Kancelari gjerman Friedrich Merz ka minimizuar tensionet me Donald Trump pasi SHBA-të thanë se do të tërhiqnin të paktën 5,000 ushtarë nga Gjermania pas një përplasjeje midis dy udhëheqësve. Merz i tha transmetuesit gjerman ARD në një intervistë se "nuk ka lidhje" midis reduktimit të trupave dhe mosmarrëveshjes së tyre.
"Mund të jetë pak e ekzagjeruar, por nuk është diçka e re. Unë mbetem i bindur se amerikanët janë partneri më i rëndësishëm për ne në Aleancën e Atlantikut të Veriut (NATO)", tha Merz.
Kancelari gjithashtu duket se konfirmoi se një vendosje e planifikuar e raketave amerikane me rreze të gjatë veprimi Tomahawk në Gjermani, e njoftuar nga ish-presidenti amerikan Joe Biden, po anulohej, të paktën për momentin. Ai përmendi si arsye arsenalet e varfëruara për shkak të luftërave në Iran dhe Ukrainë.
“Vetë amerikanët nuk kanë mjaftueshëm për momentin. Objektivisht, vështirë se ka ndonjë mundësi nga SHBA-të për të hequr dorë nga sistemet e armëve të këtij lloji”, tha ai.
Marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe SHBA-së u tensionuan këtë javë pasi Merz tha se Irani e kishte “poshtëruar” SHBA-në në bisedime, ndaj të cilave Trump i zemëruar iu përgjigj në një seri postimesh në mediat sociale, duke i thënë Merz të rregullonte “vendin e tij të shkatërruar”.
Më herët sot, ministri i jashtëm gjerman Johann Wadephul tha sot se Gjermania dhe SHBA-të "ndajnë të njëjtin qëllim" mbi Iranin.
Lini një Përgjigje