Fermerë nga disa vende të Bashkimit Evropian kanë protestuar në Bruksel kundër marrëveshjes tregtare BE–Mercosur, e cila parashikon lehtësimin e importeve të produkteve bujqësore nga Amerika Latine, veçanërisht mishit të viçit nga Brazili. Protestat u zhvilluan edhe me traktorë, si shenjë kundërshtimi ndaj asaj që fermerët e konsiderojnë një kërcënim serioz për bujqësinë evropiane.
Sipas marrëveshjes, rreth 99 mijë ton mish viçi i freskët dhe i ngrirë nga vendet e Mercosur-it (Tregu i Përbashkët i Amerikës së Jugut, Argjentinë, Bolivi, Brazil, Paraguai dhe Uruguai), do të mund të hyjnë në tregun e BE-së me tarifa shumë më të ulëta. Fermerët pretendojnë se kjo do të rrisë konkurrencën dhe do të ushtrojë presion mbi çmimet e prodhimit vendas, duke dëmtuar veçanërisht prodhuesit e vegjël dhe të mesëm.
Nga ana tjetër, Komisioni Evropian dhe disa shtete anëtare mbështetëse të marrëveshjes argumentojnë se ndikimi ekonomik do të jetë i kufizuar, pasi sasia e mishit të viçit përbën një përqindje të vogël të prodhimit total të BE-së. Ata theksojnë gjithashtu rëndësinë gjeopolitike të marrëveshjes, si një mënyrë për të hapur tregje të reja dhe për të forcuar partneritetet ndërkombëtare të Evropës.
Megjithatë, disa vende si Franca, Irlanda dhe Polonia mbeten skeptike, duke kërkuar masa shtesë mbrojtëse për fermerët e tyre. Si pasojë e këtyre kundërshtimeve, nënshkrimi i marrëveshjes BE–Mercosur është shtyrë të paktën deri në janar.
Shqetësimet kryesore të fermerëve lidhen me konkurrencën e padrejtë, pasi ata pretendojnë se prodhuesit evropianë u nënshtrohen standardeve më të larta mjedisore dhe të sigurisë ushqimore krahasuar me ato të vendeve të Mercosur-it. Protestat në Bruksel tregojnë se çështja mbetet e ndjeshme dhe se negociatat politike rreth marrëveshjes do të vazhdojnë.
Lini një Përgjigje