TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Janar 2026, 14:15

Mirë se vini në Epokën e Kaosit! Dhjetë rreziqet globale kryesore për vitin 2026

Shkruar nga Pamfleti
Mirë se vini në Epokën e Kaosit! Dhjetë rreziqet globale
Mirë se vini në Epokën e Kaosit! Dhjetë rreziqet globale kryesore për vitin 2026

Arkitektura e vjetër globale po shpërbëhet përballë një “stuhie” perfekte krizash ekonomike, klimatike dhe teknologjike. Pa një lider botëror në timon, viti 2026 po shndërrohet në fushëbetejën e një epoke të re dhe të paparashikueshme...

Rreziqet kryesore për vitin që sapo ka hyrë tregojnë një botë gjithnjë e më të paqëndrueshme. Arkitektura e vjetër neoliberale po dekompozohet dhe SHBA-ja po tërhiqet zyrtarisht nga supremacia globale. Këtë e bën të qartë edhe Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së. Bota po hyn në një periudhë ku pushteti po shpërndahet midis fuqive “grabitqare” dhe një sistemi shumëpalësh pa një hegjemon të vetëm.

1. “Moçalishtja” ekonomike e Trump

Asetet financiare janë mbivlerësuar masivisht. Inteligjenca Artificiale (IA) po nxit aktualisht rritjen e PBB-së së SHBA-së, por përfitimet në produktivitet mbeten të pakapshme. Ekziston rreziku që IA të dështojë në detyrat komplekse, duke shkaktuar një rënie të tregut, e cila mund të zhdukë 35 trilionë dollarë pasuri. Tarifat e Trumpit po rritin inflacionin, ndërsa borxhi i SHBA-së ka arritur në 125 për qind të PBB-së. Kina dhe G-20 nuk kanë gjasa të ndihmojnë në rast të një krizë të re si ajo e vitit 2008.

2. Shpërbërja e rendit global aktual

Jo vetëm Trump, por edhe Putin dhe Xi Jinping po shkatërrojnë regjimin e vjetër liberal. Rusia kërkon dominim rajonal, Kina një hakmarrje historike, ndërsa Jugu Global kërkon vendimmarrje. Multilateralizmi po përçahet: SHBA-ja po largohet nga OBSH dhe po shkurton ndihmat për vendet e tjera. Ndërkohë, Rusia dhe Kina po zgjerojnë BRICS për të krijuar sisteme valutore alternative ndaj dollarit.

3. Rikthimi i SHBA-së në Hemisferën Perëndimore

Trump po ringjall Doktrinën Monro, duke kërcënuar kartelet në Meksikë dhe duke synuar ndryshimin e regjimit në Venezuelë. Megjithatë, Kina po fiton terren duke ofruar zhvillim ekonomik. Tregtia e saj me Amerikën Latine pritet të kalojë 700 miliardë dollarë deri në vitin 2035. Rreziku është që rajoni të largohet plotësisht nga Uashingtoni, ndërsa ndërhyrjet ushtarake të mundshme në Venezuelë mund të kthehen në gracka në një periudhë afatgjatë.

4. Epoka e Tretë Bërthamore

Ora e Fundit të Botës është në 89 sekonda përpara Mesnatës. Gara “trekëndore” midis SHBA-së, Rusisë dhe Kinës po anashkalon marrëveshjet e vjetra të frenimit të armatimeve, siç ishte marrëveshja START. SHBA po modernizon triadën bërthamore me një kosto prej 1.7 trilionë dollarësh. Ndërkohë, vende si Koreja e Jugut dhe Japonia po rishikojnë mundësinë e armatosjes me armë bërthamore për shkak të pasigurisë rajonale dhe dyshimeve mbi besueshmërinë e SHBA-së.

5. Rebelimi i Brezit Z

Brezi Z (të lindurit e viteve 1997–2012) përbën 20 për qind të njerëzimit. Ai është i përqendruar në Jugun Global. Të zhgënjyer nga korrupsioni dhe mungesa e punës, të rinjtë kanë rrëzuar qeveritë në Bangladesh dhe Madagaskar. Shumë shtete afrikane shpenzojnë më shumë për borxhin sesa për arsimin. Nëse këta të rinj nuk integrohen, pasojat do të jenë varfëria, terrorizmi dhe migrimi masiv.

6. Një Putin i plotfuqishëm edhe pas luftës në Ukrainë

Pas gati katër viteve luftë, Rusia ka epërsi në fushën e betejës. Donald Trump duket i gatshëm t'ia imponojë Ukrainës kushtet e Putinit për një armëpushim dhe synon marrëveshje dypalëshe me Rusinë. Ky afrim rrezikon të përçajë Perëndimin dhe të realizojë qëllimin e Kremlinit për dobësimin e NATO-s, duke e lënë Evropën të vetme përballë një Rusie më agresive.

7. Degradimi i mëtejshëm i klimës

Trump e ka tërhequr SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit, duke i quajtur ndryshimet klimatike një “mashtrim”. Kjo ka shtyrë për në vitin 2035 financimet për vendet e varfra për t'u përballur me këtë dukuri. Ndërkohë, Kina dominon energjinë e gjelbër, duke zënë 74 për qind të kapacitetit diellor në ndërtim. Ngrohja globale rrezikon të kalojë kufirin kritik prej 1.5 gradë Celsius mbi temperaturën mesatare para Revolucionit Industrial.

8. Lindja e Mesme do të mbetet një “fuçi baruti”

Gaza mbetet e ndarë dhe e rrënuar, ndërsa Hamasi vazhdon të refuzojë çarmatimin. Irani përballet me kaos: një ekonomi e shkatërruar, thatësirë ekstreme dhe një udhëheqës tashmë 86-vjeçar. Pavarësisht sanksioneve dhe bombardimeve, Teherani vazhdon programin bërthamor. Rreziku i një lufte të hapur midis Izraelit/SHBA-së dhe Iranit mbetet shumë i lartë.

9. Inteligjenca Artificiale si përçarësi kryesor

Inteligjenca Artificiale premton shumë përparime, sidomos në mjekësi, por njëkohësisht po shkakton trazira sociale. Automatizimi po eliminon vendet e punës me ritme të shpejta, duke goditur profesionet intelektuale. Aftësia e IA-së për të krijuar dezinformim masiv (deepfakes) po minon besimin te demokracia dhe po e bën të pamundur dallimin e të vërtetës nga gënjeshtra.

10. Një Azi-Paqësor i paqëndrueshëm

Në Azinë Lindore, lidhjet SHBA-Kinë mbeten të tensionuara, por “të qëndrueshme” përmes zonave gri. Megjithatë, tarifat tregtare të Trumpit po dëmtojnë ekonomitë e Azisë Juglindore (ASEAN) që varen nga pjesët e këmbimit që prodhon Kina. Pika më e nxehtë është Azia Jugore: tensionet Indi-Pakistan janë rizgjuar pas sulmeve terroriste. Pakistani është inkurajuar nga mbështetja diplomatike e Trumpit, ndërsa India e Modit ndihet e shpërfillur. Konfliktet mbi Kashmirin dhe burimet ujore, së bashku me përplasjet e Pakistanit me Afganistanin, mund ta ndezin sërish fitilin e luftës në një rajon të pajisur me armë bërthamore./Përshtati "Pamfleti", nga “Foreign Policy” 

 

mirë se vini në epokën e kaosit dhjetë rreziqet globale kryesore për vitin 2026

Lini një Përgjigje