
Ish-sekretari republikan i shtetit i SHBA-së, Mike Pompeo njoftoi se ai nuk do të jetë kandidat për president. Lajmin e dha para garës brenda partisë, para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024.
Për rrjedhojë, ai nuk do të jetë ndër kundërshtarët e ish-presidentit Donald Trump, në mandatin e të cilit edhe shërbeu si sekretar.
“Koha nuk është e duhur për mua dhe familjen time”, shpjegoi ai.
Një ish-oficer i ushtrisë, ish-kongresmen i Kansasit dhe ish-drejtor i CIA-s, Pompeo kishte një reputacion si një aleat i vendosur i Donald Trump, ndërsa zbatonte disa nga vendimet më të diskutueshme të presidentit për politikën e jashtme. Në muajt e fundit, ai ka kritikuar në mënyrë indirekte ish-presidentin Turmp duke thënë se republikanët kanë nevojë për liderë që nuk kanë ngecur në të kaluarën.
Me Pompeon jashtë garës, sfiduesi i vetëm i Donald Trump në garë është zyrtarisht ish-ambasadorja e administratës së tij në Kombet e Bashkuara dhe ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley.
Senatori i Karolinës së Jugut, Tim Scott, guvernatori i Floridës, Ron DeSandis dhe ish-zëvendëspresidenti Mike Pence konsiderohen pretendentë të mundshëm për nominimin republikan.
Lini një Përgjigje