguruar bashkëpunimin e plotë të autoriteteve ukrainase. Kam informuar kryeministrin Giorgia Meloni dhe kam shprehur solidaritetin dhe mbështetjen time për drejtorin (La Repubblica) Maurizio Molinari”, tha ministri italian.
Andriy Yermak, kreu i Zyrës së Presidentit të Ukrainës, tha se Zunino u plagos pranë urës Antonivskyi.
"Rusët bombarduan gjithashtu zonën e urës Antonivskyi, duke rezultuar në plagosjen e një përfaqësuesi të shtypit të huaj", tha Yermak në Telegram të mërkurën.
Ndërkohë kujtojmë se pak ditë më parë dy gazetarë të VOA-s u plagosën në Ukrainë, gjatë kohës që po raportonin nga vija e frontit.
Lini një Përgjigje