TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 2 Gusht 2023, 17:26

Mes tensioneve në Kinë, Franca dhe Japonia kryejnë stërvitje ushtarake

Shkruar nga Pamfleti

Mes tensioneve në Kinë, Franca dhe Japonia kryejnë

Forcat ajrore franceze dhe japoneze përfunduan katër ditë stërvitje luftarake në Japoni të shtunën, e para e këtij lloji mes dy aleatëve. Por edhe ndërsa Parisi kërkon të ndërtojë aleancat e tij ushtarake në rajonin e Indo-Paqësorit, qeveria franceze bllokoi propozimin për të hapur një zyrë ndërlidhëse të NATO-s në Tokio. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell njofton nga Japonia.

Për publikun dhe për vetë Japoninë - kjo ishte diçka e re. Avionë luftarakë francezë duke fluturuar përkrah avionëve luftarakë japonezë. Stërvitjet e përbashkëta ajrore janë pjesë e një stërvitjeje më të madhe franceze të koduar ‘Pegase 2023’ që po zhvillohet në të gjithë Indo-Paqësorin, duke përfshirë disa ishuj, territore franceze.

"Është e natyrshme që Franca, një vend që ka territore në Indo-Paqësor, është veçanërisht e shqetësuar nga tensionet gjeopolitike që ndjehen në rajon si rezultat i konkurrencës midis fuqive të mëdha", thotë Stephane Mille, shef i shtabit të forcave ajrore franceze.

Këto tensione ndjehen edhe nga NATO-ja, e cila përmend Kinën si një sfidë për interesat e aleancës.

“Interesi i NATO-s ndikohet shumë nga ajo që ndodh në rajonin e Indo-Paqësorit. Kjo do të thotë se NATO-ja duhet të angazhohet më shumë për interesat e saj”, thotë për Zërin e Amerikës analisti i sigurisë Michito Tsuruoka.

Në takimin e saj të fundit të nivelit të lartë në korrik, NATO-ja debatoi për hapjen e një zyre ndërlidhëse në Tokio. Por Emmanuel Macron, presidenti i Francës, vend anëtar i NATO-s, e bllokoi nismën, pavarësisht aleancës së ngushtë me Japoninë. Fabrice Pothier cili ka shërbyer në planifikimin e politikave të NATO-s shpjegon arsyet.

“Është shumë e qartë se presidenti Macron dëshiron të shmangë çdo lloj përballjeje, apo dinamike, që mund të çojë në përshkallëzim me Kinën.”

Kina paralajmëroi se hapja e një zyre të NATO-s në Tokio do të ‘destabilizonte’ rajonin. Nuk ka asnjë rrezik të tillë, thotë analisti Tsuruoka.

“NATO-ja, po flet vetëm për një zyrë me një person. Pra, nuk do të ndryshojë kurrë ekuilibrin e forcave në rajon”.

Tani për tani, Parisi po fuqizon marrëdhëniet dypalëshe me aleatët e Indo-Paqësorit.

“Franca është gjithmonë e prirur të theksojë se NATO-ja është një organizatë euroatlantike me kufij dhe përgjegjësi disi të qarta gjeografike. Dhe se shtrirja përtej këtij kufiri është në thelb tejkalim i mandatit të saj thelbësor”, thotë Fabrice Pothier.

Japonia dhe Franca thonë se stërvitja e tyre e përbashkët synon 'të mbështesë vizionin e një rajoni të lirë dhe të hapur të Indo-Paqësorit'.

Por a ka NATO-ja një rol në këtë vizion? Është një pyetje, që aleanca dhe aleatët e saj në rajon, duhet ende ta vendosin./VOA

Lini një Përgjigje