TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Mars 2024, 10:00

Mercenarët e Vladimir Putinit

Shkruar nga Mariano Giustino
Mercenarët e Vladimir Putinit
Ushtria ruse e mercenarëve /

Kinezët, malajzianët, kubanët: Ushtria ruse në Ukrainë është gjithnjë e më shumë një shumëkombëshe mercenarësh...

Pamjet e shpërndara nga blogeri ushtarak rus Pavel Kukushkin në kanalin e tij Telegram, ku shfaqen dy burra të ulur në një tavolinë, përballë njëri-tjetrit, duke komunikuar respektivisht në gjuhën ruse dhe atë kineze nëpërmjet një aplikacioni të përkthimit automatik pas dëgjimit të zërit, u bënë menjëherë virale në mediat sociale.

Lajmi për mercenarët kinezë që luftojnë në emër të Rusisë në Ukrainë nuk është i ri. Por kjo video është një konfirmim i mëtejshëm se vullnetarë nga Republika Popullore e Kinës janë rekrutuar në Brigadën Ndërkombëtare Pyatnashka. Thuhet se gjatë muajve të fundit, autoritetet ruse kanë kërkuar trupa të reja jashtë vendit.

Moska është duke rekrutuar kryesisht nga emigrantët e Azisë Qendrore, duke u ofruar atyre paga të larta dhe procedura të përshpejtuara për marrjen e shtetësisë. Udhëheqësi rus Vladimir Putin është gjithnjë e më shumë nën presion nga elita drejtuese në Kremlinit për të pasur një qasje më agresive në luftën kundër Ukrainës dhe për një mobilizim në shkallë të gjerë në vend, për të shtuar forcën ushtarake dhe burimet njerëzore në front.

Këto të fundit po zvogëlohen ndjeshëm për shkak të humbjeve të rënda në luftën kundër Kievit, e cila ka hyrë në vitin e tretë dhe priret ende të jetë shumë e gjatë. Fushata e rekrutimit të Moskës brenda kufijve të Rusisë duket se po jep pak rezultate.

Vjeshtën e vitit të kaluar, shërbimi sekret britanik zbuloi se Rusia po merret me rekrutimin e ushtarëve në vendet fqinje. Thirrje po u bëhet edhe punëtorëve emigrantë me nënshtetësi ruse. Në prag të zgjedhjeve presidenciale të kësaj jave, Moska ka qenë e interesuar që të shmangte një mobilizim të ri jopopullor.

Për më tepër, sipas propagandës së Kremlinit, Rusia nuk po zhvillon në Ukrainë një luftë, por një “operacion të posaçëm ushtarak” në një shkallë të kufizuar, ndaj nuk do të justifikohej dot asnjë mobilizim i ri. Në këto kushte po rekrutohen gjithnjë e më shumë sirianë, kubanë, armenë, kazakë, kinezë, malajzianë, nepalezë, sinhalezë, indianë, bjellorusë, serbë dhe milici mercenare nga vende të tjera, të trajnuar nga ish-anëtarë të grupit Wagner.

Dihet se Rusia ka rekrutuar prej kohësh mercenarë nga Siria dhe të burgosur nga burgjet e saj, të cilët janë përfshirë në njësinë Storm-Z, një batalion i përbërë edhe nga ushtarë që janë të ndëshkuar për sjellje të gabuara, të cilët dërgohen si “mish për top” në vijën e parë të frontit me britmat “liri a vdekje”.

Ishte drejtuesi i ndjerë i Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili ishte i pari që rekrutoi të dënuarit me burg në njësinë Storm-Z, kur dërgohen ata që nuk binden apo që kryejnë krime, siç ndodhi në Stalingrad në vitin 1942. Ushtarët e Storm-Z, që përmban shkronjën Z, simboli i pushtimit të Ukrainës, i nënshtrohen një stërvitje finale dhe pajisen me armë të lehta.

Por dihet se janë të pamëshirshëm në luftime të ngushta. Ukrainasit i përkufizojnë “mish për top” sulmet e këmbësorisë të njësive Storm-Z, me pak mbështetje ajrore dhe të mjeteve të mekanizuara. Sipas GUR, shërbimit ushtarak ukrainas, seancat stërvitore të grupeve mercenare, ku secili numëron rreth 1000 sirianë, janë në zhvillim e sipër.

Qendra Kombëtare e Rezistencës së Ukrainës, e drejtuar nga forcat e operacioneve speciale të qeverisë së Kievit, thotë se është vënë re edhe prania e malajzianëve që luftojnë në krah të rusëve në rajonin e pushtuar Donetsk. Muajt e fundit, brigada Pyatnashka është shtuar me mijëra mercenarë malajzianë, kinezë dhe indianë.

Sidomos numri i kinezëve është gjithnjë e më i madh. Nju Delhi është shumë i shqetësuar për këtë dukuri, dhe synon të ktheje në shtëpi qytetarët e tij, për të cilët thonë se janë mashtruar nga Rusia për të luftuar në vijën e frontit në Ukrainë.

Moska u premtoi mercenarëve indianë se nuk do të dërgoheshin për të luftuar në vijën e parë të frontit. Por kur mbërritën në komandën ruse, u trajnuan për të përdorur armë sulmi siç janë kallashnikovët. Rekrutimi i punëtorëve indianë dhe i atyre nga vendet e tjera fqinje nxjerr në pah cenueshmërinë e emigrantëve që shfrytëzohen dhe dërgohen në zonat e konfliktit.

I tillë është rasti i Aazad Yousuf Kumar, 31 vjeç, që u rrit në varfëri në fshatin Poshwan në Kashmirin Indian. Kur ai dhe gruaja e tij u bënë me fëmijë, Kumar nisi të kërkonte një punë për të siguruar një të ardhme më të mirë për veten dhe familjen e tij.

I rekrutuar si pastrues në Moskë nga Baba Vlogs, një agjenci e njohur punësimi me qendër në Dubai, e cila i kishte zhvatur 300 mijë rupi (3600 dollarë), Aazad, të cilit iu mor me forcë telefoni dhe pasaporta, u detyrua të luftonte për Moskën në luftën kundër Ukrainës.

Shkalla e lartë e papunësisë në Indi, po i shtyn gjithnjë e më shumë të rinjtë e papunë në zonat e luftës. Emigrantët nga vendet fqinje aziatike, që zakonisht janë në kërkim të punëve modeste, mashtrohen dhe detyrohen të bëhen ushtarë dhe dërgohen të luftojnë në Ukrainë.

Këta janë shpesh njerëz të patrajnuar, që nuk kanë parë kurrë një armë në jetën e tyre, të dërguar në front të pajisur shumë keq dhe në temperatura që gjatë dimrit bien shpesh nën minus 30 ° Celsius. Ministria e Jashtme e Kubës, tha se kishte zbuluar një “rrjet të trafikut njerëzor”, që synonte të rekrutonte shtetas kubanë për t'u bashkuar me ushtrinë ruse dhe për t'i dërguar ata në frontin ukrainas.

Megjithatë Havana nuk tha se sa nga qytetarët e saj ishin subjekt i kësaj fushate dhe sa u rekrutuan me sukses, ndërkohë as Kremlini nuk e komentoi këtë raport. Në një deklaratë të publikuar së fundmi në faqen e ministrisë kubane, shkruhet se “Kuba lufton ndaj operacioneve e trafikimit të qenieve njerëzore që synojnë rekrutimin ushtarak”.

Një investigim nga shërbimi rus i Moscow Times, zbuloi se po bëhet një thirrje e gjërë ndaj kubanezëve për rekrutim dhe kjo përmes grupeve të mediave sociale, përfshirë Facebook. Në një nga reklamat premtohen të ardhura mujore prej 204.000 rublash (2.090 dollarë) dhe mundësia për të marrë nënshtetësinë ruse nëse nënshkruan një kontratë 12-mujore me ushtrinë ruse.

Reklamat në internet synojnë gjithashtu qytetarët e Armenisë dhe Kazakistanit, të cilëve u ofrohet një shumë fillestare mujore prej 495.000 rubla (5.140 dollarë) dhe një pagë pasuese prej 190.000 rublash (1.973 dollarë).

Bashkëpunimi mes Kubës dhe Rusisë është tradicionalisht i ngushtë. Të dyja vendet janë të bashkuara nga synim për t'iu kundërvënë fuqisë së Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj euroatlantikë. Të dyja kanë qenë për vite subjekt i sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara, dhe janë në një linjë kundër politikës së jashtme amerikane me vendet e Amerikës Qendrore dhe Jugore dhe të tjera.

Në qershorin e vitit 2023, Ministri kuban i Mbrojtjes Alvaro Lopez udhëtoi në Moskë për të diskutuar projektet e përbashkëta “ushtarako-teknike” me homologun e tij rus Sergei Shoigu.

Në një nga raportet e saj, New York Times, vlerësoi se humbjet ruse në Ukrainë ishin mbi 300.000, ose 120.000 të vdekur dhe 180.000 të plagosur. Ndërkohë në kampin tjetër janë vrarë 70.000 ushtarë ukrainas dhe janë plagosur 120.000 të tjerë./Përshtati Pamfleti nga “Huffington Post”

 

mercenarët e vladimir putinit kinezët malajzianë kubanë ushtria ruse

Lini një Përgjigje